Vasili: Nuk do të rriten çmimet e ilaçeve

Jan 17, 2012 | 11:32
Ministri i Shendetesise, Petrit Vasili

Çmimet e barnave nuk do të rriten. Tregu është i liberalizuar dhe janë marrë të gjitha masat që pacientët shqiptarë të mos ndiejnë barrën e çmimeve të larta. Për ministrin e Shëndetësisë, Petrit Vasili, forcimin e tregut farmaceutik e dëshmon gama e gjerë e medikamenteve që gjenden sot në farmaci. Sipas tij, gjatë vitit që lamë pas, jo vetëm që pacientët nuk i blenë më shtrenjtë ilaçet, por një pjesë e çmimeve pësuan ulje. “Me gjithë hyrjen në fuqi të TVSH-së më 1 shkurt të vitit që shkoi, mesatarja e çmimeve në tregun farmaceutik nuk u rrit, përkundrazi, ka pasur produkte që kanë pasur ulje. Shqipëria ka aplikuar masa, që nuk janë aplikuar në asnjë vend në Ballkan dhe në Europën Juglindore, pikërisht për t’u ardhur në ndihmë pacientëve  duke e liberalizuar në mënyrë të jashtëzakonshme”,- tha dje ministri Vasili, gjatë analizës vjetore për vitin që lamë pas. Sipas tij, në vitin 2005 lista në vend përmbante rreth 1200 lloje medikamentesh, ndërsa në 2011-n numri i tyre arriti në 4200. Ministri Vasili tha se megjithëse u shtua 10-përqindëshi i TVSH-së për ilaçe, çmimet e tyre nuk u rritën. Sipas tij, ndonëse prej ditësh organizma të ndryshëm jopublikë po debatojnë për këtë çështje, tregu mbetet nën kontroll. ”Sigurojmë një kompeticion të hapur dhe të ndershëm, çmime gjithnjë dhe më të ulqta në treg”, tha ministri. Ai u ndal edhe në sistemin e referimit. Ai theksoi se së bashku me ndërgjegjësimin e vetë qytetarëve, reformat e ndërmarra kanë bërë që më shumë pacientë të siguruar të marrin shërbime falas në shtet. “Në spitalin qendror Nënë Tereza mbi 70 ë të shtruarve janë të siguruar, pra skema jonë e referimit e disiplinon sistemin, është një sistem, ndonëse në kohë të shkurtër, ka dhënë rezultate të mëdha”, tha Vasili. Për 2012-n, sfidë e Shëndetësisë do të jetë sensibilizimi i nënave për të ulur edhe më shumë vdekshmërinë foshnjore dhe amtare. “Gjatë 2011-s janë shënuar 10 vdekje foshnjash në 1 000 lindje të gjalla dhe 6 nëna në 100 000 të tilla. Në vitin 2007, treguesi i vdekshmërisë foshnjore ka qenë 14 vdekje për 1 000 lindje. Ne duam të përmbysim tërësisht këto raporte”, tha Vasili. Sipas tij, Shqipëria vazhdon të ruajë të njëjtin nivel të parametrave tepër të avancuar të shëndetit publik. Kemi një nivel vaksinimi dhe mbulim me vaksina nga më të lartët në Ballkan. Një vend i konsideruar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë si lider në këtë drejtim.

1200 lloje medikamentesh përmbante  në vitin 2005 lista e ilaçeve që qarkullojnë në tregun farmaceutik. Në 2011-n numri i tyre arriti në 4200

© Panorama.al

Te lidhura