
Ish-kreu i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, Valer Xheka, është shpallur në kërkim ndërkombëtar, ndërsa pronat e tij në Tiranë janë bllokuar. Njësia Task-Force në Prokurorinë e Tiranës, së bashku me policinë, kanë bllokuar dje prona të paluajtshme dhe llogari bankare në emër të Valer Xhekës, i cili akuzohet se i ka përfituar ato në mënyrë të paligjshme. Në kuadër të operacionit të koduar me emrin “Sindikalisti”, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit njoftoi dje se u krye sekuestrimi i tri llogarive bankare në emër të 61-vjeçarit Valer Xheka. Atij i janë ngrirë llogaritë në shumat 278 823 dollarë, 98 045 euro dhe 400 000 lekë. Llogaritë bankare janë fitimet e ardhura nga dhënia me qira e pronave të përvetësuara padrejtësisht. Gjatë aksionit, policia tha se u sekuestruan edhe tri ndërtesa me sipërfaqe 1800 metra katrorë dhe një truall 6909 metra katrorë te “Kodra e Priftit” në Tiranë. Burime nga Policia thanë se konfiskimi është kryer në zbatim të urdhrit të Prokurorisë një javë më parë, pasi ishin siguruar informacione se një pjesë e parave do të tërhiqeshin nga llogaria bankare. Nga hetimet e kryera gjatë këtij viti, pas një procedimi penal të nisur nga prokuroria, me akuzën “pastrim i produkteve të veprës penale”, ndaj Valer Xhekës, janë zbardhur edhe shkeljet që dyshohen të jetë kryer nga ish-sindikalisti me pronat e këtij organizmi. Sipas burimeve zyrtare të Policisë së Shtetit dyshohet se Valer Xheka, gjatë kohës që drejtonte BSPSH- në, nëpërmjet “shpërdorimit të detyrës”, “mashtrimit” dhe “falsifikimit të dokumenteve”, ka përvetësuar në mënyrë të kundërligjshme godinën e shtypshkronjën “11 Shkurti”. Ajo përbëhet nga tri ndërtesa, njëkatëshe, dykatëshe dhe një trekatëshe me sipërfaqe 1800 metra katrorë. Në listën e pronave të përfituara në mënyrë të paligjshme është gjithashtu edhe sipërfaqja e truallit 6909 metra katrorë te “Kodra e Priftit”. SEKUESTRIMI Në ngarkim të ish-kreut të Sindikatave të Pavarura, Valer Xheka, në Prokurorinë e Tiranës është bërë kallëzim penal kohë më parë. Sipas padisë, Xheka kishte manovruar me pasuritë e Sindikatave duke bërë veprime me të cilat i ka hedhur ato në emrin e tij. Dokumentet e falsifikuara i përkisnin periudhës nga viti 1996 deri në vitin 2000 dhe sipas ligjit, meqenëse kanë kaluar më shumë se 10 vjet nga konstatimi i shkeljes, vepra penale e “falsifikimit të dokumenteve” parashkruhet. Por, megjithatë, pasuria e krijuar nga kjo vepër penale nuk i shpëton konfiskimit, edhe pse vepra ishte parashkruar. Në këtë mënyrë, prokuroria regjistroi procedimin penal nr. 2124, i vitit 2011 për veprën penale “pastrim i produkteve të veprës penale”, parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal. Gjatë hetimeve të kryera në kuadër të këtij procedimi penal rezultoi që Valer Xheka kishte përvetësuar mënyrë të kundërligjshme ishshtypshkronjën “11 Shkurti”, të ndarë në tri ndërtesa, me një sipërfaqe 1800 metra katrorë. Këto prona aktualisht administroheshin nga vjehrri i Valer Xhekës, i regjistruar si anëtar i Sindikatës së Pavarur, të cilit ia kishte kaluar në pronësi dhe ishin kthyer në biznese që jepeshin me qira. Paratë që përfitoheshin nga qiraja derdheshin në llogaritë bankare, që dje u sekuestruan nga policia. Pavarësisht se këto prona administroheshin nga vjehrri, rezulton që të jenë sërish në pronësi të Valer Xhekës, pasi i ishin dhuruar dhe madje ishte pajisur edhe me certifikatë pronësie.
