Une gruaja perballe: Si i bëhet hallit?

Sep 4, 2011 | 12:16

Sot po ju ulem vetë përballë. Kisha kohë që i thosha Anildës (“Unë gruaja përballë”) se po u binte ca si shumë më qafë meshkujve këto kohët e fundit. Thua se për të gjitha prapësitë në jetën e tonë e kanë fajin ata (!). I thashë: Zbute pak lapsin të shkretën, se i tmerrove edhe ato pak femra që ende ëndërrojnë të gjejnë dashurinë e vërtetë dhe burrin e ëndrrave të tyre. Se fundja, edhe ne femrat nga një brumë jemi gatuar… e jo rrallë herë e kapim veten duke u shkumbavitur e hakërryer me të shkretin që kemi përballë, apo me këdo që na gjendet para, kur na kërcen damari në ballë. Një nga këto ditët e nxehta, duke mos pasur mundësi të lëviz nga Tirana, u ula të pija një kafe me dy mikesha të miat, në një nga baret e shumta të zonës së ish-Bllokut. Një nga ato me karrige në trotuar, ku ke mundësi të rrotullosh sytë e të komentosh këdo që bën paradë para teje. Pa tretur ende sheqerin në kafen e ftohtë, nisi sfilata. Ja tek po kalonte njëra me një fustan aq të shkurtër, saqë dukej se kishte dalë vetëm me bluzë e kishte harruar pa veshur fundin. Një tjetër, nën diellin që përvëlonte lëkundej sa para-mbrapa mbi ca taka një pëllëmbë të larta. Derisa u fut pas “kuintash”, pata frikë se do rrëzohej. Ooooo… një tjetër ka dalë me kostumin e gjumit. Një palë pantallonka të shkurtra fare, të kuqe me pika dhe një kanotiere me dantellë… Mund t’i ketë edhe firmato, dakord, por jo për të dalë xhiro…!!! Kurse njëra e kish lyer aq shumë fytyrën me krem pudër, saqë dukej si kukull porcelani. Po si ia bën xhanëm në këtë vapë!! Me kaq sa pashë, i dhashë të drejtë vetes se Anilda vërtetë ekzagjeronte. Shih ç’bëhet!? Nuk bëhet fjalë më për kod veshjeje. Ok, jam dakord, është më mirë kur je i lirë të veshësh çfarë të duash dhe jo si njëherë motit, kur të gjithëve na gjeje në dollap të njëjtat rroba… Por besoj duhet bërë një lloj dallimi mes asaj që veshim kur dalim paradite për një kafe, nga një party apo darkë.. E ndërsa po gatuaja me këto mendime në kokën time, një nga mikeshat që ishte ulur pranë meje ndante të njëjtën mendje me mua, më bën me shenjë të shoh pak me lezet në tavolinën ngjitur. Në fakt, unë nuk shquhem për këto “shikimet me lezet” dhe nuk jam e sigurt për reagimin. Pranë nesh ishte ulur një goxha djalë, që binte në sy jo thjesht prej pamjes, por edhe bluzës me ngjyrë të ndezur që kishte veshur. Dhe kjo jo pa qëllim. Ai vërtet donte të binte në sy. Duke e pasur afër, nuk e kisha të vështirë të dalloja se djali kishte bërë një depilim të këmbëve dhe krahëve, për merak! Në mënyrë instiktive hodha një vështrim nga këmbët e mia dhe vërtet nuk i kisha aq të shkëlqyera sa të tijat. Ma kuptoni hallin besoj. Pas plazhit, ajo ngjyra çokollatë të del nga hundët, kur fillon e zhvishet… “E, o mirë, thashë. Djali duhej ta bënte performancën e plotë. Ndryshe nuk do t’i binte edhe aq në sy përpjekja dhe mundi në palestër, për të formuar gjithë ata muskuj!! E teksa po shprehja mendimin tim, sigurisht me zë jo shumë të lartë, bashkëfolësja më bën me sy të shihja nga ana tjetër e tavolinës. Komshiu nuk kishte kush e di ç’muskuj, por ama depilimin e kishte qarë… Pamë disa syresh vetëm gjatë një kafeje dhe.., besomëni, i dhashë Anildës së drejtë. Dhe jo vetëm Anildës, por edhe atyre vajzave që i bëra telendi pak më parë. Ç’të bëjnë të shkretat?! Kur i ke armët e limituara, duhet të bësh një gjë për të rënë në sy. Se me çfarë pashë, meshkujt kanë filluar të rrinë më shumë para pasqyrës e në qendra estetike, se të shohin ndonjë bukuroshe…! E çfarë mësojmë nga kjo? Hiç… Mbase freskohet… e mblidhet dynjaja…                              a.m

© Panorama.al

Te lidhura