Vajza e Ish-presidentit Meidani, Adea

May 29, 2011 | 13:07

Rrëfehet për herë të parë vajza e ish-Presidentit të Republikës, Rexhep Meidani. Karriera profesionale në Paris, kujtimet e jetës së kufizuar protokollare, nostalgjia për fëmijërinë, marrëdhënia me prindërit dhe vëllain, debulesa për të atin dhe dy historitë e rëndësishme të dashurisë…Ajo nuk është një vajzë si gjithë të tjerat. Shumëkush e njeh si të bijën e profesorit të nderuar Rexhep Meidani. Të tjerë e identifikojnë nën petkun e vajzës së ish-Presidentit të Republikës apo si të bijën e Lidrës, drejtoreshës strikte të gjimnazit “Ismail Qemali”. Por, për ata që e njohin Adea Meidanin, merita e arritjeve profesionale, e vlerësimeve në karrierë dhe gjithë zhvillimeve që kanë cekur jetën e saj, janë tek e fundit fryt i punës individuale. Adea kishte brumin intelektual, gjenezën e kualifikuar familjare, por kaq nuk i mjaftoi. Vullneti dhe dëshira për të kapur majat bëri që emri i saj sot të lakohet si një ndër avokatet më me emër në lëmin e fiskalitetit ndërkombëtar, pikërisht në zemër të Parisit, pa lënë mënjanë edhe eksperiencën pedagogjike në Universitetin e famshëm të Sorbonës përreth tre vjet. I kemi “rrëmbyer” pak orë të lira nga gjithë angazhimet në të cilat është përfshirë, për ta pleksur pa vetëdije në një botë sa nostalgjike, aq edhe reale. Adea Meidani ngjan se është një vajzë me këmbë në tokë. Kështu, ka ditur gjithnjë të jetë, për sa kohë që vela e anijes së saj ka gjetur kaherë drejtimin e dëshiruar… Deri më tash nuk e ka tradhtuar askush, e ca më pak “Adea”. Për herë të parë, avokatja me sharm parisien rrëfen shumëçka mbi historinë e jetës së saj, mbi lidhjen e ngushtë me të atin, mbi marrëdhënien me të ëmën e deri tek ato “fluturat” në stomak që i kanë trazuar gjendjen emocionale. Herë është ndier e dashuruar, herë ka humbur një të tillë… Rëndësi për të ka të mësuarit nga gabimet e së kaluarës e ky duket të jetë një mësim njëlloj i qartë si ato leksionet e drejtësisë së kultivuara në auditorët francezë. Ndonjëherë, e gjithë jeta e një njeriu është e ngjashme me një fushë shahu… rëndësi ka lëvizja me zgjuarsi e gurëve. Për Adea Meidanin, ky është vetëm një nga mësimet që i ka rrëmbyer jetës e, që ajo nuk e ka aspak të zorshme ta rrëfejë. Por, jo vetëm. Në këtë intervistë, vajza e ish-Presidentit të Republikës na ka hapur zemrën për shumë detaje të tjera interesante, ndofta të padëgjuara më parë. Sepse në thelb, ajo mbetet thjesht Adea.
Adea, ju keni jetuar dy vjet në Londër, ndërsa prej 11 vitesh jetoni në Paris. Si është një ditë e zakonshme juaja?
Në të dy shtetet kam punuar si avokate e specializuar për taksat internacionale. E ardhur nga një familje me prirje në shkencat ekzakte, më pëlqenin shifrat, por në të njëjtën kohë dëshiroja të bëja diçka ndryshe nga prindërit. Kështu që m’u duk se në fushën e drejtësisë ajo e taksave ishte disi më ekzakte… Një ditë e zakonshme imja? Kur çohem në mëngjes dhe kaloj pranë katedrales se “Notre-Dame”, i them vetes që jetoj vërtet në qytetin më të bukur e madhështor të Europës. Veçse kur marr metronë nëntokë, jam më pak e kënaqur që jetoj në Paris (qesh). Puna më merr mjaft orë të ditës, megjithatë më pëlqen shumë. Çdo ditë është në vetvete një sfidë për mua. Klientët janë tepër interesantë dhe “glamour”. Midis tyre ndeshen “profile” aktorësh të famshëm, drejtues ekzekutivë të markave të mëdha të modës, por dhe shoqëritë e mëdha të CAC 40 (të listuara në Bursën e Parisit). Fiskaliteti internacional është një “lojë” permanente. Çdo ditë me detyron të përballem me rregullat dhe legjislacionet e disa shteteve. Ideja është të gjesh një rrugëzgjidhje ligjore apo të ashtuquajturin optimizëm (në kundërshtim me evazionin fiskal) që i mundëson klientit të paguajë më pak taksa. “Manovrat” janë shumë më të mëdha kur aktiviteti i shoqërisë ose pronat e pasuria e individit ndodhen në disa shtete. Në këtë rast, çështjet janë shumë më komplekse dhe punojmë shpesh në tri gjuhë (frëngjisht, anglisht, italisht). Darkave kaloj kohë me miqtë që vijnë nga fusha shumë të ndryshme (bankier, avokat, agjent në fushën e kinemasë dhe të modës, fotograf e një prej tyre është edhe mikja ime fotografja me famë botërore, Linda Bujoli etj). Bëj gjithashtu yoga një apo dy herë në javë, sport që e zbulova para tri vjetësh në Londër.
