TIRANË- Presidenti Bamir Topi i ka dërguar një mesazh ngushëllimi homologut të tij çek, Vaslav Klaus, për humbjen e ish-presidentit të parë postkomunist të Çekosllovakisë dhe më pas të Çekisë, Vaslav Havelit.
“Emri i shkrimtarit disident, aktivistit për të drejtat e njeriut, politikanit Havel do të mbetet jo vetëm në kujtesën e popullit çek, por edhe të historisë botërore si modeli i një lidershipi vizionar, të moderuar dhe të aftë të ndryshojë sisteme të ngurta, totalitare e të centralizuara përmes besimit tek demokracia dhe vlerat më të shenjta të lirisë, duke u kthyer kështu në një burim frymëzimi dhe referimi në ato vite tepër të rëndësishme të fundshekullit të XX”- thuhet në mesazhin e Topit.
Sipas tij, me një imazh të tillë, Vaslav Haveli do të kujtohet gjithnjë dhe nga shqiptarët, një popull, i cili ka dalë nga izolimi më i thellë dhe dramatik në Evropën Lindore, por që sot po ndërton dhe konsolidon demokracinë dhe aspiron integrimin në familjen e madhe evropiane.











