Varrimi i Eleonorës në tempull, familja i punon rreng policisë

Nov 18, 2011 | 9:00

Drejtuesja e ndjere e misionit "Eeleonore"

Jepet lamtumira për drejtuesen e sektit “Eleonorë”. Djali trashëgon sektin. Besimtarët presin ringjalljen

Një vendim i marrë nga familja që kur ka lexuar letrën që kishte shkruar e ndjera para vetëvrasjes, por që deri në çastin e fundit është lozur me vendin e varrimit, duke mashtruar policinë. Të informuar nga mediat për një varrim brenda sipërfaqes së fondacionit “Eleonorë”, me seli te “Komuna e Parisit” pranë Selitës, në Tiranë, forcat e rendit të veshur me rroba civile janë paraqitur aty gjatë paradites së djeshme. Ata kanë paralajmëruar familjen që të mos bëjnë një veprim të tillë, pasi sipas tyre, bie ndesh me ligjin e Bashkisë dhe rregullin urban që “për çdo person që ndërron jetë, varrimi kryhet në varrezat publike”.
Rrengu
Ndryshe nga ç’e prisnin, policia mbeti e çuditur. Në portën e madhe që hyn te misioni, ishte parkuar një makinë funerale, e cila po bëhej gati për t’u nisur drejt dy varrezave publike të Tiranës, por pa përcaktuar se në cilën prej tyre. Pas këtij episodi, disa pyetjeve ndaj rojës dhe disa të tjerave ndaj besimtarëve, policët civilë “u siguruan” se “shenjtorja” nuk do të varrosej në tempull, siç ishte përfolur. Policët qëndruan përballë fondacionit “Eleonorë” deri në mesditë dhe kur panë që makina funerale vijonte të qëndronte aty, në gatishmëri për të transportuar trupin e të ndjerës, atëherë u larguan të qetë. Pikërisht në këtë moment, filloi ceremonia brenda njërit prej tempujve, atij të lyer portokalli me të bardhë, ku ishte vendosur trupi i të ndjerës. Pas disa ritualeve, arkivoli u nxor prej tij dhe besimtarët morën drejtimin për nga makina funerale, por duke ndryshuar në fund destinacionin. Ata u kthyen djathtas, duke e futur arkivolin në tempullin e dytë, në atë ku, që larg mbi mure dallohet e stampuar figura e Eleonorës. Ky devijim u duk sikur u bë për të kryer një tjetër ritual, por derisa të gjithë njerëzit arritën të futeshin në tempull, “shenjtorja” ishte futur në varr. Më saktë, në gropën e sajuar dhe të çimentuar në themelet e një kolone në mes të tempullit. E gjithë ceremonia në tempullin e dytë nuk zgjati më shumë se 10 minuta, ndërsa edhe pas varrimit, makina funerale ndenji te porta e madhe, të paktën deri pas perëndimit të diellit. Mbase është edhe sot, të dalë një xhiro policia dhe “të sigurohet” sërish…
Sekti
Fillimisht u vetëdeklaruan se janë 170 mijë besimtarë të sektit me emrin “Eleonorë”. Më pas, 700 mijë. Dhe në një deklarim të fundit të vetë Eleonorës, ndjekësit e saj janë mbi 1 milion e gjysmë. Pavarësisht shifrave marramendëse, në ceremoninë e varrimit të saj nuk ishin më shumë se sa 300 persona. Ndryshe nga ç’ishte deklaruar e thashethemnuar këto dekada, asnjë personazh i njohur nuk u shfaq aty. Lamtumira për “shenjtoren” Eleonora Bregu nuk ka qenë ndryshe nga ato të njerëzve të zakonshëm. Lule, miq që e takuan për herë të fundit dhe fjalët ngushëlluese që thuhen në të tilla raste. Vetëm disa besimtarë, rreth 50 të tillë, mbanin një veshje të kaltër tipike dhe fjongo të zezë, ndërsa dikush, i cilësuar si “lideri”, i udhëhoqi me disa vargje. Sipas të gjitha informacioneve, ky lider është djali i së ndjerës, Roel Zhitomi, i cili nga nënkryetar misioni, këtej e tutje do ta drejtojë atë. Pra, do të jetë trashëgimtari i sektit të nënës së tij, Eleonorë, ndërsa dy motrat, Florinda dhe Edlira, do të vijojnë ashtu si më parë që të japin kontributin e tyre si anëtare. Zyrtarisht, “Misioni Eleonorë” nuk është i regjistruar si komunitet fetar, por si fondacion bamirësie.
Ringjallja
Pavarësisht numrit të pakët, besimtarët që asistuan dje në ceremoninë e varrimit ishin jo vetëm të bindur për “dhuntitë hyjnore të shenjtores Eleonorë”, por edhe prisnin ringjalljen e saj. Këtë e deklaronin vazhdimisht në bisedat me zë të ulët me njëri-tjetrin, ndërsa e lexuan zyrtarisht në një letër, pak minuta para varrimit. “Presim kthimin tënd shenjtorja Eleonorë”, thanë besimtarët në një zë, ndërsa pas tyre përsëriti instinktivisht fjalët edhe një vogëlushe, jo më shumë se sa 5 vjeçe, me kaçurrela ngjyrë gështenjë. Po kaq instinktivisht, ajo ndoqi nënën e saj drejt tempullit të dytë, ku u bë varrimi i Eleonorës dhe kërkoi që të hidhte si gjithë të tjerët, një grusht dhe… Ndërkaq, mbetet ende dilemë nëse Bashkia do të kërkojë zhvarrosjen e Eleonorës sipas ligjit dhe të dërgojë arkivolin në varrezat publike, apo do ta lejojë të prehet aty ku u varros dje.

Orkestër funebre për varrimin
Marshi funebër nuk ka pushuar që prej 48 orësh në fondacionin “Eleonorë”, duke e shpërndarë muzikën nëpër lagje me bokse gjigande. Sikur të mos mjaftonte kjo, për nderimet e fundit të “shenjtores” ishte prenotuar një bandë, kryesisht me trompa dhe daulle. Nën ritmet e tyre, rreth 50 femra dhe meshkuj, të veshur me vello të kaltër në të gjithë gjatësinë e trupit, kanë lexuar vargje për Eleonorën, duke i premtuar se do të presin kthimin e saj.

Nderohet me flamurin kuq e zi
leonora Bregu, femra e lindur më 8 prill 1953, në Ersekë dhe e vetëshpallur “shenjtore” që nga viti 1987, është varrosur dje me flamurin kuq e zi. Jo një, por disa. Ata kanë qenë të dubluar me një tjetër flamur, atë të kaltër me fytyrën e Eleonorës, që është edhe flamuri dallues i sektit. Nuk dihet nëse flamuri kombëtar ishte i përfshirë në amanetin e saj, apo ishte një ide e familjarëve, megjithatë ai ishte i vendosur në disa ambiente të Fondacionit.

© Panorama.al

Te lidhura