VIDEO- “U rrëmbyen dy biznesmenë, madje u detyruan të hapnin edhe varrin e tyre”- Adnan Xholi tregon ngjarjet kriminale që ka hetuar: Kërkova heqjen e mandatit për dy deputetë, kam hetuar edhe një kryebashkiak

Dec 11, 2025 | 9:46

Kandidati për kreun e ri të SPAK, Adnan Xholi ka shpalosur programin e tij për drejtimin e Prokurorisë së Posaçme. Para të gjithë anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ai ka treguar ngjarjet kriminale që ka hetuar në karrierën e tij, duke nisur që nga viti 1997.

Ai solli rastin e rrëmbimit të dy biznesmenëve nga grupet kriminale: “Dy çështjet e tjera kanë të bëjnë me rrëmbimet e biznesmenëve në Gjirokastër. Grupet rrëmbyen dy biznesmenë, i rrëmbyen dhe iu mbajtën peng për 18 ditë, ushtruan dhunë fizike dhe psikologjike, madje i detyruan të hapnin edhe varrin e tyre me qëllim të merrnin shumat monetare të kërkuar, shuma të kërkuara ishin 100 milion dhrami dhe arritën të merrnin  nga 20-25 mln dhrami, që me vlerën e sotme shkon 80-100 mijë euro”

Më tej ai solli në vëmendje edhe rastet e viteve të fundit, në hetimin e zyrtarëve të lartë politike. Xholi u shpreh se ka kërkuar heqjen e mandatit për dy deputetë dhe ka hetuar edhe një kryetar bashkie.

“Kam ushtruar juridiksionin fillestar ndaj dy deputetëve në detyrë. Kam kërkuar heqjen e mandatit, është dhënë autorizimi dhe janë arrestuar përfaqësuar në gjykim prej meje derisa janë çuar në gjykim.

Sa i përket prokurorisë së posaçme, janë me dhjetëra hetime paralele. Rasti i parë që kam prezantuar është një grup prej 8 anëtarësh që vodhën 67 banesa, shumë të ndryshme monetare dhe i sillnin në Shqipëri. Kam ndjekur një kryetar bashkie dhe u dënua për shkak se nuk kishte deklaruar një dënim në një territor në shtetin greke”, tha prokurori.

Më tej ai tregoi edhe ngjarje të tjera kriminale që ka  hetuar ndër vite:

“Behet fjalë për grupe kriminale që ushtronin funksione në Tiranë, Durrës dhe Fier. Identifikuam 48 anëtarë, 8 u arrestuan në Shqipëri dhe u dënuan me vendim të formës së prerë.

Çështja tjetër ka të bëjë me 8 të pandehur. E kam hetuar bashkë me një kolege që është kandidatët dhe janë dënuar këta autorë.

Kam përfaqësuar dy ngjarje të rënda në 1997, masakra e Cërrikut dhe ajo e Qafë Gjashtës. Këto ngjarje janë rifilluar  pas 10 vitesh prej meje. Për tre persona unë kam kërkuar dënim për jetë dhe janë dënuar”

© Panorama.al

Te lidhura