Tuneli, zbardhet kontrata me islamikët

May 24, 2011 | 10:15
Mbledhja e djeshme e Komisionit të Ekonomisë

Financimet për rru-gën Tiranë-Elbasan janë gjetur për pjesën më të madhe të projektit, por Ministria e Financave është ende në bisedime me institucione financiare të huaja për të plotësuar shumën totale.Detajet i bëri të ditura përfaqësuesi i Ministrisë së Financave në Drejtorinë e Borxhit, Resmi Ibraj, gjatë diskutimit të marrëveshjes me Bankën Islamike për Zhvillim në Komisionin e Ekonomisë për financimin e rrugës Tiranë-Elbasan. “Shuma e menduar për këtë projekt ishte 407 milionë, por, për shkak të kursimeve gjatë fazës së tenderimeve për tunelin, kjo u reduktua në rreth 380 milionë dhe IDB ka rolin kryesor në këtë paketë financimi me 222.7 milionë dollarë. Kemi marrë konfirmim nga fondi i Abhu Dhabit për 50 milionë nga 100 milionë që kemi këtu, sepse natyrisht, zhvillimi ka ndodhur mbasi është hartuar ky relacion. Fondi saudit dhe fondi kuvajtian kanë premtuar 15-25 milionë, por jemi në pritje të aprovimit nga bordet e tyre. Natyrisht, i kemi kërkuar financim edhe fondit të OPEC-ut dhe pjesa tjetër do të merret përsipër nga qeveria shqiptare”, tha Ibraj. Ndërkaq ai nënvizoi se institucionet financiare ndërkombëtare i janë përgjigjur në mënyrë të menjëhershme dhe me interes të madh kërkesës së qeverisë shqiptare për financimin e këtij projekti, por Banka Islamike ishte ajo që veproi më shpejt dhe vuri në dispozicion një shumë kaq të madhe. Kredia e kësaj banke konsiderohet si një ndër më të favorshmet për shtetin shqiptar, me një afat maturimi prej 20 vitesh, ku tre vite shlyerja është pa interesa, ndërsa për 17 vite të tjera janë parashikuar 34 pagesa, dy herë në vit, me interesa të leverdishme. Disbursimi në marrëveshje është parashikuar që të përfundohet deri në fund të vitit 2014. Me interesa të leverdishme qeveria shqiptare pret që të sigurojë dhe fondet e mbetura nga institucionet e tjera financiare. E, në kohën kur akoma vijohet me sigurimin e gjithë parave për projektin e kësaj rruge, dy lote të saj nuk janë tenderuar ende, me përjashtim të lotit që përfshin tunelin e autostradës, ku është lidhur kontrata me kompaninë greke “Aktor”. Dy lotet e tjera të kësaj rruge, ajo që fillon nga Unaza e Madhe e Tiranës deri në kilometrin e 13-të dhe ajo nga dalja e tunelit deri në qytetin e Elbasanit, nuk janë tenderuar ende. Nëndrejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve, Skënder Çocta, i pranishëm dje në Komision, u shpreh se faza parakualifikuese për kompanitë që do të ndërtojnë këto dy lote do të zhvillohet në qershor dhe deri në muajin shtator pritet që kantieret e ndërtimit të ngrihen përgjatë gjithë rrugës. Në kohën kur qeveria e ka shpallur këtë projekt si një ndër më të rëndësishmit e këtij mandati dhe si një projekt që duhet të përfundojë para mesit të vitit 2013, shtatori është muaji i fundit që mund t’i japë luksin e përfundimit kësaj rruge në kohën e synuar. Afati për mbarimin e tunelit, që është edhe loti i përuruar një muaj më parë, është 18 muaj.

Tuneli, Berisha përuroi punimet më 29 prill

Kryeministri Sali Berisha përuroi më datë 29 prill fillimin e punimeve për tunelin Tiranë-Elbasan, me një gjatësi 2.2 kilometra. Kontrata me kompaninë “Aktor” u nënshkrua vetëm pak ditë përpara përurimit të fillimit të punimeve. Në kontratë parashikohet që tuneli të përfundojë 18 muaj që nga dita e nënshkrimit të saj. “Aktor” mori përsipër të ndërtojë tunelin me 83 milionë dollarë, një vlerë kjo shumë më e ulët se fondi limit prej 150 milionë dollarësh.

18 muaj
është afati i përfundimit të punimeve për tunelin e autostradës Tiranë-Elbasan, i cili është i gjatë 2.2 kilometra dhe me një vlerë 83 milionë
dollarë, një vlerë kjo e shpallur fituese nga tenderimi i zhvilluar disa muaj me radhë, ku fitoi kompania greke “Aktor”. Financimin e këtij loti e bën plotësisht IDB

26.9 kilometra
e gjatë është autostrada Tiranë-Elbasan, sipas projektit që do të zbatohet nga qeveria shqiptare në muajt në vijim. Kjo rrugë është e ndarë në tri lote, nga të cilat: loti i parë fillon nga Unaza e Madhe deri në kilometrin e 13-të, loti i dytë është tuneli dhe loti i tretë është nga dalja e tunelit në qytetin e Elbasanit

Plani fillestar i propozuar për financimin e projektit

 

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura