Uidhers: Shqipëria, si Rusia e Ukraina

Jan 18, 2012 | 11:09

Ish-ambasadori i SHBA, John Withers

Ish-ambasadori amerikan flet për demokracinë në vend: Nuk po ndiqni rrugën e demokracisë perëndimore

“Liderëve politikë s’u vjen nga zemra demokracia, s’u vjen për shtat”

Ish-ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Xhon Uidhers, shprehet i shqetësuar për gjendjen e de-mokracisë në vend.
Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, diplomati amerikan thotë se vendi ynë nuk është duke ecur në drejtimin e duhur. Madje ai e ka krahasuar Shqipërinë me Hungarinë, Rusinë dhe Ukrainën. “Shqetësohem se më duket se Shqipëria nuk po ndjek rrugën e demokracive perëndimore, por po shkon në drejtimin që po shkon Hungaria, e cila po merr masa shtypëse ndaj medias, apo në drejtimin e Ukrainës, që përdor gjykatat për të sulmuar udhëheqës të opozitës apo për të mbrojtur aleatë politikë dhe miq. Mendoj se po ndjek drejtimin e Rusisë, ku zgjedhjet nuk janë në standardet ndërkombëtare, gjë që ne presim t’i ketë një demok-raci e zhvilluar”, tha ambasadori Uidhers në intervistën e parë që jep që kur përfundoi mandatin në Shqipëri. Ai thotë se fakti që Shqipëria nuk po arrin të zgjidhë dukuri të tilla si korrupsioni, problemet në sistemin e drejtësisë dhe konfliktet politike, janë probleme të shkaktuara nga udhëheqësit politikë në vend, që i quan përçarës dhe jo bashkues. “Problemet e politikës nuk vijnë nga ambienti, por polarizimi politik i udhëheqësve që thjesht nuk kanë në vetvete instinktin demokratik, për të cilët demokracia është diçka jashtë tyre, demokracia është diçka që nuk u vjen për shtat, diçka që ata duhet ta manipulojnë për botën e jashtme, por jo që ata vetë ta praktikojnë, nuk u vjen nga zemra”. Ambasadori Uidhers thotë se qëndrimet e tij ndaj Kryeministrit, apo ndaj udhëheqësit të opozitës, apo ndonjë personaliteti tjetër në Shqipëri, nuk ishin personale, por një analizë për veprimet që nuk ishin në përputhje me parimet e demokracisë. Këtë qëndrim, ish-ambasadori e mbajti edhe tetorin e kaluar, kur pas publikimit të disa kabllogrameve të WikiLeaks-it, shkroi një letër.

Ish-ambasadori
“Sado i keq të jetë lajmi, apo sado e sikletshme të jetë një rrethanë, një ambasadë amerikane raporton të vërtetën, edhe për një aleat të ngushtë si Shqipëria. Nëse zgjedhjet janë të dyshimta, ne e themi këtë. Nëse autoritetet qeveritare kërcënojnë pavarësinë e institucioneve demokratike të vendit dhe median, ne e themi këtë. Nëse besnikëria partiake pengon qeverisjen e vendit, nëse korrupsioni i kudogjendur minon zhvillimin e mirëfilltë ekonomik, nëse përparësia e udhëheqësve është të rendin me këmbëngulje drejt pushtetit në vend që të rendin për t’i shërbyer popullit, ne e themi këtë”, shprehej Uidhers pak kohë më parë.

Topi me Sekuin: Dialog konstruktiv mes partive

Topi dhe Sekui

Presidenti Bamir Topi priti dje kreun e delegacionit të KE-së në Tiranë, Etore Sekui. Sipas zyrës së Presidencës, kreu i shtetit theksoi domosdoshmërinë e vazhdimit të dialogut politik institucional për realizimin e reformave të nevojshme, shmangien e debateve të panevojshme e të parakohshme si dhe përmbushjen e kritereve që do të mundësonin bërjen pjesë edhe zyrtarisht të Shqipërisë në familjes së madhe europiane. “Kreu i Delegacionit të BE-së në Tiranë, ambasadori Sekui, duke vlerësuar rolin kushtetues dhe institucional të Presidentit Topi si simbol i unitetit të popullit, nënvizoi rëndësinë e vazhdimësisë së reformave të ndërmarra dhe dialogut konstruktiv mes forcave dhe aktorëve politikë për të ardhmen integruese europiane të vendit tonë”, thuhet në njoftimin për shtyp.

© Panorama.al

Te lidhura