Turpi i ngrënë me bukë

Aug 7, 2012 | 12:32

LUÇIANO BOÇI

 

Seanca e djeshme ishte konceptuar nga maxhoranca si një përmbushje e një reforme ligjore, e një akti politik dhe nga më seriozët, më domethënësit dhe më të priturit përgjatë këtyre viteve politikë. Por, jashtë këtij angazhimi tonit, u konsumua faqe të gjithëve një seancë sa qesharake, po aq dhe qaramane e ironike njëkohësisht. Ishte tërësisht qesharake pasi opozita, ajo që në emër të luftës së ndershme politike duhet të ishte iniciatorja dhe mbështetësja kryesore e heqjes së imunitetit, në mënyrën më humoristike të mundshme, u deklarua si penguesja dhe bllokuesja e patundur e kësaj reforme të pritshme prej vitesh. Dhe këtë e bëri gjoja në emër të ligjit dhe në emër të së mirës së qytetarëve, pa e ditur akoma që mentaliteti politik qytetar ka avancuar më shumë se ai i vetë politikës dhe që mençuria e tij ka tejkaluar atë të politikës. Në këtë aspekt, gajasja e hidhur e të gjithëve duket të jetë e paevitueshme dhe e pafund. Ishte thellësisht qaramane pasi opozita jonë e egër, ajo e betejave molotoviste, e çadrave, e letrave përçmuese ndaj shqiptarëve, kërkoi të marrë para votuesit pozicionin e viktimës, sikur ata që i morën pushtetin e dëshiruar, por kurrë të merituar, tani po përpiqen t’i marrin nderin e supozuar, por asnjëherë të konfirmuar. Ishte plotësisht ironike sepse dje të gjithë pamë ata që për shumë kohë u lodhën së thirruri më kot se janë shenjtorët e votës së lirë, të deklarojnë se nuk e përfillin votën, se nuk e respektojnë atë, se janë totalisht kundër forcës së saj dhe se nuk e njohin vullnetin e votuesit. Po kaq ironike ishte të dëgjoje sot ata që, në podium e Parlamentit kanë ardhur me tufa letrash e librash, duke i tundur si fakte korruptive, duke akuzuar me patetizëm të pafre, deri dhe rojet e ministrive të zmbrapsen fare pa turp. Dhe e bënë këtë pikërisht para miratimit të atij ligji që do të bënte të mundur faktimin e akuzave të tyre, të cilat dhe njëherë tjetër u dëshmuan qartazi se janë thjesht fabrikime mjerane për përfitime elektorale. Ndërkohë, kjo seancë duhet të ishte, as më shumë e as më pak, përpos një gjesti domethënës të politikës para votuesit të saj, për të nënshkruar me të një marrëveshje mes të barabartëve, për të riafirmuar dhe njëherë para tij se në Parlament deputetët i ka sjellë vullneti i tij dhe shpresa e tij, jo për të qëndruar mbi të, por për të qenë pjesë integrale e votuesit, për të përballuar ditë të vështira dhe për t’i sjellë atij ditë të mira. Më shumë se kurrë, votuesi priste reflektimin e klasës politike për të eliminuar shkakun e opinioneve negative legjitime të tyre, shkakun që më së shumti ka stimuluar qëndrime dhe veprime të gjykueshme, pikërisht eliminimin e imunitetit për të gjitha nivelet e zyrtarëve dhe të politikës. Prisnin që politika, më në fund, t’i drejtohej atij me dorë në zemër, për t’i thënë se barazia para ligjit është e shenjtë për të gjithë e duhet respektuar nga të gjithë, se politika është thjesht një profesion si çdo profesion tjetër, dhe jo një meritë e njerëzve të veçantë. Sigurisht, gatishmërinë dhe përpjekjen e PD-së dhe mazhorancës ata e lexuan qartë, pasi ajo ka qenë e kristaltë, sikurse dinë mirë shkaqet e vërteta që e shtyjnë të majtën të refuzojë heqjen e imunitetit. Kjo seancë e fundit, në fakt duhet të ishte jo fillimi i fundit, por fundi i fundit të një politike konfliktuale, kushtëzuese dhe bllokuese, të stimuluar pa kufizim nga një e majtë që ka humbur tërësisht busullën e orientimit politik dhe që vendimmarrjen politike e ka dorëzuar tërësisht në duart e interesave dhe tekave ekonomike të lidershipit të saj. Njëkohësisht, kjo seancë duhet të shënonte preludin e një fryme të re në politikë, të kushtëzuar pikërisht nga heqja e imunitetit, e një fryme më bashkëpunuese, më të përgjegjshme, më qytetare, sikurse ajo duhet të ishte seanca e përgëzimit të njëri-tjetrit për punën e bërë, për fitimin e pritshëm të statusit të vendit kandidat, pavarësisht se, nga fillimi