Barroso: BE e përkushtuar ndaj Kosovës

May 20, 2011 | 13:15

PRISHTINE- Presidenti i Komisionit Evropian, Hoze Manuel Baroso, shprehu përkushtimin e BE-së për perspektivën evropiane të Kosovës.

Ai tha se vizita e tij në Kosovë është një sinjal për këtë përkushtim.

Megjithatë Baroso theksoi se “i takon Kosovës dhe popullit të saj të zbatojë reformat e nevojshme, përfshirë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, lidhur me integrimin në BE.

Këto komente Baroso i bëri në Prishtinë, pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi. Ai foli edhe për dialogun Prishtinë – Beograd, duke e cilësuar atë si një proces pozitiv.

Nga ana e tij kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi tha se Kosova do të jetë e përkushtuar për zbatimin e reformave të kërkuara nga BE-ja  dhe shprehu bindjen se raporti i ardhshëm i progresit, i cili hartohet nga Komisioni Evropian, do të jetë më pozitiv se ai i vitit të kaluar.

Baroso, i shoqëruar edhe nga Komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Stefan Fyle, është takuar sot edhe me presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, njoftoi Radio Evropa e Lirë

Një ditë më parë, delegacioni i lartë evropian ka qëndruar në Serbi, për të përcjellë mesazhin se çelësi i integrimeve në BE gjendet vetë në këtë shtet.

Barroso dhe Fule ndërkaq, kanë anuluar vizitën e paralajmëruar në Shqipëri, për shkak të siç është thënë tensioneve politike, të cialt po e përcjellin Tiranën që nga mbajtja e zgjedhjeve lokale, më 8 maj.

© Panorama.al

Te lidhura