Vdes nën gërmadha 12-vjeçari

Sep 10, 2011 | 12:24
Objekti i shembur ku humbi jetën 12-vjeçari

Një fëmijë 12 vjeç humbi jetën tragjikisht dje nën rrënojat e një objekti që Inspektorati Ndërtimor e kishte prishur dy ditë më parë dhe më pas ishte larguar duke lënë inertet e betonin gjysmë të shembura.Kristian Marku, fëmija më i vogël i familjes Marku, ka qenë duke luajtur, por i shtyrë nga kurioziteti, ai është futur nën soletën gjysmë të shkatërruar, e cila e kë zënë poshtë trupin e tij duke i shkaktuar vdekjen. Ngjarja e rëndë ndodhi dje rreth orës 15:30. Kanë qenë bashkëmoshatarët që me ulërimat e tyre sinjalizuan familjarët dhe banorë të tjerë aty afër. Ata shkuan në vendin e ngjarjes dhe u tmerruan kur panë se pesha e betonit ishte mbi trupin e njomë të 12-vjeçarit. Ata i kanë ardhur në ndihmë duke ia hequr soletën nga trupi që e kishte zënë dhe më pas e nisën menjëherë drejt spitalit që ndodhej afër vendit të ngjarjes. Por mjekët nuk arritën dot të bënin asgjë, pasi i mituri kishte ndërruar jetë që në momentin kur e kishte zënë poshtë pesha e rëndë e betonit.  Mësohet se objekti ka qenë një garazh që ndodhej në sheshin mes pallateve ku dy ditë më parë, Inspektorati i Bashkisë së Shkodrës ka kryer prishjen e disa objekteve të tjera si garazhe, njësi tregtare dhe mure rrethuese, pasi aty është në projekt për t’u ndërtuar një lulishte. Bashkia e Shkodrës deklaroi dje se garazhi ku gjeti vdekjen 12-vjeçari nuk është prekur fare nga mjeti prishës i ndërtimorëve, por është lënë për më vonë. Kjo pasi pronari i objektit ndodhej në Itali dhe se në të kishte materiale të ndryshme. Pas tragjedisë në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë oficerët e policisë, të cilët po hetojnë për dokumentimin e plotë ligjor dhe zbardhjen e ngjarjes. Deklarata e Bashkisë së Shkodrës është kundërshtuar dje nga banorët e lagjes ku ndodhi ngjarja. Ata kanë akuzuar Inspektoratin e Bashkisë me pretendimin se objekti është prishur nga ana e tyre dhe është lënë përgjysmë. “Dy ditë më parë, të mërkurën, Inspektorati i Bashkisë Shkodër ka ndërmarrë një aksion për prishjen e disa objekteve që ndodheshin në sheshin mes pallateve të kësaj zone, për t’i hapur rrugë ndërtimit të një lulishteje. Por garazhi ku ndodhi ngjarja ishte i vetmi që nuk ishte prishur plotësisht, siç e kërkon rregullorja e urbanistikës për të eliminuar raste të tilla”, u shprehën banorët. Nisur nga karakteri i veçantë i kësaj ngjarjeje, në grupin hetimor do të ketë specialistë nga disa fusha, duke përfshirë edhe ato të ndërtimeve, për të përcaktuar se cilat kanë qenë shkaqet e rënies së soletës.

INSPEKTORATI

Bashkia e Shkodrës mohoi dje të ketë lënë në gjysmë prishjen e objektit që i mori jetën fëmijës 12- vjeçar. Nëpërmjet një deklarate, Bashkia deklaroi se janë bërë prishje në objektet në zonën në fjalë, por garazhi ku ndodhi fatkeqësia nuk është prekur fare nga ana e tyre, pasi në të kishte mallra me një vlerë monetare të konsiderueshme. Kjo shpjegohej me faktin se pronari i garazhit nuk ndodhej në Shqipëri, por do të kthehej pikërisht një ditë më vonë se aksioni i ndërtimorëve, pra të enjten. “Meqenëse prishja e objekteve të tilla pa leje nuk bëhet me qëllim për t’u sjellë dëm ekonomik pronarëve, por hapjen rrugë investimeve publike, me ndërmjetësimin e një të afërmi të pronarit dhe në prani edhe të punonjësve të Policisë së Shtetit, inspektorët e ndërtimit kanë rënë dakord që aksionin për prishjen e këtij objekti ta bëjnë disa ditë më vonë”, thuhej në njoftimin e Bashkisë.

Banorja: Muret u shembën dy ditë më parë

Marie Kisha, njëra nga banoret e lagjes ku ndodhi ngjarja, tregoi momentet e tmerrit. “Ishim në shtëpi kur dëgjuam thirrjet e forta të disa personave. Dola në dritare dhe pashë një grumbull njerëzish që ishin mbledhur rreth një objekti që deri dje shërbente si garazh. Zbrita me vrap shkallët, nga kati i tretë i pallatit dhe për dy minuta kam qenë poshtë. Kur u afrova te vendi nuk u besoja syve. Mes gërmadhave ndodhej i shtypur nga pesha e soletës fëmija. Kanë qenë momentet më prekëse. Fqinjët e tjerë e hoqën betonin, por për fëmijën nuk kishte më shpresa”, u shpreh ajo. Sipas Kishës, prania e mbetjeve që lanë ndërtimorët e Bashkisë ishte shkaku i kësaj tragjedie. “Fëmijë janë ata. Duhet të luajnë diku. Ka dy ditë që janë prishur muret e ndërtimet në lagjen tonë, e mbeturinat nuk i ka heq askush”, u shpreh ajo.

SHKODER/ RIDVAN DIBRA

© Panorama.al

Te lidhura