
Shpëton pronari i lokalit në mes të Korçës, pranga 17-vjeçarit
Tenton të vrasë pronarin e lokalit dhe djalin 21-vjeçar të tij, pasi iu ngacmoi kamerieren. Policia e Korçës arrestoi 17- vjeçarin me inicialet L.H., pasi qëlloi me armë zjarri në një lokal që ndodhet në mes të qytetit të Korçës, duke terrorizuar edhe klientelën. Dëshmitarë në vendin e ngjarjes bënë të ditur se shkak është bërë një konflikt brenda ambienteve të lokalit mes të riut klient dhe pronarit Dhimitraq Prengu, bashkë me të birin M.Prengu. Sinjalizimi i ngjarjes ka vënë në lëvizje Policinë e Korçës për kapjen e autorit, si dhe shkaqet e ngjarjes. Burime nga Policia bënë të ditur se pas arrestimit të 17–vjeçarit, ai është marrë në pyetje. Gjithashtu, në polici janë thirrur edhe babë e bir për të deponuar versionin e tyre në lidhje me konfliktin që përfundoi me të shtëna. Sipas versionit të dhënë, shkak i konfliktit ka qenë ngacmimi i kamerieres së lokalit nga ana e 17-vjeçarit. Ai është futur si klient në lokalin në pronësi të 55-vjeçarit Prengu, por më pas ka nisur të ngacmojë kamerieren që i shërbeu. Pasi kanë parë reagimin e klientit, at e bir i kanë kërkuar të largohej nga lokali i tyre. Por adoleshenti duket se është fyer nga ky veprim për ta dëbuar nga lokali. Ai është konfliktuar fillimisht me fjalë dhe më pas është larguar, duke u kthyer vetëm disa minuta më pas, i armatosur. I riu ka qëlluar në drejtim të 55-vjeçarit Dhimitraq Prengu dhe të birit, por fatmirësisht, veç panikut të shkaktuar, asnjëri nuk pësoi plagë.
“Nga ana e Sektorit Kundër Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Korçë, u krye arrestimi në flagrancë i shtetasit me inicialet L.H., 17-vjeç, banues në lagjen Nr. 16. Arrestimi i tij u bë pasi në lagjen Nr.7 në ambientet e lokalit “Vasport”, për motive të dobëta është konfliktuar me shtetasit (at e bir) M.P., 21 vjeç dhe Dh.P., 55 vjeç (ky i fundit pronar i lokalit). Gjatë konfliktit, autori ka tentuar të vrasë me armë zjarri pistoletë, duke qëlluar njëherë në drejtim të 55- vjeçarit. Ndaj 17-vjeçarit janë ngritur akuzat për veprat penale “vrasje me dashje, e mbetur në tentativë” dhe “mbajtje të armëve dhe municioneve luftarake pa leje”.
KORÇE/ DHORJELA DEMKOLLI
© Panorama.al











