
Vëllai i kryebashkiakut të Bulqizës plagos të atin me pistoletë, pas fitores së të vëllait.Një ngjarje e përcaktuar nga policia si nga pakujdesia, ka çuar në spital, me dy plumba në këmbë Haziz Ketën, babanë 65-vjeçar të kryetarit të sapo zgjedhur, Roland Keta. Autori është vëllai i vogël i Ketës, Elton Keta, 30 vjeç, me profesion mjek në pavijonin e Patologjisë në Spitalin e Bulqizës. Plagosja ka ndodhur në të gdhirë të ditës së djeshme në qytetin e Bulqizës. Deri në mbrëmje ngjarja nuk është raportuar nga policia, por burime të rezervuara informacioni saktësojnë se dje, rreth orës 04:00, specialistë të policisë kanë mbërritur në Spitalin Ushtarak dhe kanë konstatuar se shtetasi Haziz Keta, babai i kryetarit të Bashkisë Bulqizë, ishte plagosur me armë zjarri. Familjarët kanë tentuar ta mbajnë sekret ngjarjen, madje kanë mbajtur larg gazetarët, duke u thënë atyre se plagosja nuk ishte e vërtetë, madje u kanë treguar një person tjetër si “babanë” e tyre. Ndërkaq, burime zyrtare të policisë thanë mbrëmë për gazetën “Panorama” se ishin vënë në dijeni nga Drejtoria e Spitalit Ushtarak se shtetasi Haziz Keta kishte mbërritur në spital i plagosur me armë zjarri në këmbën e majtë. Sapo Policia e Bulqizës dhe Drejtoria e Policisë Qarkut Dibër kanë mësuar lajmin, kanë dërguar drejt Bulqizës dhe Spitalit Ushtarak grupin hetimor për ta zbardhur atë. Janë pyetur fillimisht familjarët, të cilët e kanë mohuar ngjarjen, madje janë shprehur se Hazizi ndodhej në shtëpi dhe se nuk kishte asnjë problem. Pjesa tjetër e grupit hetimor ka mbërritur në Spitalin Ushtarak dhe ka gjetur të shtruar 65-vjeçarin. Mësohet se ai kishte dy plumba në këmbë dhe se i ishte nënshtruar një operacioni, mirëpo njëri nga plumbat ishte vështirë të nxirrej. Ka mjaftuar ky fakt që policia të kërkojë autorin e plagosjes me armë zjarri, pistoletë. Policia rajonale konfirmoi se: “Nga veprimet e para hetimore ka rezultuar se me datë 11.05.2011, rreth orës 22:30, shtetasi Elton Keta, 30 vjeç, banues në Bulqizë, ka plagosur me pistoletë në këmbë babanë e tij, Haziz Keta, i cili menjëherë është dërguar në Spitalin Ushtarak për të marrë ndihmën e nevojshme. Gjatë hetimeve rezultoi se shtetasi Haziz Keta është plagosur në këmbë nga pakujdesia”. Policia nuk sqaron nëse është sekuestruar arma e krimit, por tha se ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë i mjekut Elton Keta, për veprat penale të “mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake” dhe “plagosjes së rëndë nga pakujdesia”. Pritet vazhdimi i hetimit për të përcaktuar rrethanat e plagosjes, nëse Keta ka qenë nën efektin e alkoolit apo një pakujdesi gjatë mbajtjes së armës ka provokuar shkrehjen e saj.
Zgjedhjet
Në zgjedhjet e 8 majit, Roland Keta u përball me Myfit Duriçin. Fushata u karakterizua nga presione të shumta të administratës së shtetit dhe policisë rajonale mbi kandidatin e majtë. Madje disa herë është ushtruar presion mbi shtabin elektoral të kandidatit Duriçi. Deri në përfundim të zgjedhjeve, rezultati mes dy rivalëve ishte i ngushtë, ndërkaq fitorja e Ketës erdhi nga tre kutitë e fundit. Ai kishte favorizuar ish-banorë të Bulqizës që banonin prej vitesh në Tiranë e Durrës dhe që ditën e votimit i transportoi drejt Bulqizës.