Valer Xheka në kërkim, me azil politik në Francë
TIRANE – Prokuroria e Tiranës, e cila është duke kryer hetime në lidhje me abuzimet e kryera me pronat e Sindikatave, ka shpallur në kërkim Valer Xhekën dhe i ka kërkuar policisë informacion për vendndodhjen e tij. Pas mbledhjes së të dhënave nga policia është mësuar se personi i akuzuar për pastrim të produkteve të veprës penale ndodhet me azil politik në Francë. Pasi ka shfrytëzuar për disa vjet të qenit në krye të Bashkimit të Sindikatave për të përvetësuar pronat e tyre, Valer Xheka e ka përdorur pikërisht një detyrë të tillë për të kërkuar azil politik në Francë. Ai mësohet se është vendosur në këtë vend prej disa vitesh, ndërsa nuk është e qartë nëse statusi që ai ka në Francë do ta pengojë urdhër arrestin e lëshuar nga Drejtësia shqiptare. Sipas të dhënave të grumbulluara nga hetuesit, Valer Xheka në Shqipëri ka vetëm gruan e tij, me të cilën është marrë kontakt, por ajo nuk ka dhënë ndonjë ndihmëse për procesin e hetimit. Shpallja në kërkim e Valer Xhekës është bërë nga prokuroria me akuzën e pastrimit të produkteve të veprës penale. Konkretisht ai akuzohet se ka kryer falsifikim dokumentesh duke përfituar pronat e sindikatave dhe më pas i ka shfrytëzuar ato për ti dhënë me qira duke arritur përfitime financiare të cilat i ka depozituar në bankë. Këto përfitime u bllokuan dje nga prokuroria.
Krimet e Rënda bllokojnë një hotel, një restorant e 7 llogari bankare
TIRANE – Në bazë të ligjit “Antimafia” Gjykata për Krimet e Rënda ka shpallur tri vendime gjyqësore gjatë muajit nëntor për konfiskimin e disa pasurive të konsiderueshme, godina, truall dhe llogari bankare. Zëdhënësja e Gjykatës për Krimet e Rënda, Lavdie Hysaj, bëri të ditur dje vendimet e shpallura nga trupa gjykuese të kryesuara nga gjyqtari Gurali Brahimllari, si edhe pasuritë e konfiskuara. Bëhet fjalë për pasuri për të cilat gjykata ka vlerësuar se kanë ardhur nga veprimtari të jashtëligjshme të zotëruesve të tyre. Kështu, gjatë muajit që u mbyll dje, Shkalla e Parë e Krimeve vendosi konfiskimin e një hoteli në plazhin e Durrësit, pronë e shtetasit Alket Hatija, i dënuar për akuzën e trafikut të drogës. Bëhet fjalë për një bar-restorant-hotel me 5+1/2 kate, me një sipërfaqe totale ndërtimi të konfiskuar 2296 metra katrorë. Mësohet se objekti i konfiskuar është në gjendje pune dhe është konfiskuar së bashku me të gjitha pajisjet dhe aksesorët që ndodhej në mjediset e konfiskuara. Në vendimin e saj gjykata ka lanë të paprekur vetëm pjesën e pasurisë “bodrum-disko” në katin e nëndheshëm të godinës, i cili është përjashtuar nga konfiskimi. Po sipas njoftimit zyrtar të gjykatës, u bë e ditur konfiskimi i një shifre prej afro 185 mijë euro dhe afro 31 milionë lekë, pasuri e shtetasve Ymer dhe Adem Dakoli, pasi ka rezultuar e pajustifikueshme përfitimi ligjor i saj. Njëkohësisht, për këta dy shtetas Krimet e Rënda kanë vendosur edhe konfiskimin e një ndërtese trekatëshe barrestorant, si edhe të një sipërfaqeje toke prej gati 2764 metra katrorë në fshatin Harizaj. Gjykata vendosi kthimin e pasurisë prej 231 811 lekësh shtetasit Ymer Dakoli. Një tjetër vendim konfiskimi i Krimeve të rënda ka qenë ai i një automjeti tip “DAIMLER CHRYSLER” ndaj personit të tretë Emin G.
ETLEVA DELIA
© Panorama.al