E vështirë të bësh karrierë në një vend të huaj?
Parisienët janë të vështirë profesionalisht. Ekziston një “nocion sakrifikimi” në punë… Gjithmonë i kam krahasuar me japonezët në këtë aspekt (qesh). Por, kjo është e vërtetë vetëm për kryeqytetin. Kam vënë re se sa më shumë zbret në jug, aq më shumë fiton në “kualitet” jete. Nuk ka qenë e lehtë të arrijë këtu ku jam, madje s’do të jetë e lehtë të arrij atë që synoj. Megjithatë, them se kam shumë fat që punoj në firmën numër një në fiskalitet dhe të jem pjesë e ekipit me te madh në Francë në fushën time.
E keni menduar rikthimin në Shqipëri dhe angazhimin profesional këtu?
Do të kisha shumë qejf që të bëja diçka për Shqipërinë dhe e di që kjo do të ndodhë. Pres vetëm rastin dhe momentin e duhur.
Cili është opinioni juaj për zhvillimet në Shqipëri, parë kjo nga kilometra të tërë largësi që ju ndajnë dhe a vëreni hapa konkretë drejt rrugës së përparimit?
Nuk më duket se Shqipëria po bën ata hapa të mëdhenj përpara siç do të uroja unë për vendin tim të vogël. Mendoj që pas më shumë se 20 vjet nga rënia e komunizmit, demokracia duhet të ishte shumë më e zhvilluar, qeverisja në përgjithësi shumë më demokratike, politika shumë më njerëzore e tolerante, vendi shumë më i stabilizuar… Më duket se mungon ende përgjegjësia qytetare ose, siç do e quaja, “responsabilizimi” i klasës politike. Jam më se e habitur që Gërdeci, korrupsioni apo vrasja e manifestuesve nuk po gjejnë akoma ndëshkimin e duhur legal, të paktën qoftë dhe atë politik. Babai më thotë gjithnjë që gjithë vendet në zhvillim apo tranzicion janë të detyruara të kalojnë nëpër disa faza evolucioni. Pikërisht aty është roli pozitiv i politikës dhe i lidershipit politik që ndikon që ky evolucion të bëhet pak ose shumë shpejt. Por, siç thonë, mbase i duhet dhënë kohë vetë kohës.
Megjithatë, ka diçka që ju mungon nga Tirana?
Kam jetuar në Tiranë gjithë fëmijërinë dhe adoleshencën time, ndërsa në Francë kam kaluar rininë. Megjithatë, në Francë kam pjesën më të madhe të shoqërinë sime. Francezët, pasi i fut njëherë në rrethin e ngushtë të miqësisë, bëhen shokë përjetë dhe tepër solidarë. Në të vërtetë, nuk më kanë ngelur shumë gjëra në Tiranë përveç familjes sime, por vij gjithnjë me mjaft qejf. Për më tepër, sjell me vete gjithnjë një pjesë të shoqërisë për të parë sa e bukur është Shqipëria, pse jo dhe për ta ndier mikpritjen e bujarinë shqiptare.
Tani që jetoni vetëm, a ndieni se ju mungon ai mëngjesi shtëpiak, përkujdesja familjare, vaktet e konsumuara me gjithë pjesëtarët e familjes?
Më mungojnë shumë dhe do doja t’i shihja familjarët e t’i shijoja sa më shpesh vaktet me ta. Por, jam në një hezitim permanent midis kureshtjes e zbulimit të një vendi apo kthimit në mëmëdhe për t’i parë. Ata e kanë kuptuar që kam dëshirë të udhëtoj (si p.sh. në Afrikë këtë vit) dhe po vijnë pak më shpesh tani. Unë jam e kënaqur që t’u tregoj atyre jetesën time në Paris. Por, dhe për të shijuar së bashku bukuritë e Parisit, ndonjë shfaqje ose ekspozitë, pse jo dhe kafenetë e restorantet në prani të shoqërisë sime.
