Vdes diktatori i Koresë së Veriu, kush ishte Kim Jong II

Dec 20, 2011 | 12:35
Koreano-veriorët duke vajtuar Kim Jong II

Shqiptarëve u është kthyer edhe njëherë në vëmendje vdekja e diktatorit Enver Hoxha teksa kanë parë në televizione reagimin e popullit të Koresë së Veriut kur u dha lajmi për vdekjen e diktatorit komunist, Kim Jong II. Udhëheqësi i Koresë së Veriut vdiq gjatë një udhëtimi me tren, si pasojë e një infarkti. Lajmi, në një edicion special të televizionit të vetëm publik, u lexua me lot në sy nga spikerja. Sipas saj, ai vdiq të shtunën nga një infarkt në zemër ndërsa po udhëtonte me tren në një nga vizitat e tij në terren. Agjencia shtetërore e lajmeve ia atribuoi vdekjen e tij “punës së rëndë mendore dhe fizike”. KCNA njoftoi se funerali do të mbahet më 28 dhjetor në Phenian. Ndërkohë është shpallur zija kombëtare nga 17 deri më 29 dhjetor. Menjëherë në rrugët e kryeqytetit u panë turma njerëzit që me veprime histerike shprehnin dhimbjen për humbjen e diktatorit. Në fund të vitit të kaluar, Kim i dha gradën e gjeneralit me katër yje djalit të tij të vogël, Kim Jong Un, veprim që u konsiderua si përpjekje për trashëgimin e pushtetit në Korenë e Veriut brezit të tretë të familjes, që konsiderohet si dinastia e vetme komuniste në botë. KCNA i bëri thirrje popullit korenoverior të mbështesë Kim Jong Un, i cili mendohet se është rreth 28 vjeç.
Kush ishte
Kim Jong-II ishte një prej krerëve më enigmatikë dhe të izoluar të botës dhe udhëhiqte një vend të izoluar dhe vetmitar. Ai e mori pushtetin në vitin 1994, pas vdekjes së babait të tij, Kim-II Sung. Bota dinte shumë pak për liderin e ri, Kim Jong-II, pasi ai ishte shfaqur shumë rrallë publikisht. Në vitin 1991 ai u zgjodh komandat suprem i ushtrisë popullore koreane dhe sipas analistëve, kjo u bë që askush të mos guxonte të vinte në dyshim të drejtën e tij për trashëgimin e postit të udhëheqësit. Kur Kim mori pushtetin, Koreja e Veriut ishte në mes të krizës së urisë dhe ai, në fakt, e lehtësoi disi gjenden duke kërkuar ndihmë ndërkombëtare, sidomos nga Kina. Sipas njerëzve që e kanë takuar, mes të cilëve zyrtarë të lartë apo gazetarë, Kim Jong-II ishte një njeri i zgjuar, dinak dhe ndiqte me vëmendje atë që ndodhte në botë. Ata gjithashtu thonë se ai ishte i dhënë shumë pas ushqimit dhe pijeve, madje në disa raste u quajt edhe një Don Zhuan. Ai u përpoq disa herë për të qetësuar situatën në rajon, dhe kjo kulmoi me takimin me Presidentin koreanojugor, Kim Dae Jung, në vitin 2000, takimi i parë që pas luftës së 53-të që ndau vendin. Por, pas këtyre viteve, situata ndryshoi rrënjësisht dhe Koreja e Veriut vazhdoi të mbetej një vend i izoluar, i udhëhequr nga diktatura komuniste. Tensionet dhe fërkimet me fqinjët jugorë nuk munguan kurrë, madje dhe përleshjet ushtarake. Vdekja e Kim Jong-II, pa dyshim që i jep fund një epoke, por askush nuk di me siguri atë që do të pasojë. Ai mund të mbahet më shumë mend për sfidimin e komunitetit ndërkombëtar dhe forcimin e programit bërthamor të Koresë së Veriut, ndërkohë që miliona banorë të vendit vuanin nga uria.

Reagimet,  SHBA: Të ruhet qetësia, Çaves: Keqardhje
Ndërkohë që Koreja e Jugut menjëherë pas lajmit për vdekjen e Mik Jong II ka ngritur në nivele maksimale sigurinë në kufijtë e saj veriorë, SHBA theksuan dje se kanë ndërmarrë të gjitha masat për “survejimin” e rajonit. Në një bisedë telefonike, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Leon Paneta, ka bërë thirrje për një qasje “të matur”. Në një bisedë telefonike me homologun e Koresë Jugore, Paneta dhe Kim Kuan Jin “janë pajtuar se është thelbësore që të ruhet maturia në lidhje me të gjitha çështjet e sigurisë dhe premtuan se do ta mbajnë njëri-tjetrin të informuar ditët e ardhshme”. Por, me keqardhje e ka marrë lajmin presidenti i Venezuelës, Çaves. Ai ofroi të hënën “ngushëllimet më të sinqerta” për vdekjen e liderit të Koresë Veriore Kim Xhong-II, të cilin e quajti një “shok”. Lideri i Venezuelës po ashtu shprehu besimin në kapacitetet e koreanëve “që ta çojnë të ardhmen e tyre drejt përparimit dhe paqes”.

© Panorama.al

Te lidhura