Vdekja e Zogut I, Topi ngushëllon familjen

Dec 2, 2011 | 14:55

Presidenti i Republikës, Bamir Topi i shoqëruar nga Zonja e Parë, Teuta Topi, kanë ngushëlluar sot Familjen Mbretërore për ndarjen nga jeta të Leka Zogu I.

Topi e vlerësoi figurën e Zogut I, si një prej figurave më të rëndësishme atdhetare e antikomuniste shqiptare, i cili me përkushtim dhe devotshmëri, ia kushtoi jetën përpjekjeve të vazhdueshme në të mirë të Shqipërisë dhe të shqiptarëve.

“Erdha të ngushëlloj nga afër Familjen Mbretërore për humbjen e Leka Zogu I. Sigurisht ndava me Princ Lekës dhimbjen, e cila nuk është vetëm e familjes, por e mbarë shoqërisë shqiptare që sot respekton një njeri, i cili ndonëse pati një jetë shumë të vështirë larg Shqipërisë, asnjëherë nuk iu shmang detyrimeve qytetare për të qenë një patriot dhe për të kontribuar për çështjen kombëtare.”- tha Topi.

Jeta bën të vetën tha presidenti Topi, duke i uruar Princit Leka që të t’i japë gëzim kësaj shtëpie, ta mbushë me trashëgimtarë dhe të jetë në vazhdim të traditës së paraardhësve të tij për të kontribuar për çështjen kombëtare.

Topi la edhe një shënim në Librin e Zisë të vendosur me këtë rast në mjediset e Oborrit Mbretëror.

© Panorama.al

Te lidhura