Ashtu siç pritej, vendimi i parë i mandatit të dytë të guvernatorit Fullani ishte ulja e normës bazë të interesit për lekun.
Banka e Shqipërisë vendosi dje që norma bazë e interesit të jetë 4.75 për qind, ose më e ulëta, të paktën që nga viti 2003. Ulja historike e normës bazë të interesit pason parashikimet më pak optimiste të bëra ndonjëherë nga Banka e Shqipërisë. Guvernatori Fullani tha dje në argumentimin e vendimit se ekonomia shqiptare po zhvillohet nën kapacitetin e saj. “Pavarësisht rritjes pozitive, kërkesa agregate pritet të mbetet nën nivelin potencial të ekonomisë shqiptare, duke përcaktuar shfrytëzimin jo të plotë të kapaciteteve në ekonomi dhe duke gjeneruar presione të ulëta inflacioniste, të cilat e kanë origjinën nga kërkesa”. ARGUMENTIMI Në fakt, zhvlerësimi i lekut, që vjen si pasojë e uljes së normës bazë, duhet të shtojë ndikimin në rritjen e inflacionit. Por parashikimet e Bankës së Shqipërisë tregojnë se kërkesa e brendshme nuk do të jetë e tillë sa të bëjë presion mbi çmimet dhe, nga ana tjetër, mallrat dhe shërbimet që importohen, nuk kanë gjasa të shtrenjtohen e të rritin presionin mbi inflacionin. Me pak fjalë, individët shqiptarë nuk do të konsumojnë më shumë gjatë muajve në vazhdim, dhe situata ekonomike e Europës pritet të sjellë ulje çmimesh të mallrave të importit. Kjo “ngecje” e ekonomisë bën që presionet për rritje të çmimeve të jenë minimale dhe të lejojnë Bankën të zhvlerësojë lekun. “Aktiviteti ekonomik ka vijuar të mbështetet kryesisht nga kërkesa e huaj dhe rritja e eksporteve, ndërkohë që ndikimi i sektorit publik ka ardhur në rënie dhe konsumi e investimet private mbeten të dobëta. Në veçanti kërkesa e sektorit privat vlerësohet të jetë e ngadaltë. Edhe pse në kushtet e ecurisë pozitive të të ardhurave reale, shpenzimet konsumatore vlerësohen të dobëta, të ndikuara nga pasiguria për të ardhmen dhe nga orientimi i rritur i konsumatorit shqiptar drejt kursimit. Nga ana tjetër, edhe nevoja e bizneseve private për ndërmarrjen e investimeve të reja është e ulët, në kushtet e një kërkese të moderuar për mallra e shërbime, dhe në prani të shfrytëzimit jo të plotë të kapaciteteve të prodhimit”, kjo ishte pasqyra ekonomike që bëri dje guvernatori.
EFEKTET
Ulja e normës bazë të interesit do të thotë qarkullim më i lirë i lekut. Efektet pasuese, të menjëhershme të kësaj politike, janë ulja e normës së interesit të depozitave dhe të kredive që jepen në lekë. Nga ana tjetër, ulet edhe norma e interesit të bonove të thesarit ose borxhit të qeverisë. Vendimi i djeshëm i Bankës i shërben sidomos borxhit apo rinovomit të tij nga qeveria. Kjo e fundit do të paguajë më pak interesa për borxhin që merr. Ulja e normës bazë pritet të ulë interesin për depozitat e qytetarëve dhe bizneseve në lekë. Por prirjet për ulje të konsumit dhe rritje të kursimeve nuk pritet të ndikohen nga ulja e interesave të depozitave. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për kreditë. Ulja e normës bazë të interesit do të ulë normën e interesit për kredinë në lekë që aplikojnë bankat. Por vetëm raporti i Bankës së Shqipërisë thotë që bizneset nuk po kërkojnë kredi sa duhet dhe bankat kanë vështirësuar kushtet, jo normat e interesit. Pra, duket se ulja e normave të interesit të kredive nuk pritet të shoqërohet me rritje të kreditimit. Vetëm në rast se Banka e Shqipërisë e shoqëron këtë nismë me lehtësime të tjera, apo kushte të tjera për bankat që i detyrojnë ato për rritje të kreditimit. Edhe efekti që mund të japë ulja e kërkesës së qeverisë për bono thesari, pra ulja e deficitit, nuk është se do të ketë ndikim direkt në rritjen e kreditimit. Ekspertë të Bankës së Shqipërisë tregojnë nën zë se janë rreth 800 milionë euro ose kundërvlera në lekë, para që bankat i kanë në dispozicion për bizneset dhe individët, por hezitojnë t’i japin kredi për shkaqe të ndryshme nga norma e interesit.
EFEKTET E “FSHEHTA”
Pra, ulja e normës bazë të interesit, e pashoqëruar me masa të tjera nga Banka e Shqipërisë, nuk pritet të japë një stimul për ekonominë. Nuk pritet të rritet kreditimi, sepse vetëm banka pohon se nuk janë interesat e larta ato që e pengojnë kredinë. Ka një efekt tjetër që mund të ketë ndikojë pozitivisht në ekonomi nga ulja e normës bazë. Zhvlerësimi i lekut pason një vendim të Bankës Qendrore Europiane për uljen e normës bazë të euros. Në kushtet aktuale, pra pa ndonjë ndryshim të parametrave të sektorit të jashtëm, euro pas vendimit të BQE, do të ishte më e lirë. Kjo mund të përkthehej në fitim të terrenit të lekut ndaj euros. Vendimi i djeshëm i Bankës bën që leku të zhvlerësohet dhe, në këtë mënyrë, mund të barazohet efekti në kursin e këmbimit. Zhvlerësimi i lekut në kursin e këmbimit i bën më interesante eksportet shqiptare dhe investimet e huaja. Me një euro që vjen nga jashtë, paguhen më shumë taksa, paga dhe kosto të këmbyera në lekë. Nga ana tjetër, zhvlerësimi i euros nuk i intereson fort qeverisë. Çmime më të lira do të thotë më pak taksa për një vend si Shqipëria, që shumicën e mallrave dhe shërbimeve e merr nga jashtë. Ndoshta këto arsye e bëjnë më të besueshëm vendimin e djeshëm për uljen me 0.25% të normës bazë të interesit për lekun.
BQE ULI INTERESIN E EUROS
Bankat qendrore duket se kanë filluar një “fushatë” uljesh të normës së interesit, për të ruajtur balancat para krizës së eurozonës. Një masë e tillë ishte ajo e Bankës Qendrore Europiane, e cila vendosi në fillim të muajit nëntor të ulte normën e interesit për monedhën euro. Vendimi i BQE ishte që kjo normë të ulej me 0.25 pikë përqindje dhe, nga 1.5 për qind që ishte norma e interesit të euros, të ulej në 1.25 për qind. Në fakt, marrja e kësaj mase u ndje direkt tek Euribor-i, i cili pati një tendencë të uljes së tij.
NERTILA MAHO
© Panorama.al











