Vdekja e Skalfaros, Topi, mesazh Napolitanos

Jan 30, 2012 | 11:29
Presidenti Bamir Topi

TIRANË- Presidenti Bamir Topi, nëpërmjet një mesazhi dërguar Kreut të Shtetit italian, Xhorxho Napolitano shpreh ngushëllimet për ndarjen nga jeta të ish-presidentit të Republikës italiane, Oskar Luixhi Skalfaro.

“Në këto momente, ne ndajmë me ju jo vetëm dhimbjen e humbjes, por edhe vlerësimin tonë më të lartë për zotin Skalfaro, gjatë mandatit të tij si President, për përvojën e pasur e aktivitetin e tij të gjithanshëm politik, ndikimin historik që ai ka pasur në politikën italiane, si dhe për personalitetin e tij të veçantë në jetën shoqërore të Italisë”- shprehet Topi ne mesazhin e tij te ngushëllimit.

Sipas tij, Skalfaro, duke dalë në pah me aftësitë e tij politike dhe morale si burrë shteti në momentet më të vështira në Itali, ka lënë gjurmë të thella jo vetëm në vendin e tij, por edhe në jetën politike evropiane.  “Ai ka qenë dhe një mik i madh i shqiptarëve. Dëshiroj t’ju përsëris edhe një herë, zoti President, ngushëllimet e mia më të thella ndaj popullit mik italian si dhe familjarëve të tij për këtë humbje të pazëvendësueshme. I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!” – theksohet në mesazhin e ngushëllimit të Kreut të Shtetit shqiptar.

© Panorama.al

Te lidhura