Thonjëzat tek fjala “kapedani” më shpëtuan nga dy gjëra: e para se munda të dal nga titulli i filmit dhe e dyta për të ikur nga kuptimi i parë si prijës apo udhëheqës. Direkt pas mbylljes së thonjëzave, vjen batuta: “Pulave u ka hije të kakarisin vetëm në kotec”. Për ca gjëra ka pasur të drejtë, edhe pse kjo të duket si “pickim”. Meqenëse unë e kam shumë për zemër xha Sulon, dua ta ruaj atë si unik, kundrejt varianteve të tij të sotme të lodhura. Prej origjinalit kanë një shmangie të lehtë, nga (kape)dane, në (lëshoje)dane. Në një fletërrufe nr.2 gratë mund të kishin shpërthyer kështu: “Neve vërtet na ka hije të kakarisim vetëm në kotec, por vetëm kur:
1)Kaposhi i vërtetë të këndojë këngën që i ka hije
2)Dhe kur kaposhi i mëngjesit të mos kakarisë si pulë.”
Me kaq e mbyll kundërpërgjigjen time, për të dalluar kapedanin e vërtetë nga ai që bën gjasme. I vërteti e kap këtë letër, e bën copë e çikë, kurse ai fals, edhe pse mund të turfullojë si tenxhere me presion, nuk i bën zë. Madje e merr këtë si trofeun e radhës në panairin e naivëve. Denatyralizimi i shpërfaq në rastin kur duan të japin mend pa ia kërkuar njeri. Kapedani kur ndukte mustaqen e majtë, shkrepej topi i majtë, ndërsa me këta të sotmit mund të bësh penallti kur të duash. Më ka marrë malli për atë që ishte bio. I ashpër, fanatik, ama nuk ndërronte fjalë dhe matej me burra. Lloji i ri që qarkullon ka deformime edhe në mënyrën se si të shohin. Dinë të thonë shumë pak fjalë edhe ato i kanë të gjitha afirmuese. Domethënë ankohesh se bie shi me gjyma dhe ai është gati ta aprovojë, edhe pse mund të jetë duke përcëlluar dielli… Ai i vërteti ecte me duar në xhep, kapardisur sikur edhe bota të përmbysej nuk i luante qerpiku, ndërsa këta izomerët “e vegjël” shfaqen si miza dheu. I kthehem me dhjetëra herë këtij filmi, është i vetmi vend ku mund të kuvendosh me një trim të vërtetë. Është i vetmi që më kujton se sa vështirë është të jesh vetë nga natyra kapedan, pa të bërë kush dhe ta dish mirë se edhe ajo kakarisja ka vlerën e vet.
Anilda Kaçaçi
e-mail: [email protected]











