U arratis nga burgu, kërkim ndërkombëtar për Pajën

Dec 22, 2011 | 11:16
Komisariati i Policisë Elbasan

Shpallet në kërkim ndërkombëtar Lulzim Paja, i arratisur nga Burgu i Peqinit. Policia e Elbasanit, pas kërkimeve të kryera që prej së hënës, kohë kur përfundonte afati i dorëzimit të 37-vjeçarit, ka bërë shpalljen e Pajës në kërkim edhe jashtë vendit. Gjatë këtyre ditëve, në bashkëpunim me komisariatet e rretheve në qark, por edhe të qyteteve të tjera që kufizohen me Elbasanin, janë kryer kontrolle të imtësishme për të kapur 37-vjeçarin Lulzim Paja, i cili theu lejen e marrë nga burgu, për të mos u kthyer më në qeli. Nëndrejtori i Policisë së Elbasanit, Rezar Velmishi, deklaron se kanë nisur kërkimet intensive në çdo vend të mundshëm ku dyshohet se mund të jetë strehuar ai, si: tek të afërmit, shokët apo të tjera zona që nuk bëhen të ditura për gjetjen dhe arrestimin e 37-vjeçarit, i cili theu lejen e dhënë nga Drejtoria e Burgut e më pas është arratisur. Ndërsa nuk jep detaje të tjera rreth kërkimeve, Velmishi shprehet se: “Jemi shumë afër kapjes së tij”. Nga ana tjetër, ai deklaron se ditën e mërkurë kanë nisur procedurat për shpalljen e 37-vjeçarit në kërkim ndërkombëtar, pasi një nga pistat mund të jetë edhe largimi i tij jashtë Shqipërisë nëpërmjet kufirit tokësor. Gjithsesi, Velmishi shton se “kemi marrë shumë informacione rreth vendndodhjes së tij dhe jemi duke kërkuar në të gjitha pistat e mundshme”. Lulzim Paja, i dënuar në Burgun e Sigurisë së Lartë të Peqinit, ka thyer lejen e dhënë nga drejtoria duke mos u kthyer në Institutin e Ekzekutimit të Dënimeve Penale në Peqin, leje e cila përfundonte mesditën e së dielës së kaluar. Ai ishte dënuar 17 vjet heqje lirie për veprën penale të “arratisjes nga burgu”. Mësohet se kishte edhe dy vjet burg për të kryer, çka ka kushtëzuar dhe Drejtorinë e Burgut të Peqinit të miratonte lejen disaditore për të takuar të ëmën. Në vitin 1997, Lulzim Paja ishte akuzuar për vrasjen aksidentale të një 23-vjeçari në qytet, por pas hetimeve rezultoi se nuk ishte ai autori i vrasjes. Mbas 7 muajsh në burgun e Tiranës, Lulzimi kaloi muret e fushës së ajrosjes dhe u arratis. Këtë akt e kreu vetëm dy muaj para se gjykata ta shpallte të pafajshëm, pasi nuk ishte arma e Lulzimit tip “Pistoletë” që e kishte vrarë 23-vjeçarin. Në një intervistë për gazetën, e ëma deklaroi se i biri nuk kishte arsye pse të arratisej, pasi i kishin mbetur pak muaj në qeli. Ajo ka dhënë dëshminë për çastet e fundit të Pajës, i cili i kishte thënë se do ta përcillte një shok drejt Burgut të Peqinit.

© Panorama.al

Te lidhura