Kanë kaluar dy javë, por data është ende 8 maj. Çfarë s’po bëj që t’i shpëtoj këtij mendimi. Sa e harroj, tak, vetëm kur më del në lajme, emisione, te dyqani i lagjes… Ma kujton çdo i panjohur që më heton ngultas e me dyshim se mos nuk jam në një mendje me të. Po si mund të jem një mendje me të? Si mund të kaloj nga i njëjti shteg arsyetimi me të? Si mund t’i bëj llogaritë si ai?
Ky Burri që them unë, rri gjithë ditën duke llomotitur, bërtitur, kacafytur dhe e mbron idealin e vet pa e llogaritur se çfarë mendoj unë. Është ai që shoh tek lokali afër shtëpisë sime. Po të kishte kohë më shumë, do të ishte marrë me zgjidhjen e punëve të këtij vendi. Kur çështja politike ka arritur në pikën që nuk mban më, pyetet vetëm ai, ndërsa kur ka dyshime në marrjen e vendimeve të rëndësishme, nxjerr nga xhepi i brendshëm i xhaketës një fytyrë që e ruan për këtë ditë. Kërruset, rrotullon qafën, i jep shpatullave mbrapa dhe, asgjë. Ai nuk mund të thotë dot asgjë. E shoqja do të ketë gjene të ndryshme nga ne të tjerët, se nuk po mësohet dot me angazhimet e të shoqit. Ajo me zë të lartë thotë: “Pika që s’i bie!” po nën zë thotë ca gjëra më shumë. Ky shkrim uroj t’u bjerë në dorë, sepse di një këshillë që japin psikologët, ku të munden, se komunikimi i bën shumë mirë çifteve. Në fakt, flasin gjithë ditën (se për natën nuk e di). Ajo i kujton se vetëm rroga e saj nuk mjafton, kurse ai i kërkon asaj të kujtohet se me kë po flet. Pse nuk e ka njohur kjo grua të shoqin ende!? Si nuk ia di vlerën këtij burri!? Edhe ai ka punuar. Që para dy vjetësh ka rregulluar katër brava dyersh dhe një prizë komshinjve. Tani ka punë të tjera; pesë herë ishte në miting, katër ditë me radhë u mor me verifikimin e emrave të gjithë farefisit në lista. Një të diel pushim, nuk e do ai? I ka ecur, se kjo e diel u bë si telenovelë. E shoqja nuk ia trazon botën, të cilën e ka të lidhur ngushtë me ca personazhe që nuk mund ta kenë kurrë më me pasion se ai këtë punë. Peng ka vetëm që nuk po i marrin atij një mendim se si do të shkojë rezultati, kutitë… nuk e njohin, prandaj. Por, do të vijë një ditë që fama do të marrë dhenë dhe atëherë e shoqja do ta ketë për nder të madh t’i dalë shpirti me shtëpinë mbi supe, kurse atij, me fatet e kombit mbi supe. Më duket vetja sikur jam brenda së njëjtës ëndërr që sheh ai, teksa u mban referate shokëve të mejhanes. Deri të dielën tjetër kush e di se ç’do t’i ketë dalë, kurse neve thjesht na duhet ta marrim më shtruar e të kujdesemi më shumë për veten.











