Banore dhe pronare të tokave në krah të liqenit artificial u konfrontuan dje me policinë. Shkak është bërë ndërtimi i unazës së madhe të Tiranës. Banorët kanë kërkuar pezullimin e punimeve dhe hyrjen në negociata me autoritetet për dëmshpërblim. Ata theksuan se nuk janë kundër ndërtimit të kësaj rruge, por shtojnë se sipërfaqja e cila do të preket, kërkon kompensim. “Jemi pronarë të ligjshëm dhe disponojmë dokumentet e tokës. Nuk jemi kundër ndërtimit të kësaj rruge, por qeveria duhet të na dëmshpërblejë”, u shprehën disa prej protestuesve. Për më shumë se 30 minuta, ata u konfrontuan edhe me policinë, e cila kishte ardhur në ndihmë të firmës që po merret me realizimin e punimeve. Pas kësaj proteste, reagoi Ministria e Transporteve. Sipas këtij dikasteri, prona mbi të cilën kanë filluar punimet për Unazën e Madhe, është pronë shtetërore, dhe jo private. Incidenti i djeshëm është vetëm një përpjekje e militantëve të PS-së për të bllokuar punimet. “Punimet kanë filluar në atë pjesë të projektit, në të cilin, sipas konfirmimit zyrtar të dhënë nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë, pasuritë rezulton të jenë në pronësi të shtetit dhe konkretisht me nr. pasurie 1/24, e ndodhur në Zonën Kadastrale nr.8280 Sauk, dhe jo në pronësi private, sikurse pretendohet dhe spekulohet”, tha dje zëdhënësja e Transporteve Arminda Qylafku. Lidhur me pretendimet e banorëve, të cilët kanë kërkuar që të kompensohen paraprakisht për pronën e tyre që do të përfshihet nga projekti i Unazës së Madhe, MPPT-ja ka dhënë sqarimet përkatëse. Sipas kësaj të fundit, për pasuritë e paluajtshme në pronësi private, të cilat preken nga ndërtimi i këtij segmenti rrugor, po ndiqen procedurat përkatëse ligjore për shpronësimin e tyre.











