![Sherif-Ismaili[1]](https://www.panorama.com.al/wp-content/uploads/2012/01/Sherif-Ismaili1-300x200.jpg)
“Kur prisja të udhëtoja nga Beogradi në SHBA, autoritetet jugosllave më riatdhesuan në Shqipëri”
Aventura e dhjetëra të rinjve që arratiseshin nga Shqipëria drejt Jugosllavisë për të kaluar në Perëndim, në shumicën e rasteve rezultonte e pafat. Riatdhesimi i tyre, në bazë të një marrëveshjeje të fshehtë të Sigurimit të Shtetit me UDB-në, pasonte me një kalvar të gjatë vuajtjesh e persekutimi. Një fat të tillë, si dhjetëra e dhejtëra të rinj që merrnin rrezikun në sy për një jetë më të mirë, ka pasur edhe Sherif A. Ismaili, i cili pas rikthimit të detyrueshëm vuajti në burgjet e diktaturës për 20 vite nën akuzën e tradhtisë ndaj atdheut. Ismaili u arratis nga Tamara e Shkodrës, ku kryente shërbimin ushtarak dhe pasi është dorëzuar vullnetarisht në postën e kufirit të ish-Jugosllavisë, është dërguar në Titograd. Pas qëndrimit disamujor në këtë vend është rikthyer në Han të Hotit, duke iu dorëzuar oficerëve të Sigurimit të Shtetit shqiptar. I persekutuari politik i regjimit komunist, Sherif Ismaili, ka deklaruar se në të njëjtën pikë pala shqiptare u ka dorëzuar agjentëve serb një shtetas kosovar, i cili qe arratisur nga Kosova për shkak se kishte shfaqur hapur pikëpamjet e tij kombëtare shqiptare antiserbe.
Zoti Sherif, kur jeni arratisur në Jugosllavi ishit duke kryer shërbimin ushtarak në kufi. Pra, ishit përzgjedhur ndër bashkëmoshatarët për të vigjiluar në vijën e parë të frontit, siç stigmatizohej asokohe. Çfarë ju nxiti drejt kësaj aventure të rrezikshme?
Kushtet politike në atë periudhë përbënin garancinë bazë për kotigjentet që u besohej detyra e kufitarit. Unë me sa dukej i përmbushja dhe pikërisht për këtë besnikëri u përzgjodha për të shërbyer në kufi. Ka qenë viti 1967 kur nisa shërbimin ushtarak në Tamarë, pika kufitare kjo e zonës më të largët të Shkodrës. Atje shkohej me makina të larta dhe jo në çdo muaj të vitit. Rruga ishte shumë e keqe, vende-vende e rrezikshme, dhe që nga muaji tetor e deri në fund të marsit bora e akulli e bënte të pakalueshme. Thuajse jetonim të izoluar. Furnizimi në Tamarë e Budaç bëhej në periudhën e verës e të vjeshtës. Përgjithësisht këto zona kishin dy stinë, verën e vonë, me temperatura shumë të larta e thatësi të madhe dhe dimrin e gjatë me reshje, erë, ngricë e acar. Unë jam lindur në Rrushkull, në një zonë të ulët, dhe shërbimi ushtarak në skajin më të largët verior të Shqipërisë, në një klimë të jashtëzakonshme, qysh ditët e para më përballi me një situatë tejet të vështirë e të paimagjinueshme.
Si ju lindi mendimi për t’u arratisur, ndërkohë që ishit pjesë e efektivit që i ishte besuar ruajtja e kufirit?
![Shtepia-ku-banim-me-femije[1]](https://www.panorama.com.al/wp-content/uploads/2012/01/Shtepia-ku-banim-me-femije1-300x200.jpg)
Pra, nëntë muaj ishit një azilant politik, po më tej si rrodhën ngjarjet?
Ideja e arratisë nuk ishte për të qëndruar në Jugosllavi, sado mirë të na mbanin aty. Që pa u nisur synoja të arrija Amerikën. Këtë ua kërkova autoriteteve zyrtare të Titogradit që ditën e parë. E vërteta është se ato më premtuan që pas një farë kohe do të më dërgonin në SHBA. Ndodhi që pas nëntë muaj e gjysmë gjërat ndryshuan. UDB dhe Sigurimi i Shtetit Shqiptar kishin rënë në ujdi për të më riatdhesuar. Më 15 maj 1968 më hipën në një makinë të mbuluar. Ishin edhe dy persona të armatosur. Nuk më vajti mendja se do të më kthenin. Mendova se po më transferonin në ndonjë kamp, pasi kështu bënin. Para se të më dorëzonin në Han të Hotit më thanë se përtej kufirit më prisnin njerëzit e Sigurimit të shtetit shqiptar. Më këmbyen me një kosovar të arratisur për motive politike nga Kosova për t’i shpëtuar regjimit serb. Mes UDB dhe Sigurimit të shtetit shqiptar kishte marrëveshje të tilla. Dhjetëra kosovarë të arratisur u janë dhënë serbëve për të përfunduar në qelitë e torturave e burgjet e tmerrshme. Një fat i tillë na priste edhe ne të arratisurit për në ish-Jugosllavi.
Çfarë ndodhi me ju pas riatdhesimit të dhunshëm te autoritetet shqiptare?
![familja[1]](https://www.panorama.com.al/wp-content/uploads/2012/01/familja1-300x200.jpg)
Ku e kryet dënimin dhe çfarë kujtoni nga ditnetët e ferrit të burgjeve komuniste?
Dënimin e kam bërë në Spaç, Burrel e së fundi në Sarandë. Në minierën e Spaçit nxirrnim bakër e pirit. Aty u njoha me shumë të burgosur që donin të arratiseshin në ish-Jugosllavi e më pas në Amerikë. Unë mora përsipër t’u tregoja rrugën deri në kufi e që atje në postën e kufirit serb. Ishte një galeri e bërë, por e shembur. Nga poshtë dukej një pjesë e qiellit. Vendosëm ta pastronim dhe të gjenim kohën më të përshtatshme. Bashkëvuajtësi Mustaf Bajraktari, duke pasur frikë se plani i arratisë nuk do të funksiononte, ikën vet pa na njoftuar. Del nga ajo galeri, por kuptohet nga rojet e kampit dhe ndiqet deri sa kapet. Dikush nga brenda burgu më akuzoi se unë kisha tradhtuar. U përpoqa t’ua shpjegoj për t’i bindur se nuk ishte ashtu si mendonin ata. Njëri prej tyre nxjerr sqeparin dhe tenton të më godasë. Unë ia kapa sqeparin dhe e qëllova atë duke e dëmtuar në kokë. I burgosuri vdiq e unë u dënova për herë të dytë. Bashkimi i neneve të të dy dënimeve më dha dënimin me 25 vite burg. Në burgjet e diktaturës jam njohur me të dënuarit politikë si: Ali Çena, Pjetër Arbnori, Vangjel Lezha, Faik Hoxha, Fejzi Alizoti, Avdulla Sallaku, Patër Gegën, Simon Jubanin, Asllan Patriotin e të tjerë. Vitet e burgut i kam kaluar në Burrel, Ballsh, Qaf Bari, Bulqizë, Sarandë. Në vitin 1982 nuk fitova nga amnistia për shkak të nenit të tradhtisë ndaj Atdheut edhe pse një pjesë e të burgosurve përfituan duke iu ulur disa vite. Në kohën që sistemi komunist po jepte shpirt, më liruan në kohën që kisha hequr plot 21 vite në kapet e tmerrshme të regjimit.
Më në fund u rikthyet në Jub-Sukth, morët ndërkaq edhe statusin e të presekutuarit politik. Çfarë keni përfituar gjatë kësaj periudhe prej tij?
Përmbledhtas do të thosha dy fjalë: Nga shiu në breshër. Përveç lirisë së shprehjes e asaj për të udhëtuar kudo, asgjë tjetër. Po, po, asgjë! Madje, gjendja ime sociale sa shkon e bëhet më e rëndë e kërcënuese. E shikoni ku jetoj me gruan e tre fëmijë? Në këtë kasolle, si geto. Në një lloj burgu tjetër do të thoja pa nguruar. Çfarë kam fituar? Asgjë. Këtu është ![statusi[1]](https://www.panorama.com.al/wp-content/uploads/2012/01/statusi1-300x199.jpg)
Po përkujdesje shëndetësore a keni përfituar?
As që bëhet fjalë për të. Jam invalid që nga viti 1997. Mjekët në Tiranë më operuan në mënyrë të gabuar në laring. Mungesa profesionalizimit në diagnostikim, operim e trajtim me kimioterapi më dëmtuan rëndë dhe asnjë mjek nuk mban përgjegjësi. Mjekët më kanë dëmtuar palcën dhe unë tani jo vetëm që flas me shumë vështirësi, por edhe për të dalë në derë apo për të shkuar në tualet më duhet të kërkoj ndihmën e gruas e të vajzës, pasi një person nuk më mban dot. Këtu në Jub-Sukth njerëzit janë të varfër dhe nuk kanë mundësi të më ndihmojnë. E kam të pamundur të kërkoj të drejtën time. Prandaj nuk më kanë dhënë asnjë këst siç kanë marrë bashkëvuajtësit e mi. Edhe letrën me vlerë na e vodhën. Kemi bërë letër e telegrame gjithandej, por nuk kemi fituar asnjë gjë.
