Urgjenca, pa mjete e dezinfektantë

Jan 23, 2012 | 12:08

Sallat e urgjences

Raporti: Nuk hidhet klor aq sa duhet për sterilizimin e ambienteve. Pacientët marrin infeksione të rënda

ISHP: Ajri i sallës, i ndotur. Mikrobe edhe mbi aparatin e narkozës
Vegla kirurgjikale të amortizuara dhe mungesë e solucioneve dezinfektante. Mikrobe mbi aparatin e narkozës, në shtratin ku operohen pacientët e në dysheme. Edhe ajri i ambientit është i kontaminuar. Kjo është situata në urgjencën kirurgjikale. Në dhomën e zgjimit gjenden baktere edhe në aparatin e oksigjenit. Të dhënat vijnë nga monitorimi i fundit i Institutit të Shëndetit Publik. Ndonëse matjet janë bërë kur salla ka qenë e dezinfektuar dhe gati për operacion, sërish steriliteti mungon. Në kushtet e një dite pune normale, ku operacionet në sallën e urgjencës janë të paplanifikuara, sipas specialistëve ndotja është disa herë më e lartë. Pavarësisht se nga 6 sallat e monitoruara nuk është më e ndotura, të dhënat flasin për mangësi të theksuara në këtë shërbim. “Në të gjitha ambientet ku janë marrë ekzaminimet kishte shumë mangësi të dezinfektantëve, sapunëve, paketave kirurgjike, protokolleve të larjes së duarve, përdorimit të solucionit dezinfektant në përqindjen e duhur”, sqarojnë specialistët. Sipas tyre, për sa u përket mangësive të solucioneve dezinfektante, ka pothuajse në të gjitha klinikat kirurgjike. “Në ato reparte kirurgjike që kishin marrë një sasi të klorit, është marrë kampioni për ekzaminim dhe ka rezultuar se solucioni nuk ishte i efektshëm, pasi përqindja e klorit nuk ishte brenda standardeve të duhura”, thuhet në raportin e monitorimit. Më të ndoturat kanë rezultuar salla operatore e onkologjisë, okulistikës dhe e ndërhyrjeve maksiofaciale. Përballë kësaj situate, ISHP rekomandon përdorimin e solucionit dezinfektant në më shumë se 10-15 min.
Rreziku për pacientët
Infeksionet spitalore pacientët i marrin peshqesh gjatë trajtimit në spital për një tjetër sëmundje. Shpeshherë bëhen më të rrezikshme. Në 100 pacientë, 38 prej tyre rezultojnë të prekur nga infeksionet spitalore, të cilat renditen si një ndër shkaqet kryesore të vdekshmërisë në vendin tonë. Sipas raporteve të viteve të fundit, nga 50 deri në 70 për qind të shtrimeve në spitale rrezikojnë të preken nga këto infeksione, të cilat ndikojnë negativisht në përparimin e sëmundjeve apo në përkeqësimin e tyre. Konkretisht, sipas statistikave: në 10 pacientë, 4-6 prej tyre janë të destinuar të preken nga infeksionet spitalore. Përveç shtimit të ditëve në spital dhe përkeqësimit të sëmundjeve, këto infeksione ndikojnë negativisht edhe në dobësimin e financave të spitalit. Infeksioni nozokomial është një infeksion i marrë në spital pas shtrimit të pacientit dhe është një nga shkaqet kryesore të zgjatjes së ditëqëndrimit dhe shtimit të shpenzimeve spitalore, për shkak të harxhimit të antibiotikëve që jo rrallë nuk janë të efektshëm. Së fundmi është ngritur edhe një shqetësim tjetër. Përdorimi pa kriter i antibiotikëve ka bërë që pacientët të kenë imunitet ndaj tyre dhe, për këtë arsye, trajtimi për infeksione serioze paraqitet i vështirë. “Duhet të rritet kontrolli i përdorimit të antibiotikëve dhe preparateve të tjera antimikrobike, nëpërmjet zbatimit racional të protokolleve të mjekimit”, sqarojnë specialistët e infeksioneve nozokomiale. Sipas tyre, zgjedhja e antibioterapisë varet nga lloji i mikrobeve dhe ndjeshmëria ndaj antibiotikëve.

