Vapa përvëluese shton virozat, 2 833 të prekur për një javë

Aug 7, 2012 | 12:22

Virozat dhe helmimet nga ushqimet janë rritur ndjeshëm gjatë kësaj jave. Sipas ISHP-së, ka një shtim të rasteve në masën 6 për qind. Nga raportimet e spitaleve publike në mbarë vendin rezulton se kanë marrë ndihmë të specializuar 2833 pacientë. Vetëm në Pediatrinë e Tiranës shtrohen në urgjencë gati 300 fëmijë në 24 orë. Të vegjëlve u bëhet serum, u jepet qetësues dhe në fund receta. Nëse gjendja mbetet e njëjtë, ata shtrohen në spital. Sipas specialistëve të ISHP-së, në mesin e gushtit pritet të shënohet dhe piku i të prekurve nga virozat.

Problem mbetet edhe shërbimi i kardiologjisë, ku sidomos gjatë këtyre ditëve të të nxehtit afrikan numri i të shtruarve është rritur ndjeshëm. Janë rreth 50 pacientë në ditë, kryesisht të moshuar, që paraqiten në spital. Mjekët këshillojnë shmangien e daljeve në diell dhe reduktim të dozave të ilaçeve. Sipas buletinit javor në ISHP-së, që u referohet raportimeve nga drejtoritë e shëndetit publik dhe spitalet publike në rrethe, numri i infeksioneve respiratore ka qenë më i lartë, rreth 5600 të prekur.

Përveç mungesës së ajrit si pasojë e vapës, shkak mbetet smogu në Tiranë, si pasojë e ndotjes së ajrit. Në ditët në vijim duket se raportimet për problemet shëndetësore do të vijnë më tepër nga rrethet e zonat turistike, pasi kryeqyteti është përgjithësisht i zbrazur.  

© Panorama.al

Te lidhura