Po të qenit vajza e një ish-Presidenti të Republikës së Shqipërisë, si të ka bërë të ndihesh gjatë periudhës kur ende studionit? Në situatat kur të është dashur të prezantosh veten, pse jo edhe si vajza e një personaliteti politik, sa të ka përkëdhelur sedrën ky fakt?
Për sa i përket pozicionit të babait, pak veta rreth meje e dinin kush ishte ai, deri ditën kur babi nuk ishte më president. Por, për të thënë të vërtetën, si më parë kur punonte në universitete apo më vonë, si President apo ish-President, ai më ka bërë të njoh njerëz mjaft interesantë, në takime, festa e darka miqësore. Midis tyre, mund të veçoj profesorë të universiteteve të huaj, politikanë të shquar, si kryeministri Jospen dhe presidenti Havel, shumë figura të tjera politike e artistike (si p.sh. Ana Oksa, Ibrahim Kodra) apo profile të rralla publike e humaniste (si Diego Hidalgo). Kjo ka qenë dhe është një përvojë e pasuri e madhe për mua.
Adea, si ishte jeta për ju brenda Pallatit të Brigadave…? Ato mëngjeset apo vaktet tipike presidenciale, kuzhinierët e punonjësit e shtëpisë që bënin gjithçka gati për familjen tuaj, si ju bënte të ndiheshit e gjithë kjo?
Më bënte të ndihesha për pak kohë si e “përkëdhelur”. Veçse, unë kam jetuar në Paris që nga 1999. Pra, në atë kohë, kam përjetuar një “trajtim” të dyfishtë në jetë: në Tiranë, ku çdo gjë ishte gati dhe në Paris, ku nuk kisha as ndihmën më të pakët nga familja. Megjithatë, në fillim kam pasur shansin që njerëz të afërt të familjes jetonin në Paris dhe ata më kanë ndihmuar jo pak muajt e parë. Edhe për vëllain, Denin, ka qenë po e njëjta gjë, veçse ai ndante kohën midis Shqipërisë dhe Amerikës. Vila 4 ku jetonim, që gjendej në “shtetrrethimin” e Pallatit të Brigadave (qesh), ishte gati-gati e zakonshme, në krahasim me ato që po ndërtoheshin jashtë murit rrethues të parkut në Pallatin e Brigadave. Ajo ishte e izoluar nga çdo gjë tjetër dhe gjithnjë duhej makinë për të “zbritur” në qytet. Por, nga ana tjetër, më pëlqente kur rrija në verandë, madje ishte shumë e këndshme një pirje kafe apo ngrënia e ndonjë vakti në kopsht. Kur rrinim në verandë, më i lumturi nga të gjithë dukej qeni (UFO), që luante e vraponte pa pushim rreth nesh. Njerëzit që ishin në shërbim në vilë nuk i shohim dhe aq shpesh. Qëllon që të ndeshemi me ta nëpër Tiranë apo në ndonjë rast të veçantë. Ata ishin gjithnjë të gatshëm, shumë të dashur dhe të kujdesshëm me mua dhe Denin…
Po ndonjë episod të këndshëm gjatë pritjeve zyrtare, të cilin ju e kujtoni me nostalgji?
Pritja në Pallatin e Brigadave për 28 dhe 29 Nëntorin. Ajo ishte një pritje madhështore, ku unë vishja fustanin më të bukur dhe më të gjatë. Në fakt, preferoja më shumë vizitat apo dreka-darkat familjare e shoqërore në Durrës (te vila presidenciale ose ajo e Julien Roche), në Dhërmi ose Sarandë me ambasadorë të ndryshëm të ftuar. Për mua pritje të tilla ishin shumë më miqësore e intime. Kam qenë dhe mbetem e impresionuar nga kultura, njohuritë dhe sofistikimi i trupit diplomatik. Ambasadori francez i asaj kohe (Patrick Christman) fliste më shumë se 10 gjuhë. Një ditë ai më pyeti për emrin në shqip të gonxhes së trëndafilit… aq nivel të lartë të shqipes kishte arritur. Një pritje e cila më ka pëlqyer shumë dhe që kam insistuar që ajo të bëhej ishte ditëlindja e babait. Më duket në vitin 1999. Ajo u bë në kopshtin pranë vilës, veçse një festë të tillë ne e organizuam vetëm një herë. Ç’është e vërteta, i shijoja mjaft festa të tilla, tip “garden party” apo kokteje ambasadorësh. Babai nuk kishte dëshirë të merrte fëmijët në vizita jashtë shtetit. I thosha ndonjëherë me shaka po shih Klintonin dhe gocën (qesh). Megjithatë, një herë zëvendësova mamanë në një vizitë në Selanik. Aty, krahas aktiviteteve protokollare, mora pjesë dhe në ceremoninë që ishte përgatitur për babain për t’i dhënë titullin doktor “Honoris Causa” nga Universiteti i Selanikut. Duke qenë në Paris, kam arritur në ndonjë rast në fundjavë, që të “gjeja” babanë dhe mamanë në vizitat nëpër Europë, sidomos takimet e Frankofonisë. Këtë e kam bërë dhe e bëj edhe tani, kur babai, si ish-President, bën aktivitete të ndryshme të organizuara nga Klubi i Madridit apo institucione të tjera, ku është i angazhuar. Disa vjet më parë, i bëra surprizë dhe vajta në Madrid, për të marrë pjesë në promovimin e librit të tij të përkthyer në gjuhën spanjolle…
Asokohe, a kishte një kod protokollar veshjeje të cilin në një formë apo tjetër ishit e detyruar ta zbatonit apo t’i përmbaheshit? Si i përjetonit kësi “kufizimesh” për hir të postit të babait dhe a kishte doza rebelimi në këtë mes?
