Unazat e Fierit e Vlorës, debate për çmimin e rrugës

Jan 26, 2012 | 11:58

Komisioni i Ekonomisë

Miratohet me konsensus kredia. Gjoni: Çmimi, brenda standardeve

PS: Ka ndryshime të mëdha mes kostove të autostradave

Nëse dy ditë më parë opozita shqetësohej se pse kostoja e parashikuar e ndërtimit të një autostrade ishte e ulët, dje qëndrimi ka qenë krejt i kundërt. Në diskutimin e marrëveshjes së kredisë që qeveria ka firmosur me BERZH për bashkëfinancimin e dy By-pass-eve, atij të Fierit dhe atij të Vlorës, në Komisionin e Ekonomisë, problemi që u ngrit ishte kostoja e lartë për kilometër. Deputeti i Partisë Socialiste për qarkun e Fierit, Albert Ca-ci, vlerësoi se By-passi i Fierit, me një gjatësi 22 kilometra dhe me një kosto të vlerësuar 60 milionë euro, shkon gati 3 milionë euro për kilometër, pra kosto mjaft e lartë për një autostradë fushore. Zëvendësdrejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve, Ylli Gjoni, u shpreh se kostoja për By-passin e Fierit shkon rreth 2.8 milionë eruo për kilometër dhe kjo është një kosto e ulët në raport me kostot para-metrike për këtë kategori, autostradë me katër kalime dhe me një numër të caktuar veprash në të. “Për këtë standard, kostoja mund të jetë nga 3-5 milionë euro, flasim këtu për autostrada të standardit që është kjo me 24 metra gjerësi, me dy kalime në secilin krah me bandë rezervë, korsi të veshura me asfalt, korsi të emergjencës dhe me kushtet ku ajo ndërtohet me kryqëzime në disnivel, jo në nivel. Autostradat e Europës të këtij standardi janë 3-5 milionë euro/km, varet nga terreni. Kjo 2.8 milionë euro është e lirë”, u shpreh Gjoni. Një tjetër shqetësim i opozitës ishte ai i shpronësimeve dhe ajo e përcaktimit të saktë në kontratë të marrëdhënieve kontraktuale të zbatuesve të projektit për të evituar një përsëritje të historisë së Fier-Vlorë. Drejtori i Përgjithshëm i Rrugëve, Andi Toma, u shpreh se marrëdhëniet mes kontraktorit dhe nënkontraktorëve i rregullon një kontratë standarde e hartuar sipas procedurave ndërkombëtare, kurse lidhur me shpronësimet sqaroi se ato janë në proces. “Mund t’ju them që nga ana jonë është hartuar i gjithë plani i shpronësimeve, është mbledhur gjithë dokumentacioni dhe dosja, që tashmë janë pranë Komisionit të Shpronësimeve, gjykoj dhe mendoj që jemi në një fazë të mirë të këtij procesi”, tha ai. Në fund, Komisioni i Ekonomisë votoi marrëveshjen për kredinë 53 milionë euro, që do të shkojë për financimin e dy By-passeve, së bashku me financimin e BEI dhe Komisionit Europian. By-passi i Fierit ka një gjatësi 22 kilometra dhe një kosto të parashikuar 60 milionë euro. Lidhur me këtë projekt është miratuar fillimi i procedurave të tenderimit dhe punimet do të fillojnë brenda këtij viti. Ndërsa By-passi i Vlorës ka një gjatësi 29 kilometra, me një kosto të parashikuar 50 milionë euro. Për projektin është kryer tenderimi nga Komisioni Europian, ku është përzgjedhur një kompani franceze, që është në përfundim të projektit të plotë të zbatimit.

Debati ne komisionin e ekonomise
Albert Caci:
Kostoja e këtij By-passi është 60 milionë euro, i bie gati 3 milionë euro për kilometër. Jemi në kushtet e një autostrade fushore. Një kilometër autobandë sot kushton 1 milion euro, ne ndërtojmë një rrugë fushore 3 milionë euro. Duhet të di si e gjykoni ju këtë kosto.
Ylli Gjoni: Kostoja është 2.8 milionë euro për kilometër. Tani, kosto për kilometër e autostradës së By-passit të Fierit konsiderohet e ulët në raport me kostot parametrike të kësaj kategorie. Për këtë standard, kostoja mund të jetë nga 3-5 milionë euro, pra për autostrada të standardit me 24 metra gjerësi, me dy kalime në secilin krah me bandë rezervë korsi të veshura me asfalt, korsi të emergjencës dhe me kushtet ku ajo ndërtohet me kryqëzime në disnivel jo në nivel.
Arben Ahmetaj: Disa projekte të ndryshme, duke filluar nga Durrës-Kukës, kanë standarde të ndryshme kostoje. Dje për shembull (për Tiranë-Elbasan) dilte një kilometër 10 milionë euro, sot një kilometër del deri në 3 milionë ndërkohë që ka pasur kilometra në Durrës-Kukës që kanë shkuar edhe vetëm kilometri pa tunelin 19 milionë euro. Ka standarde për terrene standarde në Drejtorinë e Rrugëve?
Ylli Gjoni: Është e pamundur që të bësh një tipologji të çmimit për kilometër të autostradave, sepse duke qenë se rruga është një infrastrukturë lineare, e shtrirë në territorin ku kalon dhe territoret janë shumë heterogjene, nuk mund të përcaktosh dot një parametër. Por një autostradë në terren fushor mund të kushtojë nga 2.5 në 5 milionë euro, një autostradë në terren kodrinor 5-10 milionë euro dhe një autostradë në terren malor është 10-20 milionë euro për kilometër. Autostrada Rrëshen-Kalimash, pjesë e Durrës-Kukës, ka kushtuar 9 milionë euro për kilometër në pjesën e saj pa tunelin dhe tuneli vetë është 20 milionë euro për kilometër. Po të bësh kosto të kombinuar, është 12.5 milionë euro për kilometër, që është edhe kjo brenda standardit të një autostrade malore me kushte jashtëzakonisht të vështira.
Ervin Koçi: Ne kemi pasur një përvojë të hidhur sidomos në rrugën Fier-Telepenë, Fier-Vlorë, ku shpronësimet në disa komuna ende nuk janë bërë. Si do veprohet në këtë rast, sepse mund të jetë përsëri problem? Për sa i përket zbatimit, ne kemi pasur dështim në zbatim, sidomos për Levan-Vlorë, pasi firma fituese e tenderit pati probleme me nënkontraktorët, që solli probleme në zbatimin e punës. A e keni gjetur zgjidhjen që të mos kemi vonesa?
Andi Toma: Lidhur me shpronësimet, është e vërtetë që shembulli që u tha ka ekzistuar. Kemi pasur probleme me shpronësimet sa i përket Levan-Vlorës, që do konsistonin në çmimin e përcaktuar sipas metodologjisë dhe normave që janë në fuqi, sa i përket ligjit të shpronësimeve. Mund t’ju them që nga ana jonë është hartuar i gjithë plani i shpronësimeve, është mbledhur gjithë dokumentacioni dhe dosja tashmë është pranë Komisionit të Shpronësimeve. Gjykoj dhe mendoj që jemi në një fazë të mirë të këtij procesi. Lidhur me Fier-Vlorë është e vërtetë që ka pasur probleme të kontraktorit në këtë autostradë, por gjithsesi nëpërmjet procedurave përkatëse kontraktuale ato janë zgjidhur dhe nuk besoj që një shembull i keq të merret për të bërë vlerësimin për të gjitha.

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura