
Pas vendimit të një dite më parë, të një gjykatë në Londër, e cila lëshoi urdhër- arresti për ish funksionarin e SHIK-ut Ilir Kumbaro, ka reaguar familja e biznesmenit të zhdukur, Remzi Hoxha.
Në një letër shpërndarë për mediat nga djali i Remzi Hoxhës, Ardian Hoxha thuhet se “Fillimisht pengohet drejtësia në çdo mënyrë të mundur nga qeveritarët, më pas edhe instancat më të larta të drejtësisë së Shqipërisë marrin pjesë në këtë krim duke e ndihmuar atë dhe në momentin kulminant, për shkak të vonesës së Gjykatës së Lartë, i mundësohet ikja kriminelit kyç të rastit, Ilir Kumbaro”
Sidoqoftë, familja Hoxha ende beson tek drejtësia Britanike dhe shpreson që Ilir Kumbaro të dalë para drejtësisë dhe presin që ajo ta kryej punën e saj.
“Presim që drejtësia Britanike ta sjellë Ilir Kumbaron para drejtësisë dhe t’ia dëshmojë familjes tonë ashtu edhe gjithë popullit shqiptar se qeveria britanike nuk është bashkëpjesëmarrëse në këtë krim. Janë institucionet e qeverisë britanike ato qe ia kane hequr pajisjet elektronike për monitorimin e lëvizjeve të Ilir Kumbaros, duke mos marr parasysh krimin që ai kishte kryer dhe aftësitë e tija për ikje”, thuhet në fund të reagimit.
© Panorama.al