Jo, asnjë kod vërtet protokollar, por natyrisht bëja kujdes kur isha me prindërit. Ndonjëherë, mamaja më tërhiqte vëmendjen kur vishesha shume ekstravagante. Megjithatë, ajo ka qenë shumë liberale me mua, por i pëlqente stili im, pse jo dhe shija ime. Një herë më ka kapur duke ikur shkallëve, duke qeshur me të madhe, sepse kisha vënë një “shapka” prej gëzofi që kisha blerë në Angli, për të ikur në opera. Edhe sot më kujtohet dhe qesh me vete.
Një nga episodet e vërteta që mbani mend si “përplasjen” më të fortë të mendimeve, dëshirave apo mosbindjes mes jush dhe prindërve tuaj?
Me mamanë kam pasur aty-këtu edhe ndonjë “konflikt”, sepse kisha përshtypjen që ajo gjithnjë kritikonte njerëzit që më rrethonin. Besoj se vinte më tepër nga një përkujdesje prindërore, duke shtuar faktin që unë duhet të bëja më shumë kujdes se adoleshentët e tjerë. Nuk ishte se e mendonte vërtet atë që më thoshte, aq më tepër që sot ajo i pëlqen ata njerëz. Nga ana tjetër, në shoqëri, unë kam qenë gjithnjë shumë e sinqertë e shumë tolerante. Prandaj dhe më qëllonte ndonjëherë të dilja në mbrojtje të disa sjelljeve ose njerëzve që, në fakt, më  vonë jeta ka treguar se nuk e meritonin “mbrojtjen” time…
Jeta protokollare si vajza e një Presidenti, prania e truprojave, e një stafi që mbase “kontrollon” jetën e gjithë familjes së Kreut të Shtetit, sa ju ka kufizuar në gjërat tuaja dhe sot si i shikoni këto situata?
Në fakt, ka qenë njëfarë kufizimi gjatë adoleshencës, sepse është koha kur prindërit përpiqen të shmangin tendencat që ka një adoleshent për të bërë budallallëqe. Unë kisha dhe një kufizim suplementar, sepse ato dinin nga shoferi dhe truproja gjithë itinerarin e ditës apo njerëzit që frekuentoja. Babai ishte mjaft i zënë (në mënyrë të veçantë gjatë krizës së Kosovës), pra ai ishte në një “planet” tjetër, ndërsa mamaja ishte gati në rolin e “xhandarit”… (qesh) Por, më vonë e duke menduar më gjatë, them që në fund të fundit, më lanë të bëja modelen, nuk më krijuan asnjë pengesë në plotësimin e dëshirave e hobeve të ndryshme. Kufizim kisha në vajtjet nëpër kafene apo shëtitjet orar e pa orar. Nuk është aq keq apo jo?!