Ç’ndodhi me letrën me vlerë dhe cilat kanë qenë hapat e ndërmarrë për të përfituar shumën e lekëve që meritoni nga aksionet?
Te Petrol Impex jemi 300 aksionerë. Aty kam futur 21 milionë lekë letër me vlerë. Ishte shuma e parë e dëmshpërblimit që na ka bërë qeveria si të persekutuar politikë.
Kompania nuk na përgjigjet fare. Drejtori i saj ka llogaritur që ne aksionerët të marrim vetëm nga 10 lekë në ditë, shumë qesharake. Jemi ankuar disa herë, në kompani dhe në instanca të tjera. Shoqata jonë e Integrimit të të Dënuarve dhe të Burgosurve Politikë e di këtë problem. Nuk jam vetëm unë, jemi 300 ish-të dënuar që nuk kemi marrë asgjë edhe pse në letra jemi aksionerë. Kompania ka drejtor Piro Dodën. Vëllai tij ka qenë në burg politik me ne, ka vuajtur si ne, është dënuar pa asnjë shkak dhe ka hequr dënimin vite të tëra në galeri të nëntokës. Por Piro Doda nuk do t’ia dijë për ne. Ai është shkaktari kryesor që ne nuk marrim asgjë nga ajo që na takon. Madje, nuk ka pranuar të bisedojmë. Sa herë jemi përpjekur na kanë zënë me dhunë e na kanë mbyllur derën. Kështu siç më shihni kam shkuar në portën e kompanisë dhe sapo u kam kërkuar të takoj Dodën, më kanë larguar me forcë. Tani jam invalid se nuk do të guxonte njeri të më bënte atë që më bënë.
Në vitet e burgut apo më pas jeni bërë invalid?
Në vitin 1990 dola nga burgu me ndryshimet e reja politike që po vinin në Shqipëri. Punova në Rrushkull në punë shumë të rënda. Burgu më kishte bërë gjysmënjeri. Njerëzit në fshat më shikonin me sy të shtrembër. Nuk më takonte e as nuk më përshëndeste njeri edhe pse në Tiranë kishte nisur të ndihej era e shembjes së sistemit komunist. Disa vite më pas, më 1997, unë u sëmura dhe u shtrova në spital me probleme në laring. Mjekët më kanë operuar dhe për disa kohë më bënë kimioterapi. Rrezet më dëmtuan rëndë palcën. Veç problemeve me laringun, më polli edhe belaja tjetër. U paralizova. Nuk lëvizja dot më. Mjekët, për të më nxjerrë nga spitali, më thanë se shërimi do të vijë ngadalë dhe se do të arrij të eci. Por nuk ndodhi kështu. Kam 11 vite i paralizuar. Gruaja e njëra nga vajzat më dërgojnë në banjo. Kështu, gjysmënjeri, më dërguar edhe në portën e kompanisë “Petrol Impex”, ku më zunë me shqelma. As dje e as sot nuk kam mundësinë më të vogël për t’i hedhur në gjyq mjekët që më prenë në mes jetën. Edhe para nuk kam. Shteti më detyrohet 145 milionë lekë si i dënuar politik. Nuk kam marrë asnjë qindarkë. Jetoj si mos më keq në këtë kasolle që po rrëzohet. Tri vajzat janë në shkollë, kurse gruaja është lidhur pas meje. U kam kërkuar të gjithë njerëzve që t’i shkruajnë Kryeministrit shqiptar. Jam i bindur se Berisha nuk ka dijeni për shumë nga vuajtjet që heqim ne. Nëse Berisha do të dërgojë një njeri të tijin të më takojë e të shohë se ku jetoj e ç’gjendje kam, jam i sigurt se jeta e fëmijëve të mi do të ndryshojë shumë shpejt. Nuk kam asnjë shpresë tjetër, veçse të pres nëse dikush i qeverisë do të shohë realisht jetën time, të gruas e të 3 vajzave, mjerimin e thellë dhe vuajtjet që nuk m’u ndanë që kur isha ushtar e deri tani.
LEONIDHA MUSAJ
© Panorama.al











