
Kryeministri Sali Berisha ka vazhduar vizitën e tij në Mal të Zi, ku është pritur nga kryetari i Komunës, Nazif Cungu. I pyetur nga gazetarët, kryeministri Berisha ka dhënë mendimin e tij lidhur me ligjin e ashtuquajtur për ruajtjen e rendit dhe qetësisë, ku me një nen të posaçëm, ju kufizohet mënyra e përdorimit të simboleve dhe flamurit shqiptarëve etnik.
“Me miqtë diskutohet gjithçka me njeri –tjetrin dhe ju garantoj se ne kemi trajtuar të gjitha problemet së bashku. Mendimi im miqësor është ky; në institucionet publike, çdo vend rregullon me ligj përdorimin e simboleve edhe vendet me te lira në Botë, e kanë rregullin e tyre. Për qytetarët, dua të jem shumë i sinqertë, në mënyrën më miqësore theksoj se, shteti nuk duhet të ketë asnjë lloj preokupimi dhe problemi me çfarë simbolesh preferojnë apo pëlqejnë ata. Individët janë individ, sektori publik është sektor publik dhe unë në Shqipëri, ju garantoj se po të kaloni, një shtëpi e shikoni me një flamur, sepse djali punon në atë vend dhe ka nxjerre fitimet që vjen dhe ndërton shtëpinë dhe një shtëpi tjetër ka një flamur tjetër, por në të gjitha rastet flamujt janë vetëm për të nderuar dhe ne duhet të nderojmë flamujt e njëri-tjetrit, sepse janë simbole të sakrificave të bëra për liri dhe dinjitet kombëtar në çdo vend.”- është përgjigjur Berisha.
Kryeministri ka vlerësuar si pozitive marrëdhëniet mes malazezve dhe shqiptarëve
“Unë konsideroj se marrëdhëniet ndër etnike në Mal të Zi kanë njohur zhvillime qartësisht pozitive dhe i kanë realizuar këto zhvillime në mënyrën me të qytetëruar.”- tha Berisha.
Më tej kreu i qeverise tha se kalimi i shqiptarëve të Malit të Zi me letërnjoftim drejt Shqipërisë është çështje kohe. Sipas tij, nuk do të zgjasë më shumë se 5-6 javë sa të kalojë në parlament, pasi tashmë s’ka asnjë pengese tjetër.
Më herët kryeministri ka patur një ndalesë në Komunën Urbane të Tuzit.
© Panorama.al











