Vajushi te Liteksi, në ligën bullgare

Dec 26, 2011 | 11:41

Armando Vajushi

Ka interesim për sulmuesin, por në garë është dhe Thuni.

Një nga futbollistët më të mirë të kampionatit shqiptar, sulmuesi i Vllaznisë, Armando Vajushi, sipas të gjitha gjasave gjatë pjesës së dytë të kampionatit nuk mund të jetë më pjesë e skuadrës shkodrane. Klubi i kampionatit bullgar, Liteks, mësohet se ka shfaqur interes për të marrë shërbimet e sulmuesit për pjesën e mbetur të sezonit. Megjithëse në këtë pistë nuk ka ende asnjë zhvillim të ri, thjesht fakti që mund të luajë në një kampionat të huaj, mund ta joshë sulmuesin 20-vjeçar për të braktisur Vllazninë dhe për t’u transferuar te Liteksi, që është edhe një nga klubet më të rëndësishme në Bullgari. Liteksi është një ekip që ka bërë më parë edhe një ofertë në drejtim të sulmuesit të Kombëtares shqiptare, Erjon Bogdani, i cili aktualisht luan në kampionatin italian, Seria A. Ndërsa për Vajushin edhe gjatë merkatos së verës është folur për një largim drejt disa skuadrave jashtë vendit, ku sulmuesi shkoi edhe për provë, por që nuk arriti të firmosë kontratë me asnjërën prej tyre, kësisoj vendosi të qëndrojë te Vllaznia. Ndërsa këtë sezon futbollistik, përveç Liteksit në kampionatin bullgar, edhe Thuni në kampionatin zviceran është skuadër e interesuar për të marrë shërbimet e lojtarit të përfaqësueses U-21. Dy ditë më parë, në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, Vajushi ka shprehur pakënaqësi për trajtimin financiar që ka aktualisht në klubin shkodran. Vajushi përfiton vetëm 1 milion lekë të vjetër në muaj dhe një gjë e tillë, sipas tij, është e papranueshme. Vajushi është shprehur se, nëse do të vazhdojë të luajë për Vllazninë, atëherë do të rishikojë kontratën e tij. Në këtë mënyrë një largim i tij nga klubi kuqeblu duket më se i mundshëm, kjo edhe për faktin se të paktën për fazën e parë të këtij sezoni klubi shkodran nuk ka treguar ndonjë siguri për pjesën financiare. Mundet që Vajushi të shihet edhe si një mundësi përfitimi, pasi nga shitja e kartonit të lojtarit mund të vijnë në arkat e klubit më shumë se 100 mijë euro.

Hanover jep 1.5 mln euro për Januzin
Ahmed Januzi drejt Gjermanisë nuk është më një lajm, pasi është konfirmuar për “Panorama Sport” një ditë më parë edhe nga ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare, Altin Lala, aktualisht lojtar i Hanoverit. Por dje mediat kanë zbuluar edhe ofertën zyrtare që klubi gjerman ka bërë në drejtim të sulmuesit kosovar të Kombëtares sonë. Kontrata me skuadrën e Vorskla Poltavës, ku luan Januzi, përfundon në vitin 2014, ndaj klubi gjerman do duhet të paguajë 1.5 milionë euro për ta prishur. Paraqitjet e mira  sezonale që ka bërë Januzi, sidomos në ndeshjet në Ligën e  Europës, ku Vorskla u përball direkt me Hanoverin, i kanë rritur vlerën sulmuesit kuqezi.

Sukaj pranë Skënderbeut
Skënderbeu ka piketuar prej disa javësh një sulmues si Xhevair Sukaj për të përforcuar skuadrën dhe rimarrë titullin kampion edhe për këtë sezon. Sipas informacioneve, tratativa me sulmuesin shkodran ka përvijuar edhe në ditët e fundit, ndaj me gjasa një nga golashënuesit më të mirë të fazës së parë në Superiore me nëntë gola mund të vishet bardhekuq. Kujtojmë se Sukaj është pezulluar nga drejtuesit e Vllaznisë me katër muaj, për shkak se nuk pranoi që të luante në ndeshjen ndaj Skënderbeut në Shkodër (Vllaznia u mund 2-0), duke kërkuar një pagesë shtesë, e cila i duhej bërë sipas drejtuesve në muajin janar 2012. Nisur edhe nga kjo situatë, Skënderbeu kërkon të përfitojë për ta bërë të vetin këtë lojtar.

LEONARD KARAJ

© Panorama.al

Te lidhura