Vdes punëtori në Fier, ekskavatori e zë poshtë

May 27, 2011 | 10:45

FIER – Një person ka gjetur vdekjen dje në një fshat të Fierit si pasojë e një aksidenti në punë. Policia njoftoi se dje, rreth orës 11:30, në fshatin Lalar të rrethit Fier, shtetasi Arben Trakalaçi, 39 vjeç, ka qenë duke punuar kur ka gjetur vdekjen si pasojë e një aksidenti. Viktima mësohet se ka qenë duke punuar me mjetin ekskavator në pjesën e sipërme të liqenit të këtij fshati. Gjatë punës, mjeti ekskavator është përmbysur (batuar), duke e zënë poshtë 39-vjeçarin dhe për pasojë ai ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Policia tha se shërbimet e hetimit dhe parandalimit të krimit të Komisariatit të Policisë Fier shkuan menjëherë në vendin e ngjarjes. Sipas burimeve zyrtare, në vendin ku gjeti vdekjen 39-vjeçari u kryen veprimet e duhura hetimore e procedurale dhe në përfundim të aktit mjeko-ligjor rezulton se vdekja e këtij shtetasi ka ardhur si pasojë e asfiksisë mekanike dhe shokut traumatiko-hemorragjik, e shkaktuar nga veprimi i një peshe të rëndë mbi kraharor dhe bark. Sipas hetimeve në vendin e ngjarjes, mësohet se përmbysja e ekskavatorit ka ardhur në momentin kur viktima ka qenë duke ngarkuar një sasi të madhe mbetje dherash. Mjeti i punës, me sa duket, nuk ka arritur të ruajë drejtpeshimin, pasi pesha e ngarkesës ka barazuar peshën e tij dhe për pasojë ka ndodhur përmbysja, e ndikuar edhe nga terreni i paqëndrueshëm. Viktima mësohet se ka qenë duke punuar për llogari të një kompanie ndërtimi të rrugëve, e cila nuk ka dhënë një version të plotë zyrtar për këtë ngjarje të rëndë. Kompania në fjalë, sipas policisë, është duke kryer punime në  vendin ku ndodhi ngjarja për të ndërtuar një impiant përpunimi dhe prodhimi avulli, i domosdoshëm për procesin e nxjerrjes së naftës në vendburimin ku operojnë kompanitë e naftës.

© Panorama.al

Te lidhura