Vdekja në galeri, Prokuroria: Kishte defekt, minatori s’duhej të hynte

Jul 4, 2012 | 14:24
Zona D në Bulqizë, ku humbi jetën minatori

BULQIZE – I është dhënë lamtumira minatorit që humbi jetën tragjikisht në galerinë 41 në zonën D. Qindra banorë të fshatit Vajkal, minatorë të Bulqizës dhe të afërm, kanë përcjellë për në banesën e fundit Dilaver Koçin, jeta e të cilit u shua në minierën e kromit, duke e çuar numrin e viktimave të katër viteve të fundit në 28. Mes autoriteteve vendore që ngushëlluan familjen Koçi për humbjen e njeriut të tyre të dashur ishte dhe kryetarja e FRESSH-it, Elisa Spiropali, si dhe drejtuesit e subjekteve politike në këtë rreth. Ndërkaq mësohet se grupi hetimor i ngritur menjëherë pas ngjarjes së rëndë vijon me intensitet hetimet për zbardhjen e plotë të saj. Zyrtarë të Prokurorisë së Dibrës sqaruan se po synohet në plotësimin e dokumentacionit ligjor për të bindur Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Dibër se tre të arrestuarit, Ramazan Nesimi, administrator i firmës, Bardhyl Rama, kryeinxhinier i subjektit minerar dhe Sabah Hoxha, teknik përgjegjës, janë fajtorë për vdekjen e minatorit dhe se duhet të qëndrojnë në “burg pa afat”. “Ne mendojmë se hetimet janë në rrugë të mbarë dhe tre të arrestuarit nuk duhet të kishin lejuar minatorin Dilaver Koçi të hynte i vetëm në galeri, kur dihet se në rrugën kryesore kishte defekt dhe se ai duhej eliminuar me kujdes të veçantë. Grumbullimi i dokumenteve dhe marrja e shumë dëshmive do të na ndihmojnë për t’i thënë Gjykatës se në rastin konkret janë shkelur rregullat e sigurimit teknik në punë dhe se jeta e Koçit mund të ishte shpëtuar”, thanë burime pranë Prokurorisë Dibër. Edhe dje, oficerë të Policisë Gjyqësore kanë pyetur personat që kanë pasur lidhje me këtë sektor minerar, duke marrë të dhëna për kushtet e sigurisë në punë, dokumentacionin që lidhet me menaxhimin e galerisë së kromit, mënyrën e trajnimit të punonjësve, sigurimin e tyre etj. Nuk jepen shumë të dhëna për mediat, por Prokuroria pretendon se e ka zbardhur pjesërisht ngjarjen ku humbi jetën minatori 53-vjeçar.  h.p

Spiropali
Me tone të forta ka folur kryetarja e FRESSH-it, Elisa Spiropali, para një grupi të rinjsh që kanë protestuar, sipas tyre, kundër shfrytëzimit barbar të banorëve të Bulqizës nga subjektet e ndryshme minerare. “Të pezullohen ato miniera që nuk kanë leje minerare deri në plotësimin e dokumentacionit dhe plotësimin e kushteve. Në katër vjet, në këto miniera e stoqe kanë vdekur 28 minatorë, ndërkohë që Prokuroria nuk ka kërkuar ndëshkimin e ndokujt, pra nuk kemi asnjë të dënuar”, theksoi Spiropali.

© Panorama.al

Te lidhura