Kryeministri britanik Keir Starmer i ka drejtuar një paralajmërim të ashpër platformës X, duke bërë të qartë se Mbretëria e Bashkuar do të ndërhyjë menjëherë nëse kompania dështon të kufizojë abuzimin me chatbot-in e inteligjencës artificiale, Grok. Paralajmërimi vjen pas një vale raportimesh sipas të cilave mjeti po përdoret për krijimin e imazheve të seksualizuara të grave dhe fëmijëve.
Për këtë arsye, autoriteti rregullator britanik për mediat dhe komunikimet, Ofcom, ka nisur një hetim zyrtar për shkelje të mundshme të legjislacionit mbi sigurinë në internet.
Duke folur para deputetëve të Partisë Laburiste, Starmer dënoi ashpër sjelljet që lidhen me përdorimin e Grok.
“Nëse X nuk është në gjendje ta kontrollojë Grok-un, do ta bëjmë ne – dhe do ta bëjmë shpejt”, deklaroi kryeministri, duke shtuar: “Nëse përfitoni financiarisht nga dëmi dhe abuzimi, humbni të drejtën e vetërregullimit”.
Nga ana tjetër, profesori i së drejtës Wayne Unger, duke shkruar për faqen The Conversation, e përshkroi përhapjen e imazheve pa pëlqim si një “pasojë të parashikueshme të kombinimit të politikave të dobëta të kontrollit të përmbajtjes në X dhe aksesit të lehtë në mjete të fuqishme të inteligjencës artificiale gjeneruese”.
Në kuadër të hetimit, Ofcom do të vlerësojë nëse platforma X ka respektuar detyrimet ligjore për mbrojtjen e përdoruesve në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa mundësia e vendosjes së sanksioneve tashmë konsiderohet reale. Ndërkohë, disa përfaqësues të qeverisë janë shprehur në favor të ndëshkimeve të rënda, ndërsa pjesë të opozitës paralajmërojnë kundër një ndalimi të plotë të platformës, duke ngritur shqetësime për lirinë e shprehjes.
Vlen të theksohet se kompetencat e reja të dhëna Ofcom-it përmes ligjit për sigurinë në internet, i cili hyri në fuqi në fund të marsit 2025, i japin autoritetit më shumë fuqi për të vepruar kundër përmbajtjes së paligjshme, veçanërisht kur bëhet fjalë për mbrojtjen e fëmijëve.
© Panorama.al