Paramatrat e matur
Salla operatore

• Ajri sipër shtratit operator 10 koloni i ndotur
• Ajri pranë dritares 12 koloni i ndotur
• Ajri te dera 40 koloni i ndotur
• Dyshemeja poshtë shtratit operator e kontaminuar
• Dyshemeja poshtë tavolinës së medikamenteve e kontaminuar
• Dyshemeja pranë derës e kontaminuar
• Aparati i narkozës i kontaminuar
• Sipërfaqja mbi shtratin operator e kontaminiuar
• Cistina sterile negativ

Dhoma e zgjimit
• Ajri në mes të dhomës 70 koloni i ndotur
• Ajri mbi shtratin e të sëmurit 100 koloni i ndotur
• Ajri mbi aparatin e narkozës 15 koloni i ndotur
• Dyshemeja e  kontaminuar
• Ujë fiziologjik i aparatit të oksigjenit i kontaminuar
• Sipërfaqja mbi aparatin respirator e kontaminuar

Ditëqëndrimi
Ditëqëndrimi mesatar për shkak të një infeksioni në spital rritet me 8 ditë. Por ka me dhjetëra pacientë, të cilët mund të qëndrojnë edhe një muaj të shtruar, pasi infeksionet luftohen me vështirësi. Po kështu, nëse situata bëhet kritike, pacienti mund të humbë edhe jetën.

Dy muaj më parë u penalizuan 50 punonjës të QSUT
Higjiena, bluzat e bardha harrojnë të lajnë duart

Mjekë që hyjnë e dalin nga sallat operatore pa larë duart. Personel që me të njëjtën përparëse të bardhë hyn në baret rreth spitalit, futen në sallën e operacionit apo në pavijon. Qendra spitalore universitare “Nënë Tereza” është kthyer në vatër infeksionesh për pacientët. Ata shkojnë të trajtohen për një sëmundje dhe marrin peshqesh nga spitali edhe një të dytë. Pas disa matjeve të kryera, ku ka rezultuar se pjesa më e madhe e të sëmurëve marrin infeksione të dyta në spital, vetë institucionet shëndetësore kanë filluar të pranojnë problemin. Dy muaj më parë, Drejtoria e Shëndetit Publik ndërmori 50 masa administrative. U vendosën gjoba për sanitarët, kryeinfermierët dhe shefat e pavijoneve, të cilët nuk janë kujdesur për higjienën në sallat e operacioneve. Sallat operatore në Spitalin Nr. 1 rezultojnë të jenë më problematiket, por edhe tek spitali i sëmundjeve të brendshme higjiena lë për të dëshiruar. Janë penalizuar mjekë dhe shefa pavijonesh, që nuk kanë qenë të pajisur me librezë shëndetësore. “Vetë punonjësit, mjekët, infermierët dhe gjithë personeli mjekësor duhet të ketë librezën shëndetësore të lëshuar nga Instituti i Shëndetit Publik. Pra, ky person së pari duhet të jetë vetë i garantuar për problematikat, të cilat kanë të bëjnë me shëndetin publik”, kanë deklaruar specialistët e Drejtorisë së Higjienës. Inspektimet në QSUT do të vijojnë të kryhen deri në fund të janarit. Menjëherë pas kësaj qendre spitalore, inspektorët e Drejtorisë së Higjienës do të kontrollojnë edhe dy maternitetet e Tiranës.

Infeksioni më i shtrenjtë
Bakteremia është infeksioni më i shtrenjtë, që një pacient mund të marrë brenda spitalit. Infektimi ndodh kryesisht gjatë një ndërhyrjeje kirurgjikale. Kostoja e trajtimit të tij mund të arrijë deri në 28 mijë euro. Konsiderohet ndër më të rëndët, pasi shkalla e vdekshmërisë së pacientëve që preken prej tij është tepër e lartë. Bakteremia bën pjesë në 8 llojet e infeksioneve më të shpeshta spitalore dhe të paktën sipas të dhënave zyrtare zë 6 për qind të numrit total të tyre.

ZIRINA LLAMBRO

© Panorama.al

Te lidhura