
BURREL – Dritan Miza është invalid prej shumë vitesh. Gjatë një aksidenti në Greqi, ai humbi mundësinë e të ecurit me këmbët e veta dhe të folurit. Në fund të prillit të këtij viti, ai humbi dhe motrën që i shërbente ditë e natë. Vëllai i tij i madh qëlloi për vdekje të motrën, Shqipe Miza, vetëm se kishte dëgjuar fjalë jo të mira për të. Situata në familjen Miza, në fshatin Madhesh të komunës Ulëz, është shumë e rëndë. Dritani është 35 vjeç. Mësohet se ai 20 vjet më parë emigroi jashtë vendit, që në moshën 15-vjeçare, si shumë të rinj të tjerë, për t‘i ardhur në ndihmë familjes së tij, pasi ajo përbëhej nga 11 pjesëtarë. Mirëpo fati nuk ishte në anën e tij. Në moshën 22-vjeçare, teksa udhëtonte me motor për në vendin e punës në Greqi, aksidentohet rëndë. Megjithëse Dritani nuk ka mundësi të komunikojë, pasi aksidenti i ka dëmtuar rëndë edhe shqisat e të folurit, ai ka parë me sytë e tij vrasjen e motrës 27-vjeçare. Shqiponja i shërbente atij në çdo moment. E ushqente, e pastronte, e vishte dhe kujdesej në çdo kohë për vëllain e sëmurë. Humbjen e motrës më shumë se kushdo tjetër e ndien Dritani, tani ulok në shtëpi, pa kujdes, pa shërbim shëndetësor, pa motra e vëllezër përreth. Të gjithë janë larguar nga fshati prej vitesh. Aty kishte mbetur e fundit motra që u vra nga i vëllai vetëm se kishte dëgjuar fjalë të këqija nga bota. Prindërit e Dritanit i bëjnë apel shtetit që t’i ndihmojë financiarisht që ai të shërohet. Dy prindërit e moshuar, Nikollë dhe Mrika Miza, shprehen se nuk kanë mundësi për t’i shërbyer, pasi janë vetë të vjetër. Në këto kushte, të dy prindërit i bëjnë apel shtetit t’i ndihmojë. h.p
Vrasja e motrës
Më 27 prill 2012 ndodhi një krim i rëndë brenda familjes. Vëllai vrau motrën, se banorët e fshatit flisnin keq për të. Në momentin e ngjarjes së rëndë në shtëpi ka qenë nëna e viktimës, kunata dhe vëllai i paralizuar. Kunata ka treguar se Mirash Miza ishte kthyer nga emigracioni, Greqia, një javë para krimit. “Nga dita e parë dhe deri kur vrau të motrën, vetëm zihej me pjesëtarët e familjes. Pinte raki gjithë ditën dhe debatonte me të gjithë, deri në momentin kur vrau motrën 27 vjeçe”, thanë në atë kohë dëshmitarët.











