Presidenti i Republikës, Bamir Topi gjatë qëndrimit të tij në Varshavë në kuadër të Samitit të 17-të Presidentëve të Shteteve të Evropës Qendrore u takua me presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga.
Topi shprehu bindjen se plotë se marrëdhëniet mes dy vendeve do të intensiofikohen dhe më tej, duke dhënë mbështetjen e plotë të shtetit shqiptar në të gjitha proceset e zhvillimit për Kosovën.
Në këtë drejtim, dy krerët e Shteteve theksuan rëndësinë e hartimit dhe realizimit të projekteve konkrete nëpërmjet nënshkrimit të marrëveshjeve të ndryshme të bashkëpunimit në fusha si infrastruktura, energjetika, drejtësia, turizmi, arsimi, etj,
Presidentja Jahjaga falenderoi kreun e Shtetit shqiptar për përpjekjet e tij të vazhdueshme institucionale, por dhe personale, për shtimin e njohjeve të shtetit të ri të Kosovës nga vende të tjera të botës.
Duke u ndalur në procesin e ri të bisedimeve për zgjidhjen e çështjeve teknike mes Kosovës dhe Serbisë, Jahjaga shprehu mirënjohjen për kontributin e shtetit shqiptar edhe në këtë drejtim, duke nënvizuar se “së bashku, përmes bashkëpunimit reciprok, do të vijojmë të punojmë për të përmbushur detyrimet për integrimin në Bashkimin Evropian”.
Presidentja e Kosovës pranoi ftesën e presidentit të Shqipërisë Topi për të vizituar Tiranën, vizitë e cila do të realizohet në një kohë të përshtatshme
© Panorama.al











