Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka njoftuar një masë të re të ashpër ndaj Iranit përmes një postimi në platformën Truth Social, duke bërë të ditur vendosjen e një bllokade të plotë për anijet që kanë lidhje me portet iraniane ose transportojnë ngarkesa iraniane.
Paralelisht, ai bëri të ditur se heq dorë nga vendosja e një tarife prej 20% për vendet e Gjirit, duke e zëvendësuar atë me marrëveshje të mëdha tregtare dhe investimesh me SHBA-në.
Trump e nisi deklaratën duke vlerësuar Forcat e Armatosura amerikane, duke pretenduar se falë veprimeve të tyre “nafta po rrjedh më shumë se kurrë” dhe se Ngushtica e Hormuzit mbetet e hapur për lundrimin ndërkombëtar.
Ai falenderoi veçanërisht Sekretarin e Mbrojtjes Pete Hegseth, Shefin e Shtabit të Përbashkët të Forcave të Armatosura Dan Caine dhe komandantin e Komandës Qendrore të SHBA-së, admiralin Brad Cooper.
Në postimin e tij, presidenti amerikan deklaroi se SHBA do të vendosë një bllokadë të plotë ndaj anijeve që drejtohen ose largohen nga portet iraniane, si dhe ndaj atyre që transportojnë çdo lloj ngarkese të lidhur me Iranin.
Në aspektin ekonomik, Trump njoftoi se, pas bisedimeve me udhëheqësit e vendeve të Lindjes së Mesme, ka vendosur të zëvendësojë tarifën e parashikuar prej 20% në favor të Shteteve të Bashkuara me marrëveshje të reja tregtare dhe investimesh.
Sipas tij, vendet e Gjirit do të realizojnë investime “gjigante” në SHBA, të cilat, sipas presidentit amerikan, do të jenë të dobishme si për ekonominë amerikane, ashtu edhe për vetë shtetet pjesëmarrëse.
Në postimin e tij të plotë, Trump deklaroi se nafta po qarkullon “si kurrë më parë” falë fuqisë së Forcave të Armatosura të SHBA-së dhe se Ngushtica e Hormuzit është e hapur për të gjithë lundrimin ndërkombëtar, me përjashtim të Iranit.
Ai akuzoi udhëheqjen iraniane se është “gënjeshtare, e dhunshme dhe keqdashëse” dhe se po e çon vendin drejt “shkatërrimit të plotë”.
“Për këtë arsye do të vendosim një bllokadë të plotë, por vetëm për anijet që shkojnë ose largohen nga portet iraniane, si dhe për ato që transportojnë çdo gjë që lidhet me ngarkesa iraniane”, shkroi Trump.
Presidenti amerikan shtoi se, pas bisedimeve me liderët e vendeve të Gjirit, ka vendosur të zëvendësojë tarifën 20% me marrëveshje tregtare dhe investimesh, duke theksuar se këto investime do të jenë në nivele historike dhe do të krijojnë miliona vende të reja pune të mirëpaguara në SHBA.
Në fund të deklaratës së tij, Trump përsëriti se “Amerika po fiton sërish” dhe deklaroi se “ditët kur Irani vriste qindra mijëra njerëz kanë marrë fund”, duke shtuar se “Irani nuk do të ketë kurrë armë bërthamore”.
© Panorama.al













