Në Angli, dy janë objektivat kryesorë në luftën kundër dhunës në sport: parandalimi dhe eliminimi. Britanikët, pas rastit të ndeshjes Liverpul-Juventus (1985) ku humbën jetën 39 tifozë dhe u plagosën 600 të tjerë për shkak të dhunës që përfshiu gjithë tifozërinë, vendosën t’i bëjnë bllok dhunës në një vend ku huliganizmi po bëhej traditë. Qeveria angleze, kryesuar nga Margaret Theçer, vendosi që në të gjitha stadiumet të ngriheshin sisteme të forta sigurie, si: vendosja e kamerave brenda dhe jashtë stadiumeve, rrethimi i fushës dhe, më kryesorja, dënime deri në katër vjet burg për dhunuesit. Me fillimin e arrestimeve nga policia për rastet e dhunës, erdhi dhe fushata publicitare, e cila u mbështet fuqishëm, sidomos nga mediat sportive dhe josportive që në miliona kopje shpërndanin foto të tifozëve me emrin dhe vulën “TURP”, si një mënyrë për t’i demaskuar. Sigurisht që edhe pas kësaj në Angli dhuna nuk është eliminuar, por ka një rënie drastike nga viti në vit.
Takimi Laçi-Kastrioti, ku gjyqtari i FIFA-s u godit nga drejtuesit e klubit e më pas nga dhjetëra tifozë, është sinjali i radhës se në Shqipëri dhuna sa vjen e shtohet, se Shqipëria nuk ka asnjë objektiv në luftën kundër dhunës në veprimtaritë sportive. Dhuna në stadiumet tona nuk është një çështje vetëm e Federatës Shqiptare të Futbollit. Ajo, nga njëra ndeshje në tjetrën po kthehet në një problem social që duhet të na shqetësojë të gjithëve.
Është e turpshme që të vetmet kamera që fokusuan dhunën ishin ato të televizioneve private. Po aq dhe roli i Policisë së Shtetit. Ndërkohë që gjyqtari i FIFA-s rrihej barbarisht (nuk gjej dot fjalë tjetër për ta përshkruar atë masakër) ata 4-5 policë ishin të pafuqishëm për të parandaluar vërshimin e turmës së tifozëve në fushë. Asnjë arrestim ditën e “masakrës”, por as ditën më pas. Policia me “verbërinë” e saj justifikohej se nuk kishte denoncim, ndërkohë që epidemia e dhunës përhapej para syve të uniformave blu. Media deri diku e kreu misionin e saj, e raportoi dhunën, por në më të shumtën e rasteve me titullin e ftohtë: “Rikthehet dhuna në stadium”. Federata Shqiptare e Futbollit, nga ana e saj, mblodhi urgjent Komisionin e Disiplinës, siç ka bërë 25 herë vetëm këtë vit (në 80 për qind të rasteve dënimet janë shkak i dhunës në stadiume dhe sjelljeve antisportive), për të dënuar vetëm me dy vjet pezullim dhe 500 mijë lekë “nismëtarin” e dhunës, e me dënime më të lehta ata që e pasuan. Por, siç ka ndodhur rëndom me vendimet e Disiplinës, pas dy ditësh me siguri që “të dënuarit” do ta ankimojnë në Apel, e ky i fundit do ta zbusë akoma më shumë dënimin për dhunuesit që sërish do ta kalojnë lumin pa u lagur. Si rezultat i kësaj, Shoqata e Gjyqtarëve proteston me bojkot të kampionatit duke ngritur simbolikisht kartonin e kuq.
Por, peshën më të madhe të turpit për indiferencën që tregohet ndaj dhunës në sport e mban shteti, Ministria e Turizmit, Kulturës Rinisë dhe Sporteve, pranë së cilës me ligj është ngritur Komiteti Kombëtar i Luftës Kundër Dhunës dhe Sjelljeve të Pahijshme në veprimtaritë sportive. Ky komitet, i cili është nën juridiksionin e kryetarit të Këshillit të Ministrave (Kryeministrit të këtij vendi), ndërsa detyrat, kompetencat dhe mënyra e funksionimit të tij janë kompetencë e numrit dy të qeverisë, zv.kryeministrit, meriton kartonin e kuq.
Çfarë ka bërë ky komitet, ndërkohë që në stadiumet tona dhe jo vetëm, dhuna dhe sjelljet antisportive janë kthyer në epidemi? Mblidhet një herë në kaq vjet vetëm në ato pak raste ku ka një sensibilizim mediatik, siç ishte rasti më i fundit në Laç, përpilon një deklaratë për shtyp, dënon dhunën nga zyrat e Ministrisë dhe në fund i vë “vulën” me një distancim nga dhunuesit. Hiç asgjë nuk ka bërë dhe nuk bën.
Çfarë ndodh më tej?! Federata, “në respekt” të rregullores, mbledh Komisionin e Disiplinës, i përkëdhel dhunuesit me dënime të lehta dhe çështja mbyllet “në të mirë të futbollit”. Prapë hiç asgjë…
Po Policia e Shtetit çfarë bën?! Në fillim thotë se nuk ka denoncim për dhunuesit, ndërkohë që dhuna manifestohej në sytë e atyre 4-5 policëve që ishin në fushë. Pastaj, detyruar nga prokuroria, ekzekuton arrestime, por edhe këto bazuar në kasetat e sekuestruara nga televizionet private. Edhe ajo hiç asgjë…
Pra, në Shqipërinë që synon të jetë pjesë e Bashkimit Europian, kështu “u parandaluaka” dhuna. E kjo e fundit në vendin tonë nuk ka shumë vështirësi për t’u adresuar. Ajo vjen thuajse gjithmonë nga tribuna VIP, ndërkohë që tifozëria nuk është gjë tjetër veçse dekori i dhunës që ngjizet nga tribuna. Rasti i takimit Laçi-Kastrioti, ku u godit gjyqtari i FIFA-s, me siguri nuk do të jetë i fundit, por i radhës, derisa Shqipëria ende nuk ka një objektiv të qartë për parandalimin e dhunës në sport.
Në një vend ku stadiumet janë jashtë çdo standardi sigurie, ku aludohet për shitje ndeshjesh, ku policia në më të shumtën e rasteve bën sehir, ku media raporton po aq ftohtë sa ç’mund të raportohet për një fenomen që ndodh rëndom, ku Federata përkëdhel dhunuesit në vend që t’i dënojë, ku në tribunat VIP njerëz me precedentë penalë pastrojnë imazhin duke u shfaqur në krah të pushtetit, ku dhuna inicionet edhe nga njerëz me mandat, të cilët kanë “guximin” dhe deklarohen publikisht se janë ata dhunuesit, ku presidentë klubesh heqin këpucën për të goditur gjyqtarin dhe një javë më pas shfaqen në publik përkrah njerëzve me pushtet e ku Ministria, pas gjithë kësaj, vazhdon të flejë në kolltukët e ngrohtë të pushtetit, dhuna s’ka për t’u ndalur kurrë.
Prandaj, ka ardhur koha që shteti të kthejë seriozisht vëmendjen te sporti. Shteti të mos rrijë spektator karshi dhunës që shfaqet brenda dhe jashtë stadiumeve tona. Një dhunë që ndikon drejtpërsëdrejti në jetën sociale të shqiptarëve, sepse sporti është i lidhur me shoqërinë dhe, mbi të gjitha, me cilësinë e jetës së individit. Ka ardhur koha që shteti të ndërhyjë me forcën që i jep pushteti për të parandaluar këtë epidemi dhune. Ka ardhur koha që Kodi i Procedurës Penale të parashikojë dënime penale për ata individë qofshin ME apo PA mandat që kryejnë akte dhune, që Policia e Shtetit të bashkëpunojë me FSHF-në për të marrë masa për sigurinë në stadiumet tona, që të ndërhyhet në infrastrukturën sportive, në privatizimin e klubeve, afrimin e njerëzve që kanë integritet shoqëror pranë sportit etj., që ne t’i bashkohemi familjes së madhe europiane, ëndrra e të gjithë shqiptarëve.
*Deputet i PS
© Panorama.al












