Universiteti i Tiranës, 631 vende bosh

Sep 19, 2011 | 11:30

U mbyll dje në orën 6 pasdite regjistrimi paraprak në të gjitha shkollat e larta publike.Ndërsa sot pritet të përfundojë bilanci i kuotave të paplotësuara, të dhënat paraprake vijnë zyrtarisht nga Universiteti i Tiranës. Në total, UT ka 631 vende të lira në 8 fakultetet e tij. Numrin më të lartë të kuotave të paplotësuara e ka Fakulteti i Gjuhëve të Huaja me 135 vende, i ndjekur nga ai i Shkencave të Natyrës me 124 vende. Në Fakultetin Ekonomik nuk janë regjistruar 123 fitues, në atë të Histori-Filologjisë 34 fitues. Nga të dhënat e sekretarive mësimore rezulton se Fakulteti i Drejtësisë ka 45 vende bosh, i Mjekësisë 55 vende, ndërsa Fakulteti i Shkencave Ssociale ka 46 vende të lira. Pasi të 11 universitetet të nisin të dhënat në Agjencinë Kombëtare të Pranimeve, të gjithë kandidatët do të rifuten edhe një herë në sistem. Në varësi të pikëve të gjithsecilit, do të shpallet një listë tjetër fituesish, që është edhe ajo përfundimtare. Nga sa ka përcaktuar Ministria e Arsimit, më 25 shtator do të publikohet kjo listë. Kandidatët, të cilët në listat përfundimtare janë shpallur fitues në një program studimi të një preference të tyre më të lartë se ai i regjistrimit të ndërmjetëm, do të çregjistrohen nga vetë sekretaritë mësimore, nga programi i studimit ku ishin regjistruar më parë. Këta kandidatë tërheqin dosjen individuale nga sekretaritë mësimore ku janë çregjistruar dhe regjistrohen në programin e studimit, në të cilin janë shpallur fitues me listat përfundimtare. Sekretaritë mësimore të fakulteteve, në datat 26-30 shtator 2011, prej orës 08:00-18:00, do të kryejnë çregjistrimet e këtyre kandidatëve dhe të regjistrojnë kandidatët e rinj fitues, sipas listave përfundimtare të dërguara nga MASH-i. Veprimet e çregjistrimit të ndërmjetëm dhe ato të regjistrimit përfundimtar të kandidatëve të rinj do të dokumentohen në regjistër të veçantë. Në kryerjen e procedurës së regjistrimit përfundimtar në sekretaritë mësimore të fakulteteve, kandidatët fitues që janë ngjitur në preferencë më të lartë kundrejt regjistrimit të ndërmjetëm, nënshkruajnë në momentin e regjistrimit për dorëzimin e dokumenteve në regjistrin e veçantë. Sekretaria mësimore duhet ta pajisë kandidatin që bën regjistrimin me fletë-regjistrimi, ku shënohet numri i regjistrimit, emri i kandidatit, si edhe data e ora e regjistrimit. Fletëregjistrimi duhet të jetë i nënshkruar nga dekani e nga kryesekretarja mësimore e fakultetit dhe i vulosur. Kandidatët, të cilët edhe në listat përfundimtare rezultojnë fitues në të njëjtin program studimi, nuk është e nevojshme të regjistrohen.

25 shtator
është data kur do të shpallen listat përfundimtare të fituesve në shkollat e larta. Ata do të kenë 5 ditë kohë për t’u regjistruar pranë sekretarive të fakulteteve.

25 183 studentë
do të nisin këtë vit akademik studimet në të gjitha universitetet e vendit, në sistemin me kohë të plotë.  Ndërkohë që këtë vit aplikuan për t’u pranuar mbi 37 mijë maturantë.

Universiteti i Tiranës
Në total 631 vende të lira
Fakultetet
Fakulteti i Gjuhëve të Huaja          135 kuota
Fakulteti i Shkencave të Natyrës           124 kuota
Fakulteti Ekonomik             123 kuota
Fakulteti i Histori-Filologjisë         34 kuota
Fakulteti i Drejtësisë             45 kuota
Fakulteti i Mjekësisë             55 kuota
Fakulteti i Shkencave Sociale         46 kuota

Masterat, do të pranohen 15 284 studentë
Plot 15 284 studentë do të pranohen këtë vit akademik për të ndjekur studimet “Master” në universitetet publike. Qeveria miratoi kuotat dhe tarifat për të gjitha degët. Gazeta publikon të plota tabelat që do të orientojnë kandidatët. Kështu, për programet e studimit “Master i shkencave”, gjithsej do të pranohen 6676 studentët. Masterat Profesionalë do t’i ndjekin 8898 persona. Masterat Shkencorë do të zgjasin 2 vite akademike. Studentëve do t’u duhen të grumbullojnë në total 120 kredite. Ndërsa për Masterin Profesional duhen 90 kredite. Tarifat variojnë nga 72 000 lekë në 252 000 lekë. Tarifa totale paguhet e njëjtë, si në rastet kur kohëzgjatja normale e programit të studimit është 2 vite akademike, ashtu edhe kur programi i studimit zgjat më shumë.

ndryshimet e matures
Matura Shtetërore do të jetë më e ngarkuar vitin që vjen. Maturantët do të duhet të japin edhe dy provime të tjera të detyruara, njëri prej të cilëve është gjuha angleze. Sipas drejtuesve të Agjencisë Kombëtare të Provimeve, nuk do të ketë më korrigjime me dorë, por kontrolli i testeve do të kryhet në mënyrë dixhitale. Kjo metodë do të shkurtojë kohën e daljes së rezultateve. Është drejt fundit një projekt me një kompani austriake, që do të vendosë një sistem informacioni shumë të saktë.

ZIRINA LLAMBRO

© Panorama.al

Te lidhura