
MASH: Deklaratë me shkrim për konfliktin e interesit.
Autorë tekstesh që kanë punuar në Ministrinë e Arsimit kanë shtëpi botuese apo punojnë njëkohësisht edhe në institucione private. Precedentë të këtij lloji, që dëshmojnë qartë konfliktin e interesit në radhët e arsimtarëve, janë publikuar jo pak herë edhe në media. Me apo pa reagime, raste të tilla kanë kaluar pa ndonjë zhurmë të madhe. Ministria e Arsimit ka vendosur t’i japë fund praktikave të tilla, të cilat, nëse deri tani janë bërë hapur, ligjërisht do të jenë lehtësisht të verifikueshme. Formulari tip i hartuar nga ky dikaster u është dhënë tashmë të gjithë punonjësve. Me anë të tij do të deklarohet se nuk zhvillohet asnjë veprimtari që do të ketë lidhje me shtëpitë botuese, institucionet jopublike të çdo cikli apo agjenci trajnimesh në fushën e arsimit. “U është dhënë të gjithë punonjësve të MASH-it, të institucioneve të varësisë dhe drejtuesve t shkollave në arsimin publik parauniversitar. Me formularin tip synohet të parandalohet konflikti i interesave i punonjësve të MASH-it dhe të varësisë me shtëpitë botuese, me IAL-et private, si dhe çdo lidhje tjetër që mund të krijojë konflikt interesi”, sqaron drejtori i koordinimit dhe i reformës në MASH, Isuf Neli. Ai shpjegon se më herët u është nisur një shkresë të gjitha universiteteve publike, me anë të së cilës ministri rekomandon marrjen e masave për të penguar zhvillimin e kurseve private me studentët. Në këtë kuadër, vetë shkollat e larta kanë nxjerrë edhe rregullore të brendshme, sipas së cilës pedagogët e universiteteve publike nuk lejohen të punojnë në universitetet private gjatë orëve zyrtare të punës që ata kryejnë në këto institucione. “Këto masa janë ndërmarrë në përputhje me ligjin për konfliktin e interesave. Nuk do të lejohet më që një punonjës i Ministrisë të jetë njëkohësisht pjesë e veprimtarive private që kanë lidhje me arsimin”, thotë Neli. Ai shton se vërtetësia e deklaratës së dhënë në formularin tip do të kontrollohet jo vetëm nga inspektorët e MASH-it, por edhe nga institucionet e tjera, të cilave ligji u jep kompetencë. “Penalizimet do të jenë gjithashtu në përputhje me ligjin, çka do të thotë se nuk përjashtohet largimi nga puna për pavërtetësi të deklaratës dhe abuzime të këtij lloji”, sqaron Neli. Vitet e fundit nuk kanë munguar rastet kur vetë shtëpitë botuese janë ankuar për favorizime të konkurrentëve të tyre nga nëpunës të Ministrisë së Arsimit që kanë pasur lidhje direkte me to.
Shkresa nisur universiteteve
Në veçanti, duke u bazuar në rekomandimet e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit të Pasurive, kërkojmë vëmendjen tuaj përsa u përket rasteve të pedagogëve të universiteteve, të cilët organizojnë kurse private për studentët e tyre.Zhvillimi i kurseve private kundrejt pagesës nga ana e pedagogëve me studentët e vet vlerësohet si angazhim në veprimtari private me qëllim fitimi.
Nëpunësi nuk mund të shpërblehet për veprimtarinë e jashtme kur ato kanë të bëjnë me detyrat që ai ka kryer në ushtrimin e funksioneve të tij ose janë vazhdimësi e drejtpërdrejtë e tyre, me përjashtim të rasteve kur parashikohet ndryshe me kate të tjera ligjore ose nënligjore.
Mësimdhënia përfshin zhvillimin e leksioneve, seminareve, ushtrimeve, laboratorëve, provimeve, kontrolleve, si dhe konsultimeve të programeve me studentët, rezulton se konsultimet për studentët janë të programuara edhe në ushtrimin e funksioneve të pedagogëve, prandaj këta nuk mund të shpërblehen për një veprimtari që është detyrë funksionale e tyre.
Në zbatim të rekomandimeve të ILDKP-së, duke pasur si qëllim kryesor parandalimin e rasteve të konfliktit të interesave, nga IAL-et duhet të merren të gjitha masat për trajtimin dhe parandalimin në kohë të këtyre rasteve, duke nxjerrë për këtë qëllim kur është e nevojshme, akte të brendshme që rregullojnë veprimtaritë e jashtme të personelit akademik.
Përmbajtja e formularit tip
Unë i nënshkruari deklaroj se nuk zhvilloj asnjë veprimtari dhe nuk kam lidhje familjare ose financiare me asnjërin nga institucionet e mëposhtme:
Nr. Institucioni
1. Shtëpi botuese
2. Institucione arsimore jopublike të çdo cikli
3. Agjenci trajnimesh në fushën e arsimit
4. Institucion ose veprimtari tjetër, lidhja me të cilët mund të përbëjë shkak për lindjen e konfliktit të interesave për punonjësit e të gjitha niveleve të MASH, DAR/ZA-ve, institucioneve të varësisë, si dhe të drejtuesve të kopshteve dhe shkollave në arsimin parauniversitar publik.
Kush e plotëson deklaratën
Të gjithë punonjësit e Ministrisë së Arsimit dhe institucionet e saj në varësi duhet të plotësojnë formularin tip të hartuar për të parandaluar konfliktin e interesave. Deklaratën duhet ta nënshkruajnë drejtorët e drejtorive arsimore rajonale, të zyrave arsimore dhe drejtuesit e shkollave dhe kopshteve. Nga sa konfirmon Ministria e Arsimit, pjesa më e madhe e punonjësve e kanë plotësuar këtë formular.
ZIRINA LLAMBRO
© Panorama.al











