Vata: Mbrojtja problem, pësojmë shumë gola

Dec 12, 2011 | 14:16

Reparti i mbrojtjes te Vllaznia është cilësuar edhe si “thembra e Akilit” nga trajneri Rudi Vata. Pas 11 javësh kampionat, kuqeblutë kanë pësuar plot 20 gola. Në një prononcim për “Panorama Sport”, ai është shprehur: “Është e habitshme me sa lehtësi pësojmë gol. Kjo po na ndodh shumë shpesh. Jemi ndëshkuar nga një gol absurd në Kuçovë në takimin ndaj Tomorit, ku sulmuesi kundërshtar ka arritur të shënojë i rrethuar nga pesë futbollistë të mitë. E njëjta gjë ka ndodhur edhe në miqësoren me Besëlidhjen dhe gjithçka ndodh si pasojë e vendosjes gabim të futbollistëve të mi në momente të caktuara”. Në të tilla kushte, gjatë merkatos së janarit në repartin e tërhequr pritet të ketë largime. Përveç malazezëve Petroviç e Popoviç, sipas të gjitha gjasave, mund të ketë edhe ndonjë futbollist tjetër të këtij reparti. Duke parë ecurinë e deritanishme, Vllaznia pritet të jetë tepër aktive në merkaton e janarit, ndonëse nga sa ka thënë vetë trajneri, nuk do të ketë vend për futbollistë me paga të larta dhe për këtë arsye mësohet të ketë refuzuar edhe sulmuesin serb, Pero Pejiç.

© Panorama.al

Te lidhura