ILIA TELO
Ditët e fundit doli në qarkullim libri i profesor Aristotel Panos “KARL MARKSI: NGA SHKENCA NE UTOPI”. Botimi i këtij libri u sponsorizua nga Credins Bank dhe drejtuesi i saj Artan Santo. Profesor Aristotel Pano kreu studimet e larta në Institutin Financiar të Moskës dhe u emërua pedagog në Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Tiranës dhe me vonë punoi në Institutin e Studimeve Ekonomike. Profesor Pano ka qenë një nga pedagogët me të talentuar të Universitetit të Tiranës, një studiues i zoti dhe publicist brilant e i këndshëm. Ai ka botuar shumë libra e artikuj në shtypin e përditshëm dhe periodik.
Ndoshta botimi më i rëndësishëm i këtij autori është ai i kohëve të fundit “KARL MARKSI: NGA SHKENCA NE UTOPI”. Në këtë monografi prej 219 faqesh vjen një analizë shkencore e teorisë se Marksit, jepen vlerësime dhe të metat serioze të saj, sidomos për formacionin komunist në të dy fazat e tij, në socializëm dhe në komunizëm. Libri në fjalë është një sukses shumë i rëndësishëm i shkencës social-ekonomike dhe autori e ka arritur plotësisht qëllimin. Kjo arritje është pasojë:
Së pari. Profesor Aristotel Pano i njeh mirë veprat e Karl Marksit dhe Friderik Engelsit, si “Kapitali”, “Teoritë e mbivlerës”, “Manifesti i Partisë komuniste”, “Filozofia Gjermane” , Anti Dyring”, “Ludig Feuerbah dhe fundi i Filozofisë klasike gjermane” e të tjera. Gjithashtu autori i njeh mirë veprat e Leninit, si “Zhvillimi i kapitalizmit në Rusi”, “Imperializmi, faza me e lartë e kapitalizmit”, “Shteti dhe revolucioni” etj. Përveç këtyre, njeh mirë veprat e Stalinit, të Mao Ce Dunit dhe sigurisht të Enver Hoxhës
Së dyti. Autori i kësaj monografie ka studiuar kritikët dhe oponentët e teorisë marksiste, si ata që ishin bashkëkohësit e Marksit, po kështu dhe kritikët e tjerë të shekullit XX, si të vendeve kapitaliste, dhe socialiste.
Së treti. Profesor Pano, siç del në parathënien e Librit, i ka bërë kritika teorisë se Marksit edhe në vitet ‘70-të të shekullit të kaluar, ku rendi socialist ekzistonte por kishte shumë shenja të dështimit të tij. Tani që sistemi socialist u shemb, ndoshta është më i “privilegjuar” krahasuar me oponentët dhe kritikët e tjerë, se libri i tij botohet pas rrëzimit të rendit komunist në ish-Bashkimin Sovjetik dhe në vendet e tjera. Një tezë e rëndësishme e filozofisë pranon se praktika është bazë e njohjes dhe kriteri i së vërtetës. Pikërisht kjo praktikë vërteton se teoria e Marksit është një utopi dhe e papërshtatshme.
Gjatë regjimit të kaluar, figura e Marksit ishte e fetishizuar dhe konsiderohej si profeti më i madh i botës. Në rast se dikush e kritikonte Marksin, përfundonte në burg ose me dënim kapital.
Profesor Pano në parathënien e librit tregon dhe për një artikull që ka botuar vetë ai në gazetën “Zëri i Popullit”, në vitin 1975 me titull “Rivendosja e plotë dhe përfundimtare e kapitalizmit në Bashkimin Sovjetik”. Leximi i këtij artikulli kishte krijuar diskutime dhe shqetësime të drejtuesit e Partisë dhe të shtetit, por pas diskutimeve të gjata autori nuk u dënua me heqje lirie, por në shumë raste ishte person i padëshiruar nga disa drejtues partiakë shtetërorë, madje dhe akademikë
Monografia “KARL MARKSI: NGA SHKENCA NE UTOPI” ka katër kapituj, të cilët janë Koha e rinisë; Marksi si ekonomist; Utopia marksiste dhe eksperimentet e dështuara diktatoriale të shekullit të njëzetë; Nga barazia e dhunshme në lirinë e pabarazisë së pakufishme.
Sipas Marksit, vlera e re ose mbivlera (që konsiderohet si një zbulim gjenial) krijohet vetëm nga puna e gjallë e punëtoreve dhe përvetësohet nga kapitalistet. Marksi pranon se fuqia punëtore është i vetmi faktor që krijon vlerë të re më të madhe se vlera e fuqisë punëtore, kurse faktorët e tjerë të procesit të prodhimit bëjnë vetëm kalimin e vlerës se tyre të materializuar dhe nuk krijojnë vlerë të re. Në këtë botim argumentohet se vlera dhe mbivlera krijohen nga kombinimi i tre faktorëve. Me të drejtë, prof. Pano argumenton se ashtu si vlera dhe mbivlera janë pasojë e punës, kapitalit dhe tokës.
