Kinemaja greke humbi një nga emrat e saj më të mëdhenj, ndërsa ajo shqiptare një mik të mirë. Pas një aksidenti tragjik, humbi jetën regjisori grek, Theo Angelopoulos. Mediat greke njoftojnë se Angelopoulos u nda nga jeta në moshën 76-vjeçare, mesnatën e së martës, pas një aksidenti të ndodhur vetëm pak orë më parë pranë Portit të Pireut, ku ndodhej për xhirimin e filmit të ri të tij, “Deti tjetër”. Regjisori mësohet të jetë përplasur nga një motoçikletë e, si pasojë, pësoi disa plagë të rënda, që i shkaktuan edhe vdekjen. Përgjatë një karriere 40-vjeçare, ai mundi të krijojë një portret të plotë dhe të veçantë artistik, i cili nuk mbeti jashtë vëmendjes së jurive të festivaleve prestigjioze. Në vitin 1995, ai do të fitonte “Çmimin e Jurisë” në Kanë dhe tre vjet më vonë do të merrte çmimin prestigjioz të “Palmës së artë”. Të tjera çmime do ta ndiqnin. Disa nga filmat e tij janë “Udhëtim në Kythera”, “Bletërritësi”, “Vend në mjegull”, “Hapi i padukshëm i lejlekut”, “Vështrimi i Uliksit”, “Një përjetësi dhe një ditë” etj.. Tre vjet më parë, Angelopoulos ishte në Tiranë, i ftuar special në Tirana International Film Festival, ku ndau eksperiencën e tij me studentët dhe kineastët shqiptarë.











