TIRANE – Një vajzë 13-vjeçare, nxënëse e klasës së tetë tek “Shkolla e Kuqe” në Tiranë, është “zhdukur” mëngjesin e së hënës duke alarmuar familjen e saj dhe Policinë. “Zhdukja” ka zgjatur vetëm 24 orë, pasi vajza është kthyer në banesë sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Ngjarja është denoncuar në polici nga i ati i vajzës, shtetasi Arjan Gj., i cili ka bërë kallëzim në Komisariatin Nr.4 të Policisë së Tiranës. Në lajmërimin e bërë në polici, babai i vajzës shprehej se rreth orës 11:00, në rrugën “Qemal Stafa”, tek “Shkolla e Kuqe”, i kanë marrë vajzën, Kreisi Gj. Babai i vajzës pretendonte se adoleshenten e kishin rrëmbyer. Ai është drejtuar në Polici, pasi ka pritur për disa orë që t’i kthehej vajza në shtëpi duke llogaritur se ajo duhej të kishte mbaruar mësimin. Më pas ka shkuar të interesohet në shkollë, ku ka marrë vesh që vajza ka qenë në mësim vetëm dy orët e para, më pas nuk është parë më. Duke dyshuar se vajzën e tij mund ta kishin rrëmbyer për qëllime përfitimi, ai ka vënë në alarm shkollën dhe menjëherë ka kërkuar ndihmën e Policisë. Duke parë shqetësimin e të atit të vajzës së mitur, efektivat e policisë së Komisariatit Nr.4 kanë marrë kallëzimin e tij, por hetimet i kanë kaluar seksionit të Krimeve Kundër Jetës dhe Shëndetit, pasi i ati ishte i bindur që vajza e tij ishte rrëmbyer. Por pasi kanë kaluar më shumë se 24 orë nga ngjarja, pasditen e djeshme, Kreisi Gj. ka trokitur në derën e shtëpisë së saj, sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Ajo u ka thënë familjarëve që ishte në shtëpinë e një shoqes së saj, por kishte harruar t’i lajmëronte se nuk do të kthehej në shtëpi. Më pas, i ati është paraqitur në polici, ku ka tërhequr kallëzimin që kishte bërë, duke deklaruar se vajza e tij është kthyer në banesë pa probleme. Burime nga Policia thanë se raste të ngjashme denoncohen shpesh nga prindërit, për një grupmoshë nga 13 deri 18 vjeç, të cilat më pas rezulton të jenë larguar me dëshirë, kryesisht me të dashurit e tyre. Sipas Policisë, edhe rasti më i fundit rezultoi të ishte i tillë, ndryshe nga çfarë pretendonte i ati i vajzës së mitur. “Zhdukja” e përkohshme me dëshirë e vajzave në moshën e adoleshencës është kthyer në një fenomen shqetësues për Policinë, pasi në mbi 80 për qind të rasteve paditë për rrëmbim rezultojnë të rreme meqë vajzat kanë shkuar me dëshirë tek të njohurit apo partnerët e tyre.











