Kryeministri Edi Rama u është përgjigjur disa komentuesve në rrjetin social Facebook, lidhur me vendimin për uljen e çmimit të energjisë me 1 lekë për kilovat, për konsumatorët që shpenzojnë deri në 700 kilovat.

Rama, në rubrikën që ka vendosur ta quajë ‘Sy m’sy’ është shprehur se qeveria e tij nuk e ka rritur kurrë çmimin e energjisë, por për një dekadë rresht e ka mbajtur në normën 9.5 lekë.
Më tej thotë se Shqipëria është vendi i parë në Europë që ka ulur çmimin e energjisë, pas agresionit rus mnë Ukrainë.
Dhe së fundmi, për ata që thonë është ulje elektorale, Rama e mohon duke thënë se nuk bën asnjë veprim të kësaj natyre, kundër logjikës ekonomike të vendit.
“Mos harroni diçka tjetër, kur nuk e kam bërë këto më parë, kur kisha dikë në prehër, do t’i bëj tani në prag të zgjedhjeve ku do të marrim fitoren e dhjetë radhazi. Do të ketë notën 10 për nga thellësia e rezultatit”, thotë ndër të tjera kreu i qeverisë.
Rama: E para njëherë ne nuk e kemi ngritur asnjëherë çmimin e energjisë elektrike. Kemi mbajtur një dekadë rresht çmimin 9.5 lekë që për shumicën dërrmuese ishte më i ulët se çmimi që gjetën, prej 13.5 lekësh.
E dyta, çmimi që jo vetëm nuk është ulur në të gjithë botën, por është rritur pas agresionit. Kjo e jona është ulja e vetmja në Europë për familjarët të paktën që nga familjarët.
Kush thotë që është ulje elektorale, duhet të më gjejë një veprim të kësaj natyre, për vota, kundër logjikës ekonomike të vendit. Nuk ka, mos kërkoni kot se nuk ka ndodhur.
Mos harroni diçka tjetër, kur nuk e kam bërë këto më parë, kur kisha dikë në prehër, do t’i bëj tani në prag të zgjedhjeve ku do të marrim fitoren e dhjetë radhazi. Do të ketë notën 10 për nga thellësia e rezultatit dhe diferenca me kundërshtarin.
E fundit, llafet i merr era. Për mua ka rëndësi fakti që duke filluar nga muaji shkurt, për mbi 1 milionë konsumatorë familjarë do të paguajnë më pak për energjinë elektrike, ndërsa pensionistët do të kenë një pension minimal plus nga kjo ulje. Të kaloni mirë!
© Panorama.al