Marksi kërkonte përmbysjen e një regjimi shoqëror, pa ditur se me çfarë do zëvendësohet ai. Në librat e Marksit thuhet se pas përmbysjes së kapitalizmit “do funksionojë një prodhim shoqëror pa kategorinë e mallit, të parasë dhe të instrumenteve të tjera të kësaj natyre” (faqe 41 e botimit), duke mohuar kategorikisht mundësinë e reformimit dhe përshtatjen e kapitalizmit. Kjo teori e Marksit nuk është vërtetuar në praktikë. Po në këtë botim, punën e papaguar të punëtorit Marksi e quan “mbivlerë”, ndërsa në socializëm e quan “mbiprodukt” dhe kjo nuk e ndryshon thelbin e problemit (faqe 107 e monografisë).
Në librin e prof. Pano argumentohet se edhe puna që shpenzohet në degët e shërbimeve është prodhuese, ndërsa Marksi i ndante degët e ekonomisë në sferën prodhuese e joprodhuese dhe pohonte se vlerat e reja prodhohen vetëm në sferën prodhuese, dhe jo në degët e shërbimeve. Kjo tezë argumentohet me faktin se degët e shërbimeve po zgjerohen aq shumë duke siguruar produkt dhe të ardhura. Mundësi të tilla të pakufishme ka vendi ynë për zhvillimin e turizmit.
Marksi në veprat e ndryshme të tij pranon varfërimin absolut dhe relativ të proletariatit, ndërsa autori i librit nëpërmjet gjuhës së shifrave me të drejtë e hedh poshtë këtë pohim. Në faqen 113 të librit argumentohet se “prona private dhe prodhimi i mallit janë elemente të pashmangshme për çdo etapë të shoqërisë njerëzore, se këto lidhen me vetë natyrën e njeriut… prandaj teza marksiste e pashmangësisë së zhdukjes të pronës private dhe të prodhimit të mallit është një utopi”. Utopi konsideron autori dhe tezen tjetër të Marksit mbi burime të pakufishme materiale. E njëjta gjë duhet thënë dhe për teorinë e Marksit për “shuarjen graduale të shtetit”. Autori i librit ka plotësisht të drejtë për këtë, për faktin se prodhimi i mallit, paraja, shteti dhe diktatura e proletariatit edhe në ish-vendet socialiste kanë vepruar dhe as që mund të behet fjalë për shuarjen e tyre.
Profesor Pano, duke bërë një analizë dialektike të rendit socialist, pranon se ka pasur dhe arritje në zhvillimin e degëve të ekonomisë, por një pjesë e tyre janë rezultat i grabitjes së pronës së pronareve dhe i punës së detyruar dhe, në mënyrë të veçantë i shfrytëzimit të egër të popullsisë fshatare. Në faqen 201 të monografisë thuhet: “Edhe piramidat e Egjiptit ose statujat e botës antike janë vepra të mahnitshme, por janë vepra të djersës dhe të gjakut të miliona skllevërve”.
Po rendi kapitalist a ka të meta? Sigurisht që ka. Për këtë flasin krizat, papunësia, varfëria etj. Në faqen 119 të librit autori shkruan: “Gjithë historia e mëtejshme deri në ditët tona, ka vërtetuar katërcipërisht se pavarësisht nga zhvillimi i tij ciklik, kapitalizmi si sistem ka aftësi të përballojë të gjitha llojet e krizave dhe të sigurojë zhvillimin e mëtejshëm të forcave prodhuese”.
Po Marksi si vlerësohet si shkencëtar? Në librin “100 PERSONALITETE TE BOTES” të studiuesit amerikan Michael Hart, të përkthyer greqisht, Marksi renditet në vendin e 27-të dhe, sipas autorit, nuk renditet më parë nisur nga pasojat e filozofisë së tij. Katër janë idetë qendrore të Marksit sipas këtij autori
1. Pasuria përqendrohet në pak duar
2. Për heqjen e kësaj padrejtësie, duhet të ndërtohet rendi socialist, ku mjetet e prodhimit të jene pronë e popullit dhe jo e privateve
3. E vetmja rrugë për këtë është revolucioni
4. Për mbijetesën e socializmit duhet diktatura e proletariatit dhe Partia Komuniste
Tri idetë e para u trajtuan dhe nga ideologë para Marksit, ndërsa Marksi nxori teorinë e diktaturës së proletariatit.