Statusi prind-fëmijë është shpeshherë një raport delikat. Nevoja apo dëshira për t’i konsideruar prindërit si shokë dhe e anasjella, jo gjithmonë është e vërtetë. Si ka qenë kjo gjendje në modelin tuaj familjar? Ka tentuar njëra apo tjetra palë që të zërë vendin e mandej të molepsen lloj-lloj raportesh? Si erdhi shkëputja juaj nga familja? Vështirësitë e para dhe përshtatja…
Shkëputja ka qenë e vështirë, por me mamanë flas për ditë. Jam e kënaqur, sepse kështu marr informacion për gjithë familjen, pa harruar dhe Ufon (qenin gati 13-vjeçar). Shkurt, mamaja, është “link”-u familjar për të gjithë ne. Ideja nuk është që prindërit të jenë në dijeni të gjithçkaje, por që të jetojmë me gëzimet dhe problemet e njëri-tjetrit, të ndajmë vështirësitë apo t’i marrim mendim njëri-tjetrit, por pa harruar autoritetin e tyre si prindër. Do të kisha shumë dëshirë që të arrija të krijoja edhe unë një familje të përsosur si ajo që ata më ofrojnë sot. Aq më tepër që na lidh një dashuri shumë e fortë dhe e pakushtëzuar. Në Francë njoh njerëz që pyesin veten nëse prindërit e tyre i duan apo jo. Gjithmonë më ka çuditur ky fakt. Kurse unë them: do të ishte mirë të më donin më pak (qesh). Po ashtu, kam një lidhje shumë të ngushtë me gjyshen, por dhe me gjyshin nga ana e mamasë, që tashmë ka vdekur, por që është marrë me mua, sidomos gjatë 8-vjeçares. Kurse nga prindërit e babait kam arritur të njoh vetëm gjyshen në fëmijërinë time të hershme. Kam shumë dëshirë që fëmijët e mi të jenë gjithashtu shumë të afërt me prindërit e mi, sepse gjyshërit japin një “ëmbëlsi” e “butësi” që prindërit nuk arrijnë ta japin në ca momente gjatë adoleshencës.
Po marrëdhënia me vëllain si është?
Flasim me BBM (BlackBerry Messenger) gjithë ditën, por nuk shihemi shpesh. Deni vjen rrallë në Paris, me gjithë lutjet e mia. Disa muaj më parë, për t’u çmallur, qëndruam së bashku disa ditë në Milano (aty, ai po kryen në distancë një MBA) dhe janë vërtet momente të privilegjuara, po ndonjëherë edhe zihemi (qesh).
Adea, cilat janë ato kujtime gati të kulluara të fëmijërisë, kur ndodhte që prindërit ju dërgonin në kopsht, kur ju merrnin prej andej… Ajo vajza me “çelës në qafë”, a ka vend në fëmijërinë tuaj?
Rituali i vajtje-ardhjes në kopsht dhe në shkollën 8-vjeçare kryhej nga gjyshi. Ai, në atë kohë, duke u marrë me mua, “rinohej”. Madje, ai ngjante aq i ri, sa të gjithë kujtonin se ishte babai im (qesh). Thuhet se kam qenë shumë e urtë dhe e qetë gjatë asaj kohe, megjithëse për këtë mund të përgjigjet më mirë gjyshja. Duke jetuar një pjesë të madhe të kohës me gjyshërit, nuk jam rritur “me çelës në qafë”, siç tallej mamaja, kurse vëllai im po…
Zakonisht vajzat kanë një marrëdhënie më të ngushtë me babanë. Sa e përqafoni ju këtë përcaktim dhe si ka qenë ndër vite raporti juaj me babanë?
Unë kam dashuri dhe admirim shumë të madh për babanë. Jam gjithnjë e impresionuar nga integriteti, inteligjenca dhe qetësia e tij, që unë nuk i arrij dot. Të paktë besoj janë ata që do t’i arrinin. Kemi debulesë për njëri-tjetrin, por mamaja është më e pranishme në jetën e përditshme.
Jeni njeri që i shprehni ndjenjat? Ju është thyer ndonjëherë zemra nga ndonjë histori dashurie?
Mendoj që në krahasim me vendet perëndimore, në Europën (Jug) Lindore e shprehim dashurinë pa përdorur fjalët e mëdha “të dua”, “I love you”, “je t’aime” në çdo moment të ditës. Megjithatë, edhe pa ato “zbukurime”, ne e përjetojmë dashurinë të plotë dhe të pakushtëzuar. Është e njëjta gjë në gjirin e familjes. Kam pasur shansin të përjetoj dy histori të rëndësishme dashurie, të ndryshme nga njëra-tjetra. Prindërit e mi kanë qenë në dijeni të tyre dhe i kanë takuar personat në fjalë. Kam pasur gjithashtu shansin të jem e dashuruar dhe më është thyer zemra. Thonë që është më mirë ta pësosh i ri sesa i vjetër. Mendoj gjithashtu që dhimbja është një përvojë njerëzore. Por, në çdo rast jam gati për të (ri)krijuar e ndërtuar përsëri një histori dashurie, duke pasur parasysh mësimet e së kaluarës.

 

ERMIRA ISUFAJ

© Panorama.al

Te lidhura