Gjykata e Apelit për Krimet të Rënda ka “miratuar” fletë-arrestet për katër të rinj, mes të cilëve edhe Arkimed Lusha, reperi i njohur me emrin “Stresi”.Ata akuzohen nga Prokuroria për Krimet e Rënda për “gjobëvënie” ndaj Leonard Bombajt, personazh publik, i njohur si regjisor dhe drejtues i një qendre të njohur artistike për fëmijë në kryeqytet. Tri ditë më parë, Apeli i Krimeve ka pranuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” ndaj shtetasve Arkimed Lusha, Rolado Kurti, Elis Basha dhe Sebastian Ukcamaj. Sipas Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda, ata akuzohen për veprën penale të “shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, në bashkëpunim. Masa e sigurisë ndaj tyre në Gjykatën e Apelit, për shkak të “humbjes së sekretit”, është zhvilluar në prani të avokatëve përfaqësues të të pandehurve. Hetimet, rrjedha e të cilave vuri nën akuzë katër të rinjtë, u nis nga Prokuroria e Tiranës në shtator të vitit 2010. Asokohe, Prokuroria mori dy padi të ardhura nga Komisariati Nr.1, njëra e bërë nga Leonard Bombaj, për kanosje ndaj tij. Padia e dytë drejtohej pikërisht ndaj Bombajt dhe e akuzonte atë për “marrëdhënie seksuale me dhunë” me një vajzë. Për shkak të klasifikimit të veprës penale, hetimi i ka kaluar për kompetencë Krimeve të Rënda. Në 6 maj të këtij viti, Prokuroria i kërkoi Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda që të dyshuarit të hetoheshin në masën e sigurisë “arrest me burg”. Por Shkalla e Parë nuk pranoi kërkesën dhe caktoi ndaj tyre “detyrim paraqitje”. Tre ditë më parë, Prokuroria ankimoi këto vendime në Apelin për Krimet e Rënda. Apeli vendosi që hetimet ndaj të rinjve duhet të vijojnë, ndërkohë që ata duhet të jenë në “arrest me burg”.
HISTORIA
Historia që ka i ka bërë “të dyshuar të Prokurorisë” katër të rinjtë, e ka zanafillën tek pretendimet për dhunë seksuale të ushtruar tek një mikeshë e tyre 15-vjeçare. Në shtator të vitit 2010, 15-vjeçarja në praninë e një psikologeje kallëzoi në Komisariatin Nr.1 në Tiranë, se ishte dhunuar seksualisht nga Leonard Bombaj. Sipas saj, vepra penale ishte kryer në disa episode, njëri prej të cilëve në mars 2010 në një hotel në rrugën nacionale Tiranë-Elbasan. Ndërkohë, sipas Prokurorisë, një ditë para kallëzimit të 15-vjeçares në polici, Leonard Bombaj, i akuzuari prej saj, kishte kallëzuar për “kanosje” babanë e 15-vjeçares. Një ditë pas kallëzimit, nga një akt-ekspertim mjeko-ligjor mbi ekzaminimin e 15-vjeçares ka rezultuar se “kjo shtetase është e defloruar e vjetër (zhvirgjëruar)”. Burime pranë Gjykatës së Apelit bënë të ditur se në lidhje me marrëdhënien seksuale mes saj dhe personazhit publik Leonard Bombaj, para se të bënte kallëzimin, 15-vjeçarja ia ka rrëfyer Arkimed Lushës (Stresit), me të cilin kishte lidhje shoqërore. Po sipas Prokurorisë mësohet se në korrik të këtij viti është zhvilluar një takim mes saj, shtetasit Leonard Bombaj si dhe Arimed Lushës e Relado Kurtit. Sipas hetimeve, ditë më vonë, disa persona i kanë mbërritur në banesë shtetasit Leonard Bombaj në shtator të 2010. Ata, sipas akuzës, i kanë kërkuar 20 mijë euro artistit në formë dëmshpërblimi për dhunën seksuale të ushtruar mikeshës së tyre. I detyruar prej tyre dhe nën shoqërinë e të miturës, Bombaj ka tërhequr nga një bankomat 50 mijë lekë nga llogaria e tij. Pasi janë ndarë, personat i kanë marrë automjetin Bobmajt. Sipas hetimeve, duke iu referuar thënieve të pronarit të makinës, në 23 shtator 2010 atij i kanë shkuar në banesë Arkimed Lusha dhe Elis Basha. Rezulton se ata kanë tërhequr një certifikatë pronësie të automjetit dhe, më pas, para një noteri kanë tjetërsuar pronësinë e automjetit në favor të tyre. Sipas deklarimeve të Bombajt, ata i kanë thënë se automjeti do t’i kthehej pasi ai t’u paguante atyre 5 mijë euro. Bëhet e ditur se pasi ka vënë në dijeni babanë e Arkimed Lushajt për këtë ngjarje, Bombajt i është kthyer automjeti dy ditë më pas. Po sipas burimeve nga Apeli, një tjetër gjobë që pretendohet se është vënë ndaj artistit, ka qenë në shumën 3 mijë euro për regjisorin. Sipas deklarimeve të tij, i akuzuari Elis Basha i kishte kërkuar këtë shumë në këmbim të mbylljes së problemeve me drejtësinë, në lidhje me ngjarjet ku Leonard Bombaj ishte përfshirë.
Hetimi
Hetimi për çështjen penale ndaj katër personave të akuzuar për “shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie të pasurisë”, ka nisur fillimisht në Prokurorinë e Tiranës. Ky institucion ka kryer disa hetime në lidhje me çështjen, por, pasi ka konstatuar natyrën e veprimeve që ishin kryer, ka vendosur më pas delegimin e dosjes tek Krimet e Rënda. Transferimi i dosjes në këtë Prokurori është bërë për kompetencë hetimi, pas klasifikimit të akuzës si “gjobëvënie”. Megjithatë, të dyja palët kanë pasur pretendime ndaj njëra-tjetrës, pasi edhe personat ndaj të cilëve u lëshua urdhër-arresti, kanë akuzuar Leonard Bombajn për dhunim seksual ndaj vajzës.
Procedurat
Pasi ka mbledhur provat kryesore të çështjes, Prokuroria e Krimeve të Rënda më 6 maj 2011 i është drejtuar Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, me një kërkesë për caktimin e masë së sigurisë ndaj të akuzuarve. Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, pasi ka shqyrtuar kërkesën e Prokurorisë dhe provat në dosje, ka vendosur që të refuzojë arrestimin e katër personave, duke vendosur ndaj tyre masën e sigurisë “detyrim paraqitje”. Prokuroria nuk ka qenë dakord me këtë dhe ka bërë ankimimin e vendimit. Me një kërkesë në Gjykatën e Apelit, Prokuroria ka kërkuar sërish arrest me burg për katër personat.
Vendimi i Apelit, 4 urdhra arresti përcillen në polici
TIRANE – Pas shpalljes së vendimit nga Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda në Tiranë, për caktimin e masës së sigurisë arrest me burg ndaj shtetasve Arkimed Lusha, Rolado Kurti, Elis Basha dhe Sebastian Ukcamaj, mësohet se çështja tashmë i ka kaluar policisë. Ditën e premte në orët e pasdites, në polici ka mbërritur vendimi i Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda, që urdhëron arrestimin e katër të akuzuarve për veprën penale të “gjobëvënies”. Sipas burimeve nga institucionet në dijeni të çështjes, vendimi i Gjykatës së Apelit i është përcjellë në kohë Policisë së Shtetit, e cila pritet të bëjë ekzekutimin. Nga ana tjetër, sipas burimeve nga hetimi dhe gjykimi i çështjes, disa nga personat e akuzuar në dosje kanë dijeni për hetimin, pasi janë thirrur për të dhënë deklarime në Prokurori, para firmosjes së urdhër-arrestit ndaj tyre. Njëri prej personave të akuzuar, këngëtari i njohur me pseudonimin artistik “Stresi”, është paraqitur në Prokurori dhe ka dhënë versionin e tij për ngjarjet gjatë hetimeve paraprake për këtë çështje. Ndërkohë, lista e provave që disponon Prokuroria mësohet se është e konsiderueshme, pasi edhe hetimet janë zhvilluar në një hark kohor prej disa muajsh. Organi i akuzës mësohet se ka përgjuar gjithë bisedat që të akuzuarit kanë zhvilluar mes tyre, por më pas ka zbardhur edhe gjithë komunikimet e Leonard Bombajt. Njëherësh Prokuroria ka kryer edhe këqyrjen e ambienteve dhe hotelit ku vajza 15-vjeçare ka akuzuar Bombajn për përdhunim. Plot 22 ditë më parë, Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi në gjykatë autorizim për ndalimin e katër të akuzuarve në këtë çështje. Pikërisht ditën e premte, Policia e Shtetit ka marrë urdhrin e Gjykatës së Apelit për arrestim ndaj personave të akuzuar, të cilët pritet që më pas të japin edhe ata deklarimet e tyre në lidhje me ngjarjen.
ARMAND BAJRAMI
© Panorama.al











