KUKES – Dy viktimat më të fundit Besnik Halili, 52 vjeç, nga fshati Bushat dhe Xhezahir Sulmata nga fshati Mamëz, që humbën jetën pasditen e djeshme në aksidentin në galeritë e kromit në Keçël të Kalimashit, u varrosen dje në orën 14 në fshatin Bushat dhe Mamëz të rrethit të Kukësit, ndërkohë që i mbijetuari Alfred Sulmata, 22 vjeç, po nga Mamëzi, po lufton me plagët e marra në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Policia e Kukësit pranon faktin se punimet në galeri ishin informale, por deri tani megjithëse është hapur një çështje penale, ende nuk është marrë në pyetje apo shoqëruar askush. Burime te Policisë thanë se nuk dinë vendndodhjen e personave që do të pyeten. Rënia e masivit në galeri zuri tre persona dhe vetëm 3 orë pas aksidentit dy viktimat janë nxjerrë nga 400 metra thellësi. Galeria shfrytëzohej nga të ashtuquajtur pronarë, të cilët punësonin hallexhinj në kushte të vështira ekonomike.











