
KORÇE/ Fatos Dinoshi kërkon zbardhjen e ngjarjes: Gjeni fajtorët
Mbetet i pazbardhur shkaku i vdekjes së nënës së re në maternitetin e Korçës. Në pritje të rezultatit nga Tirana, i cili do të japë shkakun zyrtar të vdekjes së 22-vjeçares Erjola Dinoshi, askush nuk ka mundur të qartësohet në lidhje me humbjen e saj. Afati dyjavor i përcaktuar për marrjen e një përgjigjeje shkresore të raportit mjekoligjor ka përfunduar, por rezultati ende nuk ka mbërritur në duart e familjarëve apo organeve përkatëse. Ndonëse kanë kaluar 18 ditë nga vdekja misterioze e Erjolës, familjarët ende nuk kanë një përgjigje të shkaqeve të vërteta që kanë çuar në vdekjen e saj. Në pritje të rezultatit shkrimor të ekspertizës mjekoligjore, bashkëshorti i saj, Fatosi, rrëfen se tashmë kërkon drejtësi dhe zbardhjen e ngjarjes. Pas vdekjes së nënës së re, tashmë bashkëshorti i saj përballet edhe me një situatë tepër të vështirë. I mbetur vetëm me fëmijët e tij dhe në kushte të vështira ekonomike, ai pohon se nuk mund të kujdeset për fëmijën e porsalindur, i cili nuk gëzon shëndet të mirë. Frika dhe mosbesimi te bluzat e bardha e nxisin atë që ta lërë fëmijën në maternitet dhe të mos kujdeset për të. Sipas tij, në rast se fëmija ka problemet që i janë thënë nga mjekët, ai nuk mund të plotësojë as nevojat minimale të jetesës së tij.
Fatos, ju ka ardhur përgjigjja e ekspertizës për shkakun e vdekjes së Erjolës?
Jo, nuk kemi asgjë. Unë me aq sa kam mundësi jam interesuar, por më thanë se përgjigjja nuk ka dalë ende.
Ku keni pyetur?
Në Prokurori, ku tjetër?! Me ato pak mundësi që kam, jam nisur disa herë në drejtim të Korçës, por s’kam marrë ende asnjë përgjigje të saktë.
Ju jeni në pritje të këtij rezultati?
Po, si nuk jam?! Nuk po gjej qetësi. Më iku nusja dhe më la me dy fëmijë jetimë. Dua të di se si ndodhi, kush e pati fajin, dua drejtësi.
Mendoni se mjekët mund të kenë përgjegjësi?
Nuk e di, nuk dua të flas për këtë, por vdekja e Erjolës flet vetë. (nënqesh)
Si është gjendja juaj për momentin?
Shpirtërisht dhe financiarisht jam i shkatërruar. Ne jetonim të ndarë nga prindërit e mi, tashmë u jam bërë barrë, sepse pa gruan nuk mund të bëj asgjë.
Ju jeni në dijeni të gjendjes shëndetësore të djalit të porsalindur?
Nuk e di ç’të them, mjekëve nuk u zë besë. Fillimisht më thanë që djali u vendos në inkubator, pasi ishte i lodhur nga lindja, kurse më tej, sipas tyre 98% djali im ka probleme neurologjike. As vetë nuk e di ç’të besoj.
Tashmë foshnja ka dalë nga inkubatori. Ju pse nuk e merrni në shtëpi?
Ai është gjaku im dhe, nëse gëzon shëndet të plotë, unë shkoj ta marr që tani. Do të sakrifikoj 3-4 vjet, por do mundohem ta rris vetë. Nëse ka probleme siç thonë mjekët, le të kujdeset shteti për të. Unë nuk kam asnjë kusht për ta rritur dhe pa nënën e tij është e pamundur që t’i përgjigjem. Nuk do të mund t’i blija mjekimet apo gjëra të tjera, të cilat mund t’i nevojiten.
Berat, Gjykata: Rihetim për vdekjen në maternitet
BERAT – Gjykata e Beratit urdhëroi dje Prokurorinë e këtij rrethi të rifillojë hetimin për vdekjen e 34-vjeçares Marie Buçka në maternitet. Trupi gjykues u dha të drejtë familjarëve të së ndjerës, të cilët kishin kërkuar rrëzimin e vendimit për pushimin e procedimit penal. Prokuroria e kishte mbyllur dosjen, duke argumentuar se fakti nuk ekziston. Por Jani Buçka, bashkëshorti i Marie Buçkës, akuzon mjekët për pakujdesi, çka shkaktoi edhe vdekjen e së shoqes. Ai akuzoi Prokurorinë se po fsheh provat, duke hequr nga dosja e saj dhe eko-t e viktimës, që janë bërë gjatë muajve të shtatzënisë. Këto eko tregojnë sipas tij se e shoqja nuk ka pasur asnjë problem gjatë shtatzënisë, si dhe asnjë provokim për abort apo lindje të parakohshme, ashtu siç pretendojnë në kartelë mjekët e Beratit. Marie Buçka ndërroi jetë më 28 maj të vitit të kaluar, duke lënë jetim një fëmijë. Mjekët nuk arritën të shpëtonin as foshnjën që do të lindte 34- vjeçarja. Tashmë pritet që Prokuroria të fillojë nga e para hetimet. d.xh
KORÇE/ DHORJELA DEMKOLLI
© Panorama.al











