Shkollat e larta nisin më 10 tetor. Në udhëzimin e fundit për strukturën e vitit akademik 2011-2012, Ministria e Arsimit bën me dije të gjitha afatet edhe për masterat dhe periudhat e pushimeve. “Viti akademik 2011-2012 në institucionet publike të arsimit të lartë, në programet e studimit të ciklit të parë dhe programet e integruara të ciklit të dytë me kohë të plotë, të fillojë më 10 tetor 2011 dhe të përfundojë më 30 shtator 2012”, thuhet në udhëzimin e Ministrisë së Arsimit. Sipas tij, programet e studimit të ciklit të dytë “Master Profesional” dhe “Master i Shkencave”, me kohë të plotë, do të fillojë në datën 2 nëntor dhe të përfundojë në realizimin e programit mësimor të këtyre programeve. “Viti akademik 2011-2012 në institucionet publike të arsimit të lartë, në programet e studimit me kohë të pjesshme dhe edukim në distancë, të fillojë në datën 7 nëntor 2011 dhe të përfundojë më 30 shtator 2012”, thuhet në udhëzim. Sipas tij, periudha 24 dhjetor 2011 deri më 3 janar 2012 të jetë periudhë pushimesh për studentët. “Nga institucionet publike të arsimit të lartë të merren masat për zbatimin e udhëzimit të pajisur me numrat e matrikulimit të gjithë studentët e vitit të parë deri më 25 janar 2012. IAL, në përfundim të regjistrimit përfundimtar të kandidatëve fitues, të dërgojnë në drejtorinë e konvikteve listën e studentëve të regjistruar, sipas programeve të studimit dhe fakulteteve përkatëse”, saktësohet në udhëzim.
Regjistrimi përfundimtar
Nesër është afati i fundit i regjistrimit përfundimtar në shkollat e larta. Kush nuk regjistrohet, humb të drejtën për të nisur universitetin. Ministria e Arsimit u ka bërë edhe njëherë thirrje kandidatëve, të cilët janë shpallur fitues në një program studimi të një preference të tyre më të lartë se ai i regjistrimit të ndërmjetëm, do të çregjistrohen nga vetë sekretaritë mësimore, nga programi i studimit ku ishin regjistruar më parë. Këta kandidatë tërheqin dosjen individuale nga sekretaritë mësimore ku janë çregjistruar dhe regjistrohen në programin e studimit në të cilin janë shpallur fitues me listat përfundimtare. “Sekretaritë mësimore të fakulteteve, në datat 26-30 shtator 2011, prej orës 08:00-18:00, do të kryejnë çregjistrimet e këtyre kandidatëve dhe të regjistrojnë kandidatët e rinj fitues, sipas listave përfundimtare të dërguara nga MASH-i. Veprimet e çregjistrimit të ndërmjetëm dhe ato të regjistrimit përfundimtar të kandidatëve të rinj do të dokumentohen në regjistër të veçantë”,ka përcaktuar ministria e arsimit. Në kryerjen e procedurës së regjistrimit përfundimtar në sekretaritë mësimore të fakulteteve, kandidatët fitues që janë ngjitur në preferencë më të lartë kundrejt regjistrimit të ndërmjetëm, nënshkruajnë në momentin e regjistrimit për dorëzimin e dokumenteve në regjistrin e veçantë. Sekretaria mësimore duhet ta pajisë kandidatin që bën regjistrimin me fletë-regjistrimi, ku shënohet numri i regjistrimit, emri i kandidatit, si edhe data e ora e regjistrimit. Fletër-egjistrimi duhet të jetë i nënshkruar nga dekani e nga kryesekretarja mësimore e fakultetit dhe i vulosur. Kandidatët, të cilët edhe në listat përfundimtare rezultojnë fitues në të njëjtin program studimi, nuk është e nevojshme të regjistrohen.
viti i ri akademik
. Viti akademik 2011-2012 nis
më 10 tetor 2011
. Viti akademik 2011-2012 përfundon më 30 shtator 2012
. Programet e studimit të ciklit të dytë
“Master Profesional” dhe “Master i Shkencave”, nisin 2 nëntor 2011
. Programet e studimit me kohë të pjesshme dhe edukim në distancë, fillojë në datën 7 nëntor 2011 dhe të përfundojë në 30 shtator 2012
. Periudha 24 dhjetor 2011 deri më 3 janar 2011 të jetë periudhë pushimesh për studentët.
Studimet part-time, dokumentet për regjistrimin
Afati i fundit i aplikimeve për kandidatët që duan të nisin studimet me kohë të pjesshme do të jetë data 21 tetor. Kandidatët do të kenë vetëm 4 ditë kohë për të dorëzuar pranë fakulteteve dosjen e aplikimit. Fituesit do të shpallen në muajin nëntor. Udhëzimi me i ri i ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj, përcakton në detaje të gjitha procedurat për regjistrimin dhe pranimin e kandidatëve me kohë të pjesshme në Universitetin e Tiranës. Sipas udhëzimit të fundit për studimet me kohë të pjesshme, aplikimi i kandidatëve do të nisë me 17 institucionet publike të arsimit të lartë, të shpallin dhe të afishojnë në vende të dukshme kandidatët fitues, brenda datës 27 tetor”, thuhet në udhëzim. Sipas tij, janë një sërë dokumentesh që duhet të dorëzojnë kandidatët, për të bërë aplikimin. Udhëzimi përcakton se duhen 5 lloje dokumentesh në aplikimin për t’u bërë pjesë e studimeve me kohë të pjesshme, ose, siç njihet në gjuhën e përditshme, part-time. Kandidati duhet të paraqesë një fotokopje të noterizuar të diplomës së Maturës Shtetërore dhe certifikatës së notave, ose të ndonjë dëftese apo diplome tjetër studimi, të fituar jashtë vendit, të barasvlershme me të në Shqipëri. “Kandidatët që e kanë përfunduar shkollën e mesme para vitit 2011, të dorëzojnë një fotokopje të noterizuar të dëftesës së pjekurisë së shkollës së mesme”, thuhet në udhëzim. Dokumenti i dytë që kërkohet është kartë identiteti ose pasaporta dhe fotokopjet e tyre. Gjithashtu, kërkohen edhe dy fotografi, dhe mandat-arkëtimi i tarifës së regjistrimit prej 1550 lekësh, paguar pranë Postës Shqiptare. Dokumenti i fundit ka të bëjë me një vërtetim, që dëshmon se kandidati nuk ndjek program tjetër studimi me kohë të plotë ose të pjesshme në ndonjë universitet publik.
Dokumentet për regjistrim
. Fotokopje të noterizuar të diplomës së Maturës Shtetërore dhe certifikatës së notave.
. Kandidatët që e kanë përfunduar shkollën e mesme para vitit 2011, të dorëzojnë një fotokopje të noterizuar të dëftesës së pjekurisë së shkollës së mesme.
. Dokumente identifikimi (kartë identiteti ose pasaportë) dhe fotokopje të tyre.
. Dy fotografi
. Mandat-arkëtimi i tarifës së regjistrimit prej 1550 lekësh, paguar pranë Postës Shqiptare
. Vërtetim që dëshmon se kandidati nuk ndjek program tjetër studimi me kohë të plotë ose të pjesshme në ndonjë universitet publik
ZIRINA LLAMBRO
© Panorama.al











