Veliu dhe Vajushi, drejt Janinës në Greqi

Nov 11, 2011 | 8:53

Vajushi ne prove te Kelni

Presidenti i Janinës, Jorgos Hristovasilis, ka qenë dje i pranishëm në ndeshjen e U-21. Drejtuesit grekë kanë nisur bisedimet me mbrojtësin e sulmuesin
Franc Veliu dhe Armando Vajushi pritet të transferohen te PAS Janina në muajin janar. Lajmin e kanë konfirmuar dje mediat greke, teksa në shkrimet e të përditshmeve sportive bëhej thuajse fakt i kryer kalimi i mbrojtësit të Flamurtarit. E njëjta gjë thuhej edhe për sulmuesin e Vllaznisë, edhe pse saktësohej se ai është i varur nga një tjetër tratativë e drejtuesve të klubit grek. Nëse kjo e fundit dështon, atëherë Vajushi do të jetë objektivi kryesor për sulmin. Prania e presidentit të Janinës, Jorgos Hristovasilis, në ndeshjen e djeshme në Durrës të Kombëtares U-21 të Shqipërisë me Rusinë, nuk ishte e rastësishme. Gazeta “Goal Day” raporton se kreu i klubit helen ka ardhur në Shqipëri me synimin për të vëzhguar Vajushin, lojtarin e Kombëtares U-21, si dhe Veliun, që luan me përfaqësueses A. Dy futbollistët shqiptarë kanë disa muaj që vëzhgohen nga klubi i Janinës. Drejtori teknik i kësaj të fundit, Vangjeli Angjeli, e ka vizituar shpesh Shqipërinë në këtë periudhë. Ai ka vëzhguar jo vetëm ndeshje të Kombëtares kuqezi, por edhe takimet të kampionatit shqiptar, veçanërisht të Vllaznisë dhe Flamurtarit. Nëpërmjet një ndërmjetësi shqiptar, që luajti një rol të rëndësishëm në transferimin e Andi Lilës dhe Emiljano Vilës te PAS Janina, drejtuesit e këtij klubi kanë shfaqur interes për të tjerë lojtarë shqiptarë. Veliu dhe Vajushi janë tashmë objektivi i tyre për merkaton e janarit. Mësohet se lojtarët janë në dijeni prej kohësh të interesimit të klubit helen, por tashmë ka ardhur momenti që gjërat të konkretizohen. Sipas asaj që raportojnë edhe mediat greke, Veliu mund të jetë lojtari që do të firmosë i pari. “Transferimi i Lilës rezultoi i suksesshëm. Të dhënat e para kanë treguar se edhe Vila do të jetë i rëndësishëm për Janinën. Atëherë, përsë klubi mos të këmbëngulë për të tjerë lojtarë shqiptarë? Presidenti Hristovasili do të udhëtojë në Shqipëri, me qëllimin për të mbyllur marrëveshjen me 23-vjeçarin Veliu dhe 20-vjeçarin Vajushi. Mbrojtësi që luan me Flamurtarin mund të jetë transferimi i parë i Janinës në janar. Por pritet edhe sulmuesi”, shkruante dje e përditshmja sportive “Goal Day”. Sakaq, kujtojmë se të dy lojtarët janë nën kontrata me klubet e tyre, ndaj për ta me shumë gjasa klubi grek do të paguajë vlerën e kartonit. Për Vajushin, ish-presidenti i Vllaznisë, Valter Fushaj, pat kërkuar këtë verë 200 mijë euro, ndërsa për Veliu qe një interesim i Dinamos së Bukureshtit, por   që më pas u shumua, pasi lojtari kërkoi 200 mijë euro rrogë në sezon.
JORGIS MEMO

© Panorama.al

Te lidhura