Vdekja në minierë, banorët e Katjelit zmbrapsen nga kromi

Sep 13, 2011 | 11:10
Miniera ku ndodhi ngjarja në Përrenjas

ELBASAN – Transportohet drejt Spitalit Ushtarak 18-vjeçari i plagosur gjatë kërkimit për krom në minierën e Katjelit, në Përrenjas. Edison Myftari ka pasur shembje të shtyllës kurrizore, çka i ka detyruar mjekët e kirurgjisë së Elbasanit të kërkojnë ndihmë të specializuar për të në Tiranë. Ngjarja e rëndë e së shtunës mbrëma, kur 29-vjeçari Dashamir Logjini humbi jetën dhe Myftari u plagos rëndë, ka tronditur banorët e zonës. Ata tregojnë se dy djemtë kanë hyrë në minierën e amortizuar por, për shkak të errësirës, nuk kanë diktuar pusin e thellë, duke rënë për rreth 100 metra. Mësohet se në minierën e Katjelit, e cila ndodhet rreth 1.5 kilometra larg fshatit me të njëjtin emër në komunën e Rrajcës, ka rënë qetësia. Asnjë nuk afrohet më për të hyrë aty dhe të marrë krom. Banorët shprehen se tashmë asnjë nga të rinjtë nuk do të afrohet më në minierë, edhe sikur të vdesim nga uria. Tragjedia e ndodhur në këtë fshat duket se i ka shokuar të gjithë, pasi asnjë nuk e priste këtë fund tragjik të 29-vjeçarit, i cili këtë javë do të bëhej dhëndër dhe plagosjen e rëndë të shokut të tij. Nga ana tjetër, nga burime të Policisë mësohet se me urdhër të specialistëve të minierave është bërë e ditur se prej kohësh ishte e ndaluar që të hyhej në minierën e Katjelit, pasi përbënte rrezik nga ana e sigurimit teknik në këtë vend. Mësohet se Policia prej kohësh e kishte mbyllur minierën dhe se nuk kishte dijeni se banorët përdornin vende të fshehta për të hyrë në të. Tashmë këta të fundit janë paralajmëruar nga Policia se është e ndaluar rreptësisht hyrja në minierën e Katjelit, pasi rrezikshmëria mund të jetë edhe më e lartë sesa tragjedia që ndodhur.            m.s

© Panorama.al

Te lidhura