deri tani, motivi kryesor i së majtës ka qenë pikërisht pengimi i këtij statusi. Këtë PS e ka bërë me shumë pasion përgjatë këtyre viteve, siç po përpiqet ta bëjë dhe njëherë me shmangien e një votimi, të cilin të gjithë e kishim dhe e kemi detyrim politik dhe moral. Shfaqja u kërkua të interpretohej, krahas se ishte shumë butaforike, se vuante nga mungesa brenda saj e qëllimit të mirë, e dëshirës së bukur për t’i shërbyer vendit. PS harxhoi kaq shumë ligjërata të redaktuara keq e mos më keq, të frymëzuara nga letrat shqiptarofobe të kryetarit të saj dhe kaq shumë energji negative, për t’u thënë shqiptarëve se thjesht nuk donin të ishin të barabartë me ta. T’i pohonin se nuk donin që ata të ndjekin vokacionin natyral të tyre europian, se nuk donin transparencë, se kërkonin vetëm pak pushtet dhe shumë imunitet. Ndërkohë që për të gjitha këto gjëra mund të flisnin dhe më shkoqur, sepse, tek e fundit, demokracia e sjellë ua ka krijuar këtë komoditet. Dhe më kot janë lodhur deri tani duke ndërtuar mure kushtesh të pafundme dhe justifikime banale. Mjaftonte të artikulonte këtë pohim që të gjithë e marrin si domethënie të qëndrimeve të saj, pra të deklaronte të paktën me sinqeritet që ajo, si opozitë, nuk ka dëshirë që shqiptarët të marrin statusin e vendit kandidat. Dhe besoj se elektorati do ta vlerësonte për këtë gjest sinqeriteti të munguar. Dje PS po bënte sikur kishte rënë në dashuri me Kushtetutën dhe për hir të besnikërisë ndaj saj nuk pranon me demek arnime, ndërkohë që e ka grisur atë sa herë që i është dashur ta bëjë dhe ka dëshmuar me aksion revolucionar se mund ta bëjë sa herë që i duhet. Dje PS bëri sikur shqetësimi i saj më i madh është pavarësia e Drejtësisë, duke harruar me dashje se e ka sulmuar dhe akuzuar atë në mënyrë sistematike dhe të paturp, për ta stepur dhe gjunjëzuar. Dhe harroi, përsëri me dashje, se vetë ajo, pra Drejtësia, ndryshe nga ata, e ka pranuar kufizimin e imunitetit të saj me bindjen se kjo do t’i shërbejë drejtësisë të së drejtës dhe së vërtetës. Përgjatë kësaj kohe, e majta ka mbarsur një frikë për heqjen e imunitetit, shpjegimi i së cilës nuk ka të bëjë më tendenca hakmarrëse, të pretenduara naivisht nga PS, më shumë se ka të bëjë me frikën e lidershipit të saj se do të humbë mbështetjen financiare që e mban në krye dhe në këmbë. Njëkohësisht, nga e gjitha kjo, duket qartë se uniteti i saj është i siguruar nga imuniteti i saj dhe heqja e tij do të shkërmoqte përfundimisht elementin që i bashkon sot në një amalgamë që ka kohë që ka humbur lustrën e vet origjinale politike. Në bindjen e së djathtës, imuniteti nuk është pjesë e qenësishme e politikës. Ai është një lloj atavizmi i domosdoshëm për t’u larguar. Pavarësisht se ai mund ta bëjë politikën më të dobët para ligjit, në besimin e së djathtës do ta bëjë më të fortë dhe më të respektuar para moralit dhe përpara njerëzve të thjeshtë, Tek e fundit, dimensioni kryesor i vetë asaj është morali. Kërkesa e vazhdueshme e PD për heqjen e tij është dëshmi e vullnetit të hekurt të maxhorancës për të luftuar me çdo kusht korrupsionin, kudo që ai shfaqet dhe kudo që ai mbartet. Në konceptin djathtist ai nuk është thjesht një hap që hap dyert e statusit, por, në radhë të parë, një detyrim para qytetarit, që ai të shohë te politika pa imunitet reflektimin e vetvetes dhe të problematikës së tij. Mungesa e imunitetit e njëson politikanin e zyrtarin me qytetarin jo për ta zhvlerësuar, por për ta veneruar si vlerë të patjetërsueshme të shoqërisë, për t’i dhënë atij vendin e munguar në kohën dhe hapësirën reale, duke e shkëputur atë përfundimisht nga maja virtuale ku ishte më parë. Ftesa dhe oferta e PD në ketë maratonë fjalëboshe të imponuar mbeti e pandryshuar, sepse nuk mjafton ta pranosh formalisht heqjen e imunitetit, por duhet të japësh votën me vullnet të plotë. Të paktën turpin opozita nuk duhet ta kapërdijë me bukë. Dhe kaq forcë te vetja ju duhet të gjeni sot, për hir të vlerave dhe të së ardhmes.

© Panorama.al

Te lidhura