Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas vendimeve të fundit për organizimin e Kuvendit dhe ndarjen e drejtimit të komisioneve parlamentare, duke e cilësuar këtë një veprim për të përjashtuar opozitën.
Një nga shqetësimet kryesore të Bardhit ishte shkrirja e Komisionit Parlamentar për Integrimin Evropian, që sipas tij ishte e vetmja hapësirë institucionale ku opozita kishte një rol të drejtpërdrejtë në procesin e integrimit.
Bardhi iu përgjigj edhe arsyetimit të dhënë nga mazhoranca, sipas të cilit është ndjekur modeli i Bundestagut Gjerman për riorganizimin e komisioneve.
“Kushdo që njeh organizimin e Bundestagut e di që ai ka si komision për çështjet e jashtme, ashtu edhe një komision të posaçëm për çështjet evropiane. Këtë e konfirmon edhe një studim i porositur nga vetë Kuvendi, që tregon se në të gjitha vendet e BE-së dhe në rajon ekzistojnë të dyja strukturat,” theksoi Bardhi.
Gazment Bardhi: I kemi bërë me dije zotit Peleshi dhe kryetarit të grupit parlamentar të mazhorancës se për opozitën është e papranueshme që na Asamblenë e PS të njoftohet mbi organizimin e Kuvendit të Shqipërisë. Këto janë mekanizma pune të përbashkëta të mazhorancës dhe opozitës. Si në cdo vend demokratik organizimi duhet të ishte produkt i përbashkët. Fakti i prezantimit të këtyre ndryshimeve në Asamblenë e PS, fakti i bërë sot i kryer me caktimin e kryetarëve dhe zv.kryetareve të PS tregon frymën autoritare që Rama ka instaluar në Shqipëri.
Së dyti kemi sqaruar se me veprimin e shkrirjes së Komisionit të Integrimit, mekanizmi që kishte në dorë opozita për të luajtur rolin konstruktiv dhe për të thënë konsensus në procesin e integrimit në këtë moment zërohet. Qëndrimi se nuk kemi shkrirë komisionin e integrimit, por të jashtëm, në fakt pasqyron atë që kemi thënë, vullnetin e mazhorancës për të përjashtuar opozitën nga procesi i integrimit evropian.
Së dyti na u soll si argument se kemi ndjekur modelin e organizimit të Bundestagut Gjerman. Cilido që njeh organizimin e komisioneve në Bundestag, e dinë që aty ka edhe komision të jashtëm, ka edhe komision të cështjeve evropiane. Grupi Parlamentar i PD i ka kërkuar institucioneve të Kuvendit të bëjë një studim si janë të organizuara komisionet parlamentar në rajon dhe si janë të organizuara komisionet në disa prej vendeve anëtarë të BE. Sipas studimit të vetë kuvendit, në të gjitha vendet ka edhe komision të integrimit evropian, ka edhe komision për punët e jashtme. Shqipëria bëhet i pari vend që jo thjesht përjashton opozitën nga procesi i integrimit, por i pari vend që nuk ka një komision të dedikuar për integrimin evropian.
© Panorama.